Rama tërbon Vuçiqin, Kosova realitet i pakthyeshëm! Vuçiq, nuk nënshtrohemi

Shqipëria

Rama tërbon Vuçiqin, Kosova realitet i pakthyeshëm! Vuçiq, nuk nënshtrohemi

Më: 10 nëntor 2014 Në ora: 09:37

(E plotësuar) - Në vizitën në Serbi kryeminsitri shqiptar Edi Rama nuk ka nguruar të flasë shqip dhe të japë mesazhe të qarta dhe të drejtpërdrejta në “mbrojtje” të Pavarësisë se Kosovës. Kryeministri theksoi në Beograd se pavarësia e Kosovës është një realitet i pamohueshëm, që i ka shërbyer sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Ka mjaftuar kjo fjali e kryeministrit shqiptar për të tensionuar konferencën e përbashkët për shtyp me shefin e qeverisë serbe, i cili ka hequr kufjen, duke mos e dëgjuar më deklaratën e homologut të tij.

Kryeministri serb reagoi ashpër, duke e cilësuar si provokim deklaratën e Ramës për Kosovën. Duke përsëritur qëndrimin se Serbia do ta konsiderojë gjithnjë Kosovën si pjesë të sajën, Vuçiç tha se nuk do lejojë askënd që të ulë Serbinë në mes të Beogradit.

“Së pari nuk kam pritur një provokim dhe që do fliste për Kosovën. Nuk do ia lejoj askujt ta ulë Serbinë këtu në mes të Beogradit, më vjen keq që ka folur për tema që s’ishte parashikuar të flisnim. Kosova është pjesë e Serbisë. Është bukur të flasim hapur që t'i themi njëri tjetrit sy më sy se çfarë mendojmë”- tha Vuçiç.

Replikat mes dy kryeministrave zgjatën për disa minuta, ndërsa kryeministri Rama i qëndroi bindjes së tij, duke përsëritur edhe njëherë përpara homologut serb se çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj realitetit të Kosovës është i mirëpritur prej shqiptarëve.

Duke konfirmuar ftesën e tij për kryeministrin serb, që të vizitojë Shqipërinë gjatë vitit të ardhshëm, kryeministri Rama tha se shqiptarët nuk do të ndjehen të provokuar nëse ai do të flasë në Tiranë për qëndrimin serb ndaj Kosovës.

“Ju siguroj se në Tiranë nuk do ndjehemi të provokuar nëse do të keni përsëri të njëjtin qëndrim lidhur me Kosovën , por do të ndihemi të keqardhur sepse është një realitet që sa më shpejt ta njohim aq më shpejt mund të lëvizim përpara në të gjitha drejtimet dhe kuptimet. Por e përsëris që mikpritja jo vetëm do të jetë reciproke por ju siguroj se do të ndjeheni shumë mirë në Tiranë dhe asnjë fjalë thënë prej jush nuk do të konsiderohet provokim, pavarësisht se do të jetë tërësisht e ndryshme nga ato çfarë mund të prisnim nga një temë apo një tjetër. E kam ftuar kryeministrin serb të vizitojë Shqipërinë vitin e ardhshëm.”- deklaroi Rama.

Burime nga Beogradi bëjnë të ditur se debati mes dy kryeministrave për çështjen e Kosovës ka vijuar edhe në hollin e pallatit "Serbia", në mbyllje të konferencës. Kjo për faktin se sipas kryeministrit serb, ishte rënë dakord paraprakisht që Kosova nuk do të përmendej gjatë konferencës së përbashkët.

DRONI, VUCIC: I MIRËORGANIZUAR, RAMA: POLITIKA S’BËHET NË FUSHË FUTBOLLI
Në lidhje me hetimet e policisë serbe për dronin e ngritur në stadiumin “Partizan të Beogradit”, Vuçiç nuk ka dashur të komentojë. “Sa për temën nuk duam të flasim për të kaluarën por për të ardhmen. Droni ishte një ngjarje shumë mirë e organizuar, shumë ditë më parë ka pasur organizim. Ne e dënojmë këtë akt”, tha ai.

Ndërsa Rama, u shpreh se politika e shteteve kurrësesi nuk mund të bëhet në një fushë futbolli.
“Politika e shteteve nuk lind, nuk zhvillohet dhe diktohet në një fushë futbolli. Ajo që ndodhi është tregues i brishtësisë së jashtëzakonshme, i një marrëdhënie të re që ne kemi synimin ta vendosim. Qeveria e Shqipërisë dhe unë si kryeministër kemi vullnet të plotë ta jetësojmë përmes një përpjekje të përbashkët konkrete që njerëzit tanë serbët dhe shqiptarët, fëmijët tan, serbët dhe shqiptarët të marrin përfitimin e madh nga potenciali i një paqeje të arritur. Ne nuk jemi armiq të njëri-tjetrit, kemi armiq të përbashëkët, varfëria, borxhi publik e deficiti. Sfida jonë e përbashkët është që të bashkojmë forcat të flasim me një gjuhë, sic kemi ne nevojë për Europën, Europa ka nevojë për Ballkanin”.

Rama: Kosova, realitet i pamohueshëm, Vuçiç: Provokim, Serbinë se ul askush

Përmendja e Kosovës nga ana e kryeministrit Rama duket se e prishi "magjinë" e mesazheve për bashkëpunim e paqe që vinte direkt nga Beogradi. Deklarata e Ramës se Kosova e pavarur është tashmë një e vërtetë e pamohueshme, u cilësua si provokim nga kryeministri serb Vuçiç, i cili u hodh në mbrojte duke thënë: “Së pari nuk kam pritur një provokim dhe që do fliste për Kosovën. Nuk do ia lejoj askujt ta ulë Serbinë kërtu në mes të Beogradit, më vjen keq që ka folur për tema që s’ishte parashikuar të flisnim”.

RAMA: PRESHEVA TË SHËRBEJË SI URË, KOSOVA E PAVARUR REALITET I PAMOHUESHËM

Në një deklaratë më të gjatë se homologu i tij serb, kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të parë nga e ardhmja e përbashkët evropiane, duke nënvizuar se shqiptarët kanë kurajën, vizionin dhe besimin se bashkë me Serbinë duhet të ecin përpara drejt Bashkimit Europian. Shefi i qeverisë shqiptare nuk la asnjë temë pa prekur, duke përmendur edhe pavarësinë e Kosovës, për të cilën theksoi se tashmë është një realitet i pamohueshëm, i ligjëruar dhe që i ka shërbyer sigurisë së Ballkanit.

“Për Kosovën kemi dy qëndrime krejt të ndryshme. Por realiteti është një dhe i pandryshueshëm, Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm rajonal dhe evropian, ajo duhet respektuar. Njohja e Kosovës nga vendet evropiane që ende nuk e njohin atë është e rëndësishme. Pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të sigurtë. Çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj këtij realiteti është i mirëpritur prej nesh. Ne e çmojmë dhe promovojmë dialogun Kosovë-Serbi. Ky dialog është një sukses evropian.”- deklaroi Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi se shpreson që gjenerata e re që qeveris Serbinë do t’i respektojë shqiptarët e Luginës së Preshevës si një urë me rëndësi strategjike për lidhjen e fateve evropiane të dy vendeve.

Shefi i qeverisë shqiptare nënvizoi se shqiptarët kanë kurajën, besimin dhe vizionin për të shtrirë dorën e bashkëpunimit të sinqertë.

“Rastësia desh që një ditë pas kremtimit të 25 vjetorit të murit të Berlinit të ngrihet sot këtu në Beograd flamuri kombëtar i Shqipërisë dhe të nderojmë himnet e njëri-tjetrit për të parin takim mes dy kryeministrash pas 68 vitesh. Sa shumë varet sot e ardhmja jonë nga sa mundet të bëjmë së bashku në rrugën e bashkimit me Europën që veç e veç do të jetë shumë v vështirë për secilin prej nesh. Do të na duhet vizion, kurajo, besim i ndërsjellë, por sidoqoftë nuk do të jemi vetëm nëse nuk do të lejojmë që historia të ndikojë negativisht marrëdhëniet mes nesh dhe qëndrimin e Europës ndaj nesh. Ne Ballkani kemi nevojë për Europën e bashkuar, por edhe Europa ka po aq nevojë për ne. Vizioni i Europës së bashkuar na ka bashkuar më në fund të gjithëve në rrugën e paqes. Ne shqiptarët e kemi edhe këtë vizion dhe këtë kurajo. Ju shtrijmë dorën e një bashkëpunimi po aq të sinqertë saç është e sinqertë bindja jonë se fëmijët tanë nuk duhet të vuajnë prej së shkuarës. Të krijojmë së bashku kushte të reja të favorshme për zhvillimin ekonomive dhe shoqërive tona”- deklaroi Rama.

VUCIC: KA ARDHUR KOHA TE SHOHIM NGA E ARDHMJA
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka qënë i qartë gjatë deklaratës së tij në konferencën e përbashkët me homologun Edi Rama, kur tha se ka ardhur koha që dy vendet tona të shohin nga e ardhmja nga BE. Problemet tona tha Vuçiç mund të zgjidhen vetëm me komunikim.

“Është një lajm i rëndësishëm se pas kaq 68 vitesh takohen kryeminsitat e dy shteteve. Unë jam i bindur që problemet tona të përbashkëta mund të zgjidhen vetëm me komunikim. Kemi biseduar për të nënshkruar marrëveshje të tjera për shkëmbime, do punohet edhe në marrëveshjen ku qytetarët tanë do lëvizin vetëm me karta identiteti. Duam që komunitetet tona të jenë në nivelet më të larta, në kuadër të integrimit të vendeve tona në BE. Kemi biseduar për hekurudhën që do kalojë nga Beogradi Podgorica dhe Tiorana, një project që presim të marrim fonde nga BE”, tha Vuçiç.

Vizitën e Ramës ai e konsideroi një moment tejt të veçantë që hap një kapitull të ri marrëdhëniesh mes dy shteteve

“Sot edhe në Shqipëri edhe në Serbi është shumë e lehtë të ngrihen tensione shovisniste, sepse kjo sjell edhe pikë politke por unë kam zgjedhur të sjell mendime demokratike të mendoj për zhvillimin e Serbisë përsa i përket ekononmisë dhe intergrimit në BE. Kjo i takon prespektivës së re të rajonit, të mos shohë nga e shkuara por të shikojmë nga e ardhmja dhe një rrugë që na çon drejt BE”, tha Vuçiç.

Skandal diplomatik: Kryeministri përkulet para flamurit serb, mungon ai shqiptar

Gjatë vizitës zyratre të Kryeministrit Rama në Beograd u nënshkruan tre marrëveshje mes dy qeverive.
E para ka të bëjë me rënein dakord që qytetarët shqiptarë dhe serbë të udhëtojnë me karta identiteti. Marrëveshja e dytë ka të bëjë me bashkëpunimin mes doganave, dhe marrëveshja e tretë ka të bëjë me bashkëpunimin rinor.

***

Kryeministri shqiptar Edi Rama është pritur me nderime në Pallatin “Serbia”, ku ka nisur takimin me homologun e tij serb Vuçiç. Takimi i dy kryeministrave ka nisur rreth orës 11:00, ndërsa në pallatin kryeministror në Beograd është ngritur flamuri shqiptar përkrah atij serb.

Rama mbërrin në Serbi, pritet nga Daçiç në aeroportin e ‘blinduar’ të Beogradit

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe delegacioni që e shoqëron kanë mbërritur rreth orës 10:00 në aeroportin e Beogradit, i cili ishte blinduar nga forca të shumta policore dhe helikopterë që monitoronin nga ajri.

Kryeministri Rama u prit me ceremoni nderi në aeroport nga ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç.

Forca të shumta policore kishin rrethuar zonën, ndërsa kryeministri shqiptar shoqërohet nga 6 truproja shqiptare. Mësohet se në aeroport nuk është ngritur flamuri shqiptar, por valëvitej vetëm flamuri serb.

Ajo që të bie në sy është veshja e kryeministrit shqiptar, një kostum i zi dhe kollare të kuqe. Nërkaq, mediat nga Beogradi raportojnë për një interesim të madh për vizitën në fjalë, e cila do të ndiqet nga rreth 200 gazetarë.

***

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama niset nga aeroporti i Rinasit, për vizitën zyrtare 2-ditore në Serbi, ku sot do të pritet nga homologu serb Vuçiç. Ndërkohë është konfirmuar që në ditën e dytë të vizitës, pra të martën, kryeministri do të vizitojë edhe Preshevën.

Grupi i protokollit të shtetit ka mbërritur në Beograd paraditen e të premtes në një kohë kur mediat dhe opinioni publik serb janë të përfshirë plotësisht në çfarë pritet të ndodhë këto dy ditë, kur një kryeministër shqiptar do të zbresë në Beograd për herë të parë pas 68 vjetësh.

Sakaq ka të dhëna se Presidenti Nikoliç do të lëvizë jashtë Serbisë atë ditë për të mos i dhënë dorën Edi Ramës, në një kohë kur perceptimi i përgjithshëm është se Edi Rama po e sfidon Serbinë duke mos shprehur asnjë luhatje për ta bërë vizitën.

Burimet informojnë se autokolona e vogël shqiptare do të tejzgjatet me mjete policore dhe rruga drejt vendbanimeve shqiptare, do të ruhet nga mijëra trupa përfshire edhe ato ushtarake. Pala shqiptare nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim mbi atë se çfarë Edi Rama do t’u thotë shqiptarëve të Preshevës dhe duket se kjo vazhdon ta mbajë në pikëpyetje konfirmimin nga ana serbe të vizitës së kreut të ekzekutivit shqiptar në krahinën e banuar nga shqiptarët.

Mediat serbe i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë vizitës së tij në Preshevë, duke cituar ministrin e Jashtëm, Ivica Daçic, që tha se nuk është problemi tek vizita e Ramës në Preshevë, por tek mesazhi që ai do të përcjellë.

Axhenda

Në ditën e parë kreu i ekzekutivit shqiptar do të mbërrijë në aeroportin e Beogradit në orën 09:30. Kreu i qeverisë shqiptare, sipas axhendës, do të pritet në takim në orën 11:00 nga Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në pallatin e Federatës Serbia me të cilin do të bisedojë kokë më kokë, takim që do të pasohet nga ai i dy delegacioneve. Në axhendë bie në sy fakti se lista e takimeve është modifikuar në krahasim me axhendën e 22 tetorit, dhe është vendosur që Kryeministri Rama nuk do të takohet me Presidentin Tomislav Nikoliç, pasi ky i fundit nuk do të jetë në Serbi, duke shmangur në këtë mënyrë takimin me kreun e qeverisë shqiptare. Po ashtu në axhendë është hequr edhe takimi me kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Maja Gojkoviç.

“Delegacioni mbërrin në Pallatin Serbia. Kryeministri i Republikës së Serbisë i uron mirëseardhjen Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë. Së bashku asistojnë në luajtjen e himneve kombëtare dhe parakalojnë në revistë rojën e nderit”, thuhet në axhendën e takimeve. Më pas, në 30 minuta do të zhvillohet fillimisht takimi kokë më kokë Rama-Vuçiç e më pas takimi mes dy delegacioneve. Në orën 12:15 është parashikuar konferenca e përbashkët mes dy kryeministrave. Axhenda vazhdon me bashkëbisedim mes Kryeministrit Rama dhe dy ministrave, Bushati dhe Ahmetaj me gazetarët në hotel “Hyatt”.

Më pas delegacioni shqiptar do të marrë pjesë në Forumin për Etikë dhe Marrëdhënie ku do të diskutohet për “bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Serbisë”. Delegacioni shqiptar do ta mbyllë axhendën e takimeve, në 19:35, ku do të pritet nga kryebashkiaku i Beogradit. Ndërsa më datë 11 nëntor, delegacioni shqiptar do të niset për në Preshevë. Delegacioni shqiptar pritet të shoqërohet nga masa të forta sigurie, që sipas mediave serbe do të jenë më të shumta se në vizitën e fundit të Presidentit rus Vladimir Putin.

Ditën e dytë të vizitës, Edi Rama ia ka dedikuar qendrave shqiptare në Luginën e Preshevës. Mysafiri nga Tirana do të pritet me 2.000 policë në Beograd, kurse ne Preshevë me 200 policë. Sipas të njëjtave burime, ambasada shqiptare ka marrë një autobus privat me qira në Beograd ku do të transportohet delegacioni shqiptar me rreth pesëdhjetë veta së bashku me Ramën drejt Preshevës, ku në krye do të jetë një flamur shqiptar.

Pas takimit me krerët vendorë, zoti Rama do të mbajë një fjalim në sheshin qendror të Preshevës e më pas do të ecë në këmbë, ku do të takohet edhe me qytetarë. Ndërsa më pas do të vizitojë edhe maternitetin e financuar pjesërisht nga qeveria shqiptare. Më pas zoti Rama do të udhëtojë drejt Bujanovcit, qytetit tjetër të Luginës, ku takohet me zyrtarët lokalë, si dhe do të vizitojë edhe një shkollë të mesme.

Të hënën

11:00 Delegacioni mbërrin në Pallatin Serbia. Kryeministri i Republikës sëSerbisë i uron mirëseardhjen Kryeministrit te Republikës se Shqipërisë. Së bashku asistojnë në luajtjen e himneve kombëtarë dhe parakalojnë në revistë rojën e nderit.

11:10 Takim kokë më kokë midis dy Kryeministrave

11:30 Takim midis dy delegacioneve

12:15 Konferencë për shtyp e dy Kryeministrave

16:00 Bashkëbisedim me gazetaret

17:00 Panel i organizuar nga Dr. Dusan Janjic dhe Forum for Ethnic Relations me temë “Cooperation between Albania and Serbia” në prani të rretheve intelektuale, biznesmenëve, trupit diplomatik, parlamentarëve serbë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave.

19:35 Pritje nga Kryebashkiaku i Beogradit.

Të martën

Vizita në Preshevë

Konfirmohet vizita ne Presheve

“Kryeministri shqiptar Edi Rama pas vizitës së sotme në Beograd, mëngjesin e së martës do të udhëtojë për në Preshevë..” ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë” znj. Suzana Vasilevic shefe e kabinetit të qeverisë serbe. Me këtë konfirmim zyrtar për vizitën e kryeministrit Rama në Preshevë hiqen dilemat dhe shkrimet spekulative se Edi Rama nuk do të shkojë apo nuk do t’i lejohet të vizitoj qytetet shqiptare në Jugun e Serbisë, respektivisht në Preshevë dhe Bujanovc, në të cilat janë bërë përgatitjet e duhura për këtë vizitë të pritur prej kohësh. Sipas mediave, kryeministri shqiptar do të shpallet qytetar nderi i qyteti të Preshevës ose i Bujanocit. Ndërsa, çelësi i Preshevës është gati për Ramën, bën gjithashtu të ditur agjencia e lajmeve "Presheva jonë" referuar burimeve të komunës.

Presheva gati të presë Ramën

Presheva zgjohet me Edi Ramën…”Mirë se na vjen kryeministër”. Tashmë vizita e kryeministrit shqiptar në Serbi është konfirmuar nga të dy palët. Ndërkohë nuk do të mungojë vizita e Ramës në Preshevë. Në qytetin e shqiptarëve tashmë janë në përfundim e sipër përgatitjet për pritjen e kryeministrit të tyre, shkruan agjencia e lajmeve ‘Presheva Jonë”. Billboard-at ku vihet re fytyra e Ramës janë vendosur nga gjimnazi “Skenderbeu » e deri lart tek qendra, komuna e Preshevës në sheshin e deshmorve te UCPMB-së. “ I dëshirojmë mirëseardhjen kryemnistrit tone Edi Rama në Kosovën Lindore…” ka pohuar per agjencine Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit komunal të Bujanocit.

Vizita u shty pas ndeshjes

Vizita në Beograd ishte parashikuar në muajin Tetor, por pas ndeshjes së dhunshme të futbollit Serbi-Shqipëri, kjo vizitë u shty për në 10 Nëntor. Pala serbe akuzoi qeverinë shqiptare si joserioze me deklaratat që bëri mbi ndeshjen e futbollit dhe madje hodhi akuza se një prej organizuesve të dronit që u lëshua në stadiumin ‘Partizani” në Beograd kishte gisht vetë vëllai i kryeministrit Olsi Rama. Pavarësisht deklaratave të njëpasnjëshme nga Beogradi zyrtar, Rama u shpreh se do e kryejë vizitën e planifikuar në Serbi./bw/bs/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat