Ndërtimet te diga e liqenit, priten më shumë se 50 pemë

Shqipëria

Ndërtimet te diga e liqenit, priten më shumë se 50 pemë

Më: 23 gusht 2014 Në ora: 08:29

Zona ku do të ndërtohen objektet prej 17-katesh, për të cilin Bashkia e Tiranës ka dhënë lejen, është një hapësirë e mbushur me pemë pishe dhe plepi. Mbi 50 drurë parashikohen të priten duke shkaktuar kështu një cenim të kurorës së gjelbër të këtij parku. Dikur në zonën e parashikuar për ndërtim, ka qenë një barakë e vogël dhe një lavazh, ndërsa tani ato janë prishur. Në hyrje të kësaj hapësirë është vendosur një tabelë, që njofton nisjen e punimeve në këtë zonë si dhe prezanton projektin. Tre punëtorë të veshur me jelekë fosforeshentë gjatë ditës së djeshme po bënin rrethimin e zonës ku do të nisë ndërtimi. Megjithëse ishte mesditë dhe temperaturat ishin mjaft të larta ata vazhdonin me llamarinat. Kur ne iu afruam për të mësuar më shumë detaje ata u përgjigjën: “Ne nuk dimë gjë. Na thanë ta rrethojmë dhe ne po e bëjmë. E rëndësishme për ne është të marrim ditën e punës dhe nuk na interesojnë të tjerat”. Në deklaratën e djeshme bashkia përsëriti se, projekti aktual nuk prek asnjë centimetër të parkut të Liqenit, por ruan kompleksin e pishinave dhe kompleksin sportiv si dhe kthen 20 mijë metra katrorë nga pronë private në hapësira publike, në përputhje me rregullat e planit urban të Tiranës. Nga vëzhgimi në terren nuk rezultonte kështu. Zona që është destinuar për t’u shndërruar në një shesh ndërtimi në Veri është e kufizuar me një park lodrash dhe me një lokal përdhes; në Jug një rrugë; në Lindje nga diga e liqenit dhe në Perëndim nga një hapësirë e mbushur me pemë.

Aty ku do të ndërtohet objektet prej 17 – katesh është një grup pishash, ndërsa afër rrugës është një rresht plepash. Të gjitha këto pemë do të priten nëse kjo godinë do të ndërtohet. Ardhja e mjeteve të rënda si edhe rrethimi i zonës me llamarina ka shqetësuar shumë edhe banorët e zonës. Vitori Sevo dhe Liri Stefani janë dy zonja që banojnë në afërsi të këtij pylli të vogël që tani do të zhduket dhe do të shndërrohet në një masiv betoni shumëkatësh. “Nuk jemi dakord që kjo ndërtesë të ngrihet këtu. Këto pemë kanë dashur vite që të rriten kaq dhe është mëkat t’i presësh. Po na dëmtojnë mushkërinë e qytetit. Ne kemi pasur ankesa kundrejt bashkisë pasi këtë zonë nuk e pastronte dhe shpesh këtu grumbulloheshin mbetje. Kur morëm vesh se bashkia do të ndërtonte këtu u mërzitëm shumë. Është turp të bëhet kjo! Për këtë liqen dhe këto pemë në Tiranë vijnë dhe të huajt, ndërsa ne që i kemi nuk i vlerësojmë”, u shprehën me shqetësim zonjat për gazetën “Shekulli”. Ato e njihnin edhe familjen që është pronare e kësaj toke dhe u shprehën se megjithëse ata kishin vështirësi ekonomike dhe shlyenin një kredi çdo muaj patën respekt për pemët dhe nuk i dëmtuan për të ngritur ndonjë biznes shumëkatësh. Ngritjen e këtij objekti ato e shohin si një shëmtim të këtij parku pasi ky shesh ndërtimi është përballë liqenit dhe asaj shëtitoreje që ato e frekuentojnë çdo pasdite.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat