Rama: Rilindja e Kavajës do të jetë e prekshme

Shqipëria

Rama: Rilindja e Kavajës do të jetë e prekshme

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 14:43

Kryeministri i vendit Edi Rama inspektoi sot punimet për rehabilitimin urban të qytetit të Kavajës, dhe premtoi se do të mbështesë çdo projekt që do të vijë nga ky qytet.

Kreu i qeverisë u shpreh se ndonëse për Kavajën është folur shumë, realiteti fliste për një qytet të braktisur, por që do të marrë fund së shpejti me projektet e bashkisë, në funksion të rigjallërimit urban dhe standardeve të jetesës.

“Askush nuk e kishte parafytyruar që Kavaja, e cila për 20 vjet rresht i besoi votën PD-së, të transformohej në kantier ndërtimi pa u mbushur viti i parë i qeverisjes socialiste. 11 mijë metër katrorë të qendrës së Kavajës, me plus 3200 m2 park dhe rruga 2.5 kilometër, e transformuar në një rrugë evropiane, ku standardet do të garantojnë jo vetëm vijueshmërinë e trafikut, por edhe ecjen e këmbësorëve dhe përdorimin e biçikletave janë vetëm fillimi i një investimi që do të vijojë intensivisht.

Unë dëshiroj që t’ju siguroj për mbështetjen e plotë të qeverisë për Kavajën. Nga një qytet i cili ishte i mbuluar nga plehrat, nga pisllëku, nga rrëmuja, u kthye në një qytet që në radhë të parë e filloi nga pastërtia dhe nga disiplina në qarkullim, nga respekti për këmbësorët, për të moshuarit, për fëmijët. Ju siguroj që për sa i përket projekteve, ne do të mbështesim çdo projekt që do të na vijë nga Bashkia e Kavajës”, tha kryeministri.

Rama tha se rilindja e qytetit të Kavajës do të jetë e dukshme pasi, qyteti do të ketë një transformim rrënjësor brenda katër viteve të mandatit të parë të qeverisjes:

“Jam i bindur që në pranverën e ardhshme, kur të jemi këtu për të parë përfundimin e këtyre punimeve, të gjithë do të jemi krenarë për Kavajën e rilindur, sepse rilindja e Kavajës do të jetë e prekshme dhe do të jetë e dukshme. E, Kavaja do të ngrejë kokën me krenari për të pritur të gjithë vizitorët, me një shesh të përmasave dhe të standardeve të urbanistikës evropiane dhe me këto rrugë hyrëse dhe dalëse që flasin më shumë se çdo fjalë për të ardhmen e një qyteti në transformim të vazhdueshëm. Unë ju siguroi se brenda 4 viteve të qeverisjes sonë në këtë mandat të parë, do të çojmë asfaltin në çdo rrugë dhe rrugicë të qytetit tuaj”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat