Parlamenti diskuton për Reformën Territoriale

Shqipëria

Parlamenti diskuton për Reformën Territoriale

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 15:47

Parlamenti i Shqipërisë, në seancën e fundit për këtë sesion legjislativ, po diskuton disa projektligje, ku më i rëndësishmi është ai për Reformën Territoriale.

Ky projektligj, kërkon shumicën prej 84 votash, ndaj ka një vëmendje të veçantë, pasi dy deputetë nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut,

kanë deklaruar votën e tyre kundër.

Pakënaqësi kanë shprehur edhe disa deputetë të mazhorancës.

Opozita, siç pati paralajmëruar, nuk është e pranishme në seancë, por në momentin e votimit të Reformës Territoriale pritet që në sallë të jenë 5 deputetët e Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet, partia që mbron interesat e popullsisë çame, e cila është pro variantit të propozuar nga Qeveria e Shqipërisë.

Reforma territorial kaloi mes debatesh të ashpra, në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo - Territoriale më 23 korrik.

Opozita e bojkotoi këtë komision, por nga Grupi Parlamentar i saj votoi kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili mori pjesë në komision pa konsensusin e Grupit Parlamentar opozitar.

Varianti përfundimtar e ndan vendin në 61 njësi të qeverisjes vendore, nga 373 që ka aktualisht.

Ky propozim u kundërshtua nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) dhe organizata “OMONIA”, të cilat kundërshtojnë bashkimin e Bashkisë së Himarës me komunat e Vranishtit dhe Lukovës. Sipas tyre kjo reformë cenon minoritetin grek.

Reagime ka pasur edhe nga Shoqata e Komunave të Shqipërisë, e cila ka vlerësuar se varianti më i arsyeshëm do të ishte një ndarje me një numër nga 80 deri në 100 njësi vendore.

Në komuna të ndryshme të Shqipërisë, si në Farkë, Petrelë, Orikum, Leskovik, apo edhe në qarqet e Fierit, Kukësit e Vlorës, ka pasur protesta e reagime ndaj Reformës Territoriale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat