“Obelisku”, Rama: Shëmbëlltyrë e diktaturës

Shqipëria

“Obelisku”, Rama: Shëmbëlltyrë e diktaturës

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 14:23

“Është e mbushur Shqipëria me të tilla shëmbëlltyra hekuri e çimentoje që në fakt dhe fatkeqësisht, janë përqeshja më e madhe e të shkuarës në jetën e re të vendit tonë”. Kështu e ka cilësuar kryeministri i vendit monumentin “Obelisku i Demokracisë” që pak ditë më parë u shemb në qytetin e Kavajës, dhe solli reagime të forta në radhët e Partisë Demokratike.

Përmes një postimin në profilin e tij në Facebook, Rama thotë se ky monument nuk ishte gjë tjetër veçse një tallje për qytetarët e Kavajës, bërë nga politikanë të frymëzuar nga diktatura proletare.

“Ky vend nuk e meritonte këtë tallje të madhe prej dy dekadash që ia bën Enveri nga varri, përmes politikanësh dritëshkurtër të brumosur me frymën e diktaturës proletare dhe artizanësh mediokër të farkëtuar shtrembër në kudhrën e artit proletar. Por padyshim, talljen në fjalë e bën edhe më therëse serioziteti mahnitës i vendimmarrësve që janë angazhuar në mbjelljen e në kultivimin e këtyre shartesave qesharake ngjitur mbi piedestale e shkallare groteske”, shkruan Rama.

Më tej kreu i qeverisë, e krahason reaksionin e Partisë Demokratike, për shembjen e monumentit, me inkuizicionin dhe diktaturën, të cilat sipas Ramës janë të vetmet që “po na shfaqen këto ditë me revoltën e vetes së prekur, e nderit të prekur, e historisë së prekur, e me radhë e pjesëve të tjera të prekura, prej shkuljes së një gollogunge prej çimentoje në Kavajë”.

Ja reagimi i plotë i kryeministrit:

Nuk e di kush është shpikësi i zhanrit të përkujtimoreve buzë rrugëve, ku tragjikja dhe komikja bashkëjetojnë në një formë aq makabre. Por di që nuk ma kanë zënë sytë kund tjetër nëpër botë këtë lloj forme krijimtarie që lulëzoi në Shqipëri. E sa për mua, ata lapidarë të ndërtuar nga familjarët a shoqëria e të vdekurit a të vrarit në rrugë, janë forma më e sinqertë e dekompozimit të Realizmit Socialist në trajtën e përçudnuar të një “Realizmi Demokratik”. Të cilin e bartën, motivuan dhe financuan për vite të tëra si përçues aktivë të dhunës estetike, pushtetet qendrore e vendore të Shqipërisë përmes përpjekjes së tyre qesharake për t’iu kundërvënë heronjve të bronxtë të haxhiografisë së regjimit të vjetër me heronj të historisë së rishkruar sipas oreksit politik, apo me dëshmorë prej bronxi e pishtarë prej betoni të kohës që erdhi mbi piedestalet e zbrazur. Është e mbushur Shqipëria me të tilla shëmbëlltyra hekuri e çimentoje që në fakt dhe fatkeqësisht, janë përqeshja më e madhe e të shkuarës në jetën e re të vendit tonë. Ky vend nuk e meritonte këtë tallje të madhe prej dy dekadash që ia bën Enveri nga varri, përmes politikanësh dritëshkurtër të brumosur me frymën e diktaturës proletare dhe artizanësh mediokër të farkëtuar shtrembër në kudhrën e artit proletar.

Por padyshim, talljen në fjalë e bën edhe më therëse serioziteti mahnitës i vendimmarrësve që janë angazhuar në mbjelljen e në kultivimin e këtyre shartesave qesharake ngjitur mbi piedestale e shkallare groteske. Jo vetëm kujtojnë se kanë bërë gjënë e duhur duke ngulur larteposhtë kësisoj shpërfytyrimesh të çdo norme estetike apo qoftë edhe thjesht të çdo kriteri logjik, po me kurajon e atij që për argument ka vetëm injorancën e vet, na qenkan gati të shpërthejnë edhe në revoltë për të mbrojtur argumentin e tyre të vetëm. Sipas tyre të prekësh këto lloj ngrehinash monumentale na qenka jo mëkat, po krim. Madje këto ngrehina absurde nuk qenkan thjesht volume të kota monumentale që mund të shkulen vendit kur vendi duhet për një punë tjetër, po qenkan vetë historia! Qenkan shpirti dhe gjaku i popullit! Qenkan demokracia dhe partia! Qenkan ç'nuk qenkan përveçse reaksioni antiestetik që janë me siguri! Vetëm dy forca historike e histerike njoh unë që identifikonin shembëlltyrat artistike me vetveten dhe prekjen e një shëmbëlltyre druri a allçie e merrnin si prekjen e tyre, të nderit të tyre, të historisë së tyre e me radhë: Inkuizicionin dhe Diktaturën! Kjo që po na shfaqet këto ditë me revoltën e vetes së prekur, e nderit të prekur, e historisë së prekur e me radhë e pjesëve të tjera të prekura prej shkuljes së një gollogunge prej çimentoje në Kavajë, është një forcë e tretë, e panjohur më parë. Tamam si Realizmi i panjohur Demokratik që mori jetë nën hyqmin e saj, kur me vrullin e revolucionit antikomunist erdhi në pushtet këtu e njëzet e ca vjet më parë, dhe pastaj bëri kërdinë me revanshin e reaksionit antiestetik. Një forcë e rënë së fundmi nga vakti bashkë me liderin e saj historik, që ndryshe nga Inkuizicioni dhe Diktatura, argument të vetin nuk ka as Biblën as Manifestin, po Injorancën.

Duke parë partinë e lindur nga lëvizja studentore e vitit ’90, të katandisur në një tufë deputetësh mbi shkallaren e zbrazur të “obeliskut” të Kavajës, m'u kujtua një tufë sigurimsash të mbledhur tek shkallarja e zbrazët e monumentit të Enverit, fill pas rrëzimit të tij. Këta të sotmit me dy gishta ata të atëhershmit me grusht. Këta firmato e me televizor me ngjyra, ata prej teritali e në foto bardhezi. Por të dyja palët, sivëllezër të barkut të njëjtë të kulturës totalitare të ngritur në piedestalin e reaksionit antiestetik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat