Basha: Rama-Meta, po i largohen çdo ditë votës së 23 qershorit

Shqipëria

Basha: Rama-Meta, po i largohen çdo ditë votës së 23 qershorit

Më: 1 gusht 2014 Në ora: 13:01


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë pjesë në kuvendin zgjedhor në degët nr. 1, 2 dhe 11, të kryeqytetit.
Kryetari Basha ka thënë se atë që Partia Demokratike, e ka denoncuar që në nisje të qeverisjes së kësaj mazhorance, mashtrimin me premtimet elektorale dhe promovimin e krimit, sot po e fakton çdo shqiptar. Zhdukja e dëshmitarit të vrasjes së komisar Dritan Lamajt është dëshmia me rrënqethëse e kapjes së shtetit nga krimi dhe mafia

“Shqiptarët po vetëdijësohen se jo vetëm që nuk do i mbajnë premtimet këta dy zullumqarë por gjithnjë e më shumë po i largohen e do i largohen përfaqësimit të votës së 23 qershorit, pse atë votë e kanë marrë edhe me ndihmën e krimit e të mafies e cila sot kërkon haraçin, sot është në Parlament e ka guxim të kërcënojë edhe opozitën. Pse s’i kaluan ligjet të enjten? Sepse disa prej tyre s’kishin kohë të ishin në Kuvend, se po hanin tortën në ditëlindjen e Frrokut. Torta u vonua. Cila ishte torta që u vonua? Zhdukja e dëshmitarit nga drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve është një skenar rrënqethës që të kujton mafien më të zezë”, ka thënë Basha.

Gjithashtu, Basha ka thënë se Partia Demokratike do t’i përgjigjet këtij realiteti të rëndë dhe ogurzi me njerëzit më të mirë të zgjedhur për të drejtuar PD, përmes votës së lirë dhe me besimin që kjo forcë politike po zgjon tek çdo qytetar anembanë vendit

“Kësaj rruge që i jemi futur do i dalim në krye vetëm duke konsoliduar votën e lirë dhe përgjegjësinë e çdo anëtari dhe nga ana tjetër respektimin e kontributit dhe meritave të gjithsecilit prej nesh përmes vlerësimit nga anëtarësia. Në këtë mënyrë, do nisim një praktikë të re, të hapur e transparente, ku asnjë kontribut të mos nëpërkëmbet dhe askush të mos marrë më pak apo më shumë se ç’meriton”, ka thënë Basha. A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat