Kushtetuesja rrëzon ankesën e Bashës për lejet e ndërtimit

Shqipëria

Kushtetuesja rrëzon ankesën e Bashës për lejet e ndërtimit

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 09:58

Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën e shoqatës së Bashkive për pezullimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave, që bllokon dhënien e lejeve të ndërtimit nga njësitë e qeverisjes vendore. Kolegjiumi i gjyqtarëve i Gjykatës Kushtetuese pasi shqyrtoi dokumentet e paraqitura nga të gjitha palët bëri konfirmoi se refuzonte kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, duke lënë në fuqi vendimin e qeverisë. Vendimi u bë publik nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dje. “Gjykata Kushtetuese vë ne dijeni palët se më datën 15 tetor 2014, u shqyrtua në mbledhjen e gjyqtarëve kërkesa për pezullimin e zbatimit të këtij akti dhe me vendimin e asaj date është vendosur rrëzimi i kësaj kërkese” u shpreh kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Sipas ankimimit të depozituar në Kushtetuese nga Shoqata e Bashkive, vendimi i qeverisë cenon kompetencat e pushtetit vendor dhe autonominë vendore. Por nuk ndajnë të njëjtin qëndrim përfaqësuesit e qeverisë dhe ata të KKTsë. Sipas përfaqësuesve të qeverisë ky vendim nuk krijon asnjë përplasje kompetencash. Vendimi i Qeverisë i miratuar 3 muaj më parë parashikon fillimin e procedurave për rishikimin e instrumenteve vendorë në planifikimin e territorit, në këtë kuadër të ndryshimeve përfshihet edhe pezullimi i vendimmarrjeve të njësive vendore deri në konstituimin e njësive të reja, pas zgjedhjeve që do dalin në vitin 2015. Pasi u miratua ky vendim Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës se Bashkive Fatos Hodaj, që e konsideroi vendimin e KKTsë, si një “goditje” që i bëhet kompetencave të pushtetit vendor.

“Në ligjin për planifikimin e territorit nuk gjendet një nen që t’i japë të drejtën këtij Këshilli për të cenuar pavarësinë, për të asfiksuar pushtetin vendor. Dhe mund të them me bindje se për 22 vjet që pushteti vendor operon, ky është cenimi më i rëndë që i është bërë pushtetit vendor. Pra t’i heqësh kompetencën kryesore, se nuk është vetëm leja e ndërtimit, është i gjithë kontrolli i territorit, është asfiksim, është një bllokim i gjithë aktivitetit të Bashkisë”, u shpreh Hodaj. Në vijim të seancës kreu i kolegjiumit të gjyqtarëve, Dedja pyeti palët e pranishme në sallë në lidhje me pretendimet e tyre. Pala kërkuese, Shoqata e Bashkive, kërkoi pranimin e kërkesës. Dhurata Çupi si përfaqësuese e Shoqatës së Bashkive kërkoi rrëzimin e vendimit të KKT-së. Sipas saj, me këtë vendim ndërhyhet në të drejtën e pushtetit vendor. “Edhe për një rast rreziku mbi një objekt është kryetari i njësisë që merr vendimin pezullimi. Me këtë vendim preket Karta Evropiane e Autonomisë Vendore”, tha Çupi. Të njëjtën kërkesë bëri edhe Ivi Kaso, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike. Kaso tha se edhe vetë vendimi i marrë nga qeveria nuk është i drejtë. Sipas tij ligji për ndarjen e re administrative kërkon riorganizimin e planeve rregulluese, por vendimi i pezullimit për zhvillimin e territoreve ka dalë para se ligji të hyjë në fuqi.

Përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave kërkoi rrëzimin e kërkesës. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe përfaqësuesja e Këshillit Kombëtar të Territorit, Lindita Gaba duke kërkuar rrëzimin e kërkesës. Sipas Gabës në asnjë rast nuk është përjashtuar pushteti vendor, por është kërkuar bashkëpunim në hartimin e planit të ri. Sipas vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit marrë më datë 22 gusht 2014, në pikat 2 dhe 3 të tij pushtetit lokal i hiqet e drejta për zbatimin e planeve urbanistike të miratuara më parë nga KKT. Në këtë vendim thuhet gjithashtu se autoritetet e pushtetit vendor s’mund të japin leje zhvillimore deri në konstituimin e njësive të qeverisjes vendore të cilat do të dalin nga zgjedhjet e vitit 2015. Shoqata e Bashkive në Gjykatën Kushtetuese kërkoi që vendimi për lejet të shpallet antikushtetues, pasi sipas tyre cenon parimin e autonomisë vendore. Ndërkohë që përfaqësuesit e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese kanë sqaruar se nga ky vendim nuk ka mosmarrëveshje kompetencash. Pas vendimit të qeverisë për bllokimin e lejeve të ndërtimit, bashkitë kërkuan shfuqizimin e vendimit në Gjykatën Kushtetuese.

Interpelanca

Anëtarët e trupit gjykues për të qenë sa më transparent ndaj çështjesh në fjalë i adresuan disa pyetje përfaqësuesve të Shoqatës së Bashkive. Pyetjet konsistonin në faktin nëse Shoqata e Bashkive përfaqësonte interesin e qeverisjes lokale apo në veçanti të Bashkisë së Tiranës. Gjyqtari Besnik Imeraj kërkoi sqarime nga përfaqësuesja e Shoqatës së Bashkive, Dhurata Çupi. Besnik Imeraj: Në emër të kujt e bëni kërkesën? Dhurata Çupi: Kërkesa është bërë në emër të Shoqatës dhe njëkohësisht në emër të Bashkisë së Tiranës, kështu që edhe në bazën ligjore jemi treguar të kujdesshëm që të citojmë të dyja pikat e nenit 134, pra edhe si kryetar i qeverisjes vendore edhe si kryetar i shoqatës që përfaqëson interesat e të gjitha njësive të qeverisjes vendore. Besnik Imeraj: Juve keni ardhur si pjesë e bashkisë apo e Shoqatës së Bashkive? Dhurata Çupi: Si shoqata e Bashkive të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat