Grupi Parlamentar i PS-së pro shkarkimit të Fullanit

Shqipëria

Grupi Parlamentar i PS-së pro shkarkimit të Fullanit

Më: 17 shtator 2014 Në ora: 09:01

Shkarkimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe i inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi pritet të bëhet ditën e enjte në seancën plenare të radhës në Parlament. Ky është vendimi që u mor në mbledhjen e djeshme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Gjatë mbledhjes së PS-së të mbajtur me dyer të mbyllura, nga kryeministri Rama mësohet se përveç shkarkimit te Fullanit dhe inspektores Golemi është diskutuar edhe për dy çështje të tjera, ajo që lidhet me festimet për 70 vjetorin e çlirimit dhe vendosja e një koordinatori pranë çdo ministrie. Kryeministri Rama dhe kryetari i Grupit Parlamentar Ruçi, kanë kërkuar nga deputetët votën për shkarkimin e Fullanit. Ndërkohë që kryeministri Rama u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të tij që të mos mungojnë në seancën e ditës së enjte sepse ka një rëndësi specifike. Ndonëse që prej datës 6 shtator Ardian Fullani nuk është më guvernator i Bankës së Shqipërisë duke u zëvendësuar nga zëvendësguvernatorja e parë Elizabeta Gjoni, formalisht shkarkimi i tij, pritet të bëhet ditën e enjte. Shkarkimi i guvernatorit Fullani është parashikuar në rendin e ditës në seancën e ditës së enjte. Kushtetuta e përcakton qartë se shkarkimi i guvernatorit është e drejtë e Parlamentit ndaj mazhoranca vendosi që procesi i votimit të zhvillohet sa më shpejt, që në seancën e ditës së enjte, që në këtë mënyrë t’i hapet rruga fillimit të punës për zgjedhjen e njeriut të ri që do të drejtojë Bankën e Shqipërisë. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së që zgjati për më pak se gjysmë ore u vendos edhe për shkarkimin e kryeinspektores Elivar Golemi. Kërkesa për shkarkimin e Fullanit është miratuar më herët edhe në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë po ashtu edhe në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Shkarkimi i Fullanit ditën e enjte do të bëjë që të nisë puna për emërimin e Guvernatorit të ri. Emërimi i guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë bëhet nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me propozimin e Kryeministrit Rama. Për këtë shkak gjatë dy të dielave rresht presidenti Nishani ka pritur në zyrën e tij kryeministrin Rama.

Për sa i përket ideve për emërimin e një guvernatori të huaj ka qenë vetë presidenti Nishani që konfirmoi se postin e guvernatorit te BSH-së do e zërë një shqiptar. Shkarkimi i Fullanit është kërkuar nga Komisioni i Ekonomisë që më datën 11 shtator, ku kreu i këtij komisioni Erjon Braçe i kërkoi Parlamentit shkarkimin sa më të shpejtë të tij. Ardian Fullani u arrestua në datën 5 shtator me urdhër të prokurorisë së Tiranës me akuzën e shpërdorimit të detyrës për skandalin e vjedhjes së 713 milion lekëve nga Thesari i Shtetit. Vetëm dy ditë më parë Ardian Fullani doli përpara trupit gjykues të Gjykatës së Apelit, ku edhe mori vendimin për ndryshimin e masës së tij nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Me këtë qëndrim Gjykata e Apelit hodhi poshtë vendimin e marrë me datë 5 shtator nga Gjykata e Shkallë së parë e cila e dënoi me burg guvernatorin Fullani. Ndërkohë që Gjykata e Apelit vendosi ndryshimin e masës së arrestit nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për ish- kreun e Bankës së Shqipërisë dhe për 4 të arrestuarit e tjerë për skandalin e vjedhjes së thesarit, nuk ndodhi e njëjta gjë për inspektoren Golemi. Kryeinspektorja Elivar Golemi është personi i vetëm që mbeti pas hekurave, gjatë kësaj seance. Gjykata e Apelit hodhi poshtë argumentet e inspektores dhe vendosi për qëndrimin e saj në burg. Nga burime të grupit të PS-së mësohet se çështja për shkarkimin e Ardian Fullanit është vendosur në mënyrë unanime nga të gjithë pjesëtarët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ky fakt tregon se ditën e enjte nuk pritet të ketë “surpriza” gjatë votimit. Ndërkohë burime brenda radhëve të PS-së bënë me dije se kryeparlamentari Ruçi ka kërkuar nga deputetët socialistë që të zbresin në zonat përkatëse për t’u bërë pjesë e festimeve, për 70-vjetorin e çlirimit të vendit. Kësaj kërkese të kryeparlamentarit Ruçi i është bashkuar në heshtje edhe kryeministri Rama. Për sa i përket vendosjes së koordinatorëve në çdo ministri bëhet me dije së tashmë ka nisur puna dhe se qëllimi i vendosjes së koordinatorëve është që të përforcojë lidhjet mes ministrave dhe deputetëve. Një koordinator të tillë do të ketë edhe Kryeministri Rama.

Braçe: Të enjten shkarkojmë Fullanin dhe Golemin

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” shkruan se ditën e enjte Kuvendi i Shqipërisë do të shkarkojë Ardian Fullanin dhe Elivar Golemin nga postet e guvernatorit dhe inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë. “Të enjten në kuvend, i shkarkojmë të dy. Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë! Të paktën në bankë nuk do jenë më pas vjedhjes historike të ndodhur atje!”, - shkruan Braçe në rrjetin social. Më herët numri dy i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka kritikuar vendimin e Gjykatës së Apelit për lirimin e Fullanit duke shtuar madje se korrupsioni shkatërroi përfundimisht dhe hetimin. “Kush ka shokë me pushtet politik, mediatik, ekonomik, kush ka pjesë në Gjykatën e Lartë, në fund-kush ka para pa hesap, del nga burgu! Kush është i lidhur me të, del nga burgu! Të tjerët jo! Ky është pushteti real në këtë vend! Më e keqja është se hetimi u shkatërrua përfundimisht, jo për shkak të Prokurorit! Pabarazia e vendimit të sotëm është e qëllimshme po e po, por mbi të gjitha synon: të shkatërrojë hetimin; të dekurajojë të gjithë ata që dinë dhe bashkëpunonin për të zbardhur mekanizmin e vjedhjes”, - shkruante ai.

Komentet pas lirimit të Fullanit, Rama: Nuk jam as prokuror dhe as gjykatës

Kryeministri Edi Rama iu pergjigjet kritikave te qytetareve pas vendimit te Gjykates se Apelit per lirimin e Ardian Fullanit nga burgu duke e lene ne arrest shtepie. Permes nje komenti ne rrjetin social “Facebook”, ai shkruan se nuk eshte prokuror apo gjykates. ““Fjalet mbrapsht!”, thoshim kur ishim femije e gjendeshim nen rrebesh fjalori vulgar, sepse na kishin thene se keshtu laheshim pa u bere pis… M’u kujtua kjo arme feminore e asaj kohe te larget mbreme vone tek lexoja dufzbrazjet ne adresen time ketu. Disa prej te revoltuarve nga nje vendim gjykate ishin leshuar tek kjo dritare me c’u vinte ne goje kunder qeverise dhe meje vete. Do te doja te beja nje shenim shterues per ta sot, duke e nisur nga kujtesa elementare se adresa e ketushme s’eshte adrese gjykate. Une s’jam as prokuror e as gjykates. As jam zotuar apo kam menduar ndonjehere se mund te behem kryeprokuror apo kryegjykates duke u bere kryeminister. Koha kur Keshilli i Ministrave apo Kuvendi i Shqiperise ishin trupa prokurorie e gjykatash popullore, ka vdekur, lavdi Zotit, bashke me diktaturen e proletariatit”, - pergjigjet Rama nepermjet rrjetit social “Facebook”. Ai shton se askush nuk mund te mendoje se ilaci per te sheruar drejtesine e rrenuar nga kanceri i korrupsionit, sic e cileson ai, eshte qe kryeministri te behet kryeprokuror dhe qeveria te behet gjykate speciale. “Kaq ne parim, sepse lidhur me rastin konkret te dites se djeshme, do te duhej nje shtjellim i gjate per te gjithe ata qe s’kuptojne se si, mund te nxirren syte duke vene vetullat kur qeveria e shumica parlamentare ngaterrojne reformen ne drejtesi, detyre e pushtetit te tyre kushtetues, me hetime e gjykime veprash penale, detyre e pushtetit te pavarur gjyqesor. Por nuk dua t’u marr kohe as puneve te njepasnjeshme dites qe vazhdon, e as atyre qe fatmiresisht jane shumica dhe sado te merzitur a te revoltuar qofshin, dine ta bejne kollaj dallimin mes qeverise, prokurorise, gjykates”, - perfundon Rama duke paralajmeruar shpjegim me te gjate dhe ne nje interviste televizive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat