Tirana feston Fiter Bajramin

Shqipëria

Tirana feston Fiter Bajramin

Më: 28 korrik 2014 Në ora: 09:46

Pas 30 ditëve agjërim, myslimanët e Shqipërisë dhe të mbarë botës, festojnë sot Fiter Bajramin. Namazi i Bajramit u fal sot në orën 06:23 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin para ish-hotel “Dajtit”.

Në ditën e Fiter Bajramit, besimtarët myslimanë i kanë bërë apel qeverisë për ndërtimin e xhamisë së madhe. Këtij apeli i është bashkuar edhe Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili duke iu drejtuar kryeministrit Rama, ka kërkuar që qeveria të marrë parasysh kërkesat e tyre. Sipas Gurrës, besimtarët myslimanë duan të kenë një vend ku të falen.
Gjithashtu edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, uroi besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët.

“Bajrami është simbol i paqes, i gëzimit, i qetësisë shpirtërore, moment i lartësimit të Allahut dhe koha e shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit, që është edhe qëllimi final për çdo besimtar. Festa e Bajramit është lehtësim i shpirtit, është kënaqësia e brendshme që buron prej shpresës së përmbushjes së adhurimit dhe përfitimit të faljes prej Allahut, Mëshiruesit Fuqiplotë”, tha Bruçaj. Kreu i KMSH-së theksoi se Bajrami është dita e lehtësimit të brengave, është dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, është dita e një jete të re, e pendesës për gabimet dhe e projekteve të veprave të mira, duke shprehur dhe një urim për paqe në Gaza, Irak dhe Siri, transmeton shekulli.

“Duke përfituar nga përkujdesja e veçantë hyjnore, që Zoti i madh ka ndaj nesh në ditët e Bajramit, unë i lutem Atij dhe ju ftoj edhe ju t’i lutemi së bashku për më shumë paqe, gëzim e harmoni, për shuarjen e luftërave dhe konflikteve anë e mbanë globit, i lutem Zotit Fuqiplotë që të sjellë paqen në Gaza, Irak, Siri e kudo nëpër bote ku shkelen parimet hyjnore dhe te drejtat themelore te njeriut”, u shpreh Bruçaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat