PD: Dyshja Rama-Meta, emërojnë drejtoresha monstër në administratë

Shqipëria

PD: Dyshja Rama-Meta, emërojnë drejtoresha monstër në administratë

Më: 1 shtator 2014 Në ora: 13:10

Partia Demokratike ka akuzuar sërish sot kryeministrin Edi Rama për emërimet në administratë. Kësaj radhe objekt sulmi është bërë drejtoresha e re e ISSH-së, e cila sipas PD-së ka shkaktuar vrasjen e një punonjëse pak muaj më parë.

Në një deklaratë për shtypin, deputetja Eleina Qirici deklaroi se dyshja Rama-Meta kanë blerë zgjedhjet në Korçë. Ajo denoncoi promovimin në kryesinë e PS-së në Korçë, të drejtoreshës së ISSH Ana Verushin, që sipas PD-së është përgjegjëse për vetëvrasjen e një punonjëse pak muaj më parë.

“Opinion publik u trondit pak muaj më parë kur një specialiste e ISSH në Korçë vrau veten për shkak se drejtuesja e institucionit e transferoi larg duke pasur si synim largimin nga puna të së ndjerës, e cila punonte prej më shumë se 10 vitesh në institucion. Por dyshja Rama-Meta, pasi bleu me paratë e pista të krimit dhe korrupsionit zgjedhjet vendore në Korçë, pasi amnistoi në Kuvend me dhunën e kartonëve këtë krim elektoral, pasi kërcënoi me të gjitha format të zgjedhurit demokrat, vendosi para dy ditësh të promovojë për në kryesinë e Qarkut të Korçës Ana Verushin, drejtoreshën monstër që shkaktoi vetëvrasjen e punonjëses së saj”, tha Qirici.

Duke akuzuar kryeministrin për inkriminimin e administratës, Qirici deklaroi se modeli i zgjedhur nga dyshja Rama Meta, po e mban pushtetin me çdo mjet arbitrariteti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat