Rama në 300 ditët e punës së Ministrisë së Brendshme

Shqipëria

Rama në 300 ditët e punës së Ministrisë së Brendshme

Më: 23 korrik 2014 Në ora: 16:57

Në analizën e 300 ditëve të punës së Ministrisë së Brendshme, Kryeministri Rama theksoi nevojën për të ngritur një Universitet të Sigurisë në vend, që duhet të merret me edukimin e punonjësve të rendit.

“Nuk duam të bëjmë polici plepash dhe të presim në hijen e plepave. Çfarë drejtësie do të presim ne nga gjykata e plepave dhe nga një polici plepash, duhet të ndërtojmë Universitetin e Sigurisë, shkollën e lartë të Policisë së Shtetit me të gjitha standardet. Në mënyrë që të mos kemi më policë që nuk dinë të flasin shqip, që të dinë t'i drejtohen qytetarit që ndalojnë në rrugë”, u shpreh Kryeministri Rama.

Akademia e Arteve, ku u mblodhën për 300 ditëshin e Ministrisë së Brendshme, e frymëzoi për të shfaqur disa videoklipe. Janë xhirime që duhet t’i shërbejnë policisë në punën e saj, por që Saimir Tahiri i bëri pjesë të propagandës së tij, si rezultate të luftës ndaj korrupsionit.
Por videon që shfaq policin që ia mbadh vrapit ndërsa pak metra më tutje ekzekutorët i marin jetën Artan Santos, sigurisht që nuk e treguan. Vrasjen e bankierit të njohur, një ndër më të bujshmet në të gjithë historinë postkomuniste të vendit, nuk e përmendi as ministri Tahiri dhe as shefi i tij. Të dy folën gjatë për gjobat e policisë rrugore, duke harruar se vetëm një ditë përpara bilancit të tyre me regji qendrore, bilanci i vrasjeve u rëndua me 6 viktima të tjera. Dikur fliste me shifra por tani që treguesit janë përkeqësuar, nuk i pëlqen më.
Tha se nuk ndërhyn te policët por sms-ja në adresë të Tahirit tregon se pakënaqësinë ia shpreh direkt ministrit. Gjithsesi, në publik, nga rezultatet e arritura shprehet i kënaqur.
I pasigurtë në argumentat që sjell, flet gjatë për të mbushur mendjen. Kur realiteti e vë në pozitë të vështirë me propagandën, e mbulojnë djerët.
Më parë Kryeministri kishte deklaruar se rendi dhe siguria do të vendoseshin kur të ndalin vrasjet për hakmarrje dhe larje hesapesh, të cilat ende vazhdojnë. Numri i aksidenteve në rrugë është rritur, ashtu siç janë përkeqësuar të gjithë treguesit e kriminalitetit.
Sipas Kryeministrit, nuk ka më të fortë, por opozita e akuzon se të fortët i ka futur në parlament. Në vështirësi e kanë vendosur edhe deputetët e tij, që bashkë me aleatët e LSI kanë kritikuar ashpër projektligjin me të cilin kërkon të rimëkëmbë Policinë e Shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat