Rama: Policia jonë, më e keqarsimuara në Rajon

Shqipëria

Rama: Policia jonë, më e keqarsimuara në Rajon

Më: 18 korrik 2014 Në ora: 16:50

Kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri kanë marrë pjesë në ceremoninë e çeljes së sezonit të ri të Akademisë së Policisë, ku këtë vit janë regjistruar 500 djem dhe vajza, pas një testimi të kryer javë më parë.

Në fjalën e tij drejtuar studentëve të rinj kryeministri Rama, u ndal në përpjekjet që po bën Qeveria për ta transformuar Policinë e Shtetit, në një imazh më pozitiv, duke lënë pas mendësitë e vjetra të mungesës së arsimimit dhe përgatitjes së duhur.

“Transformimi fillon me ju sot, në këtë oborr, një polici më e re në moshë, më e arsimuar, e mirëpaguar dhe me një barazi gjinore si asnjëherë më parë,” tha kryeministri Rama mes të tjerash.

“Transformimi i Policisë së Shtetit fillon nga ky oborr, nga këto godina nga pedagogët që ju presin ju sot, për të vazhduar punën fisnike. Ligji i ri për Policinë e Shtetit përbën një hap të rëndësishëm para, për të pasur një polici me karrierë të sigurt, që garantohet përmes meritës; profesionalizmit dhe integritetit moral. Pavarësisht se një vit i vështirë financiar, me një mal borxhesh në kurriz, ne i rritëm pagat e Policisë së Shtetit me 25 %, dhe për disa prej tyre pagat u dyfishuan. Ne do bëjmë shumë më tepër në vijim sepse falë jush po rrisim dy cilësi kryesore pa të cilat nuk ka perspektivë Policia e Shtetit; e para po ulim moshën, për një Polici më te re, e dyta po rrisim mesataren e të arsimuarve në Policinë e Shtetit, pasi këto për ne janë dy cilësitë më të ulëtat në Rajon dhe në Europë, të cilave do ti japim fund”, tha kryeministri Rama në fjalën e tij përpara studentëve.

Më tej Rama kërkoi nga studentët që të mësojnë të respektojnë dhe të njohin sakrificën që kanë bërë shumë të tjerë para tyre, duke rrezikuar edhe jetën në të mirë të atdheut, por ta kuptojnë edhe faktin që lufta kundër krimit nuk mbaron asnjëherë.

Kryeministri përmendi këtu aksionin e fundit të zhvilluar në Lazarat, ku Policia e Shtetit siç u shpreh ai i ndryshoi imazhin Shqipërisë, duke zhdukur rrënjët e ‘Republikës së Drogës’ në Lazarat.

“Në Policinë e Shtetit ka plot burra dhe gra që meritojnë respektin dhe mirënjohjen tuaj, janë për ju një burim nxitje, përndryshe Policia e Shtetit nuk do ja kishte dalë që të shkulte farën e keqe që për vite të tëra kishte dëmtuar pamjen e Shqipërisë ndërkombëtarisht, “Republikën e Drogës” në Lazarat. Lufta për të kthyer rendin ligjor duke luftuar krimin, është një luftë që nuk mbaron as shpejt dhe as ndonjëherë, por ja vlen të bëhet çdo ditë, dhe çdo hap në këtë luftë nuk duhet ta harrojmë se është një hap për ta pasur më të mbrojtur dhe më të sigurt vendin tonë, popullin tonë, dhe familjen tonë”, tha më tej Rama.

Ndërsa ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri iu drejtua studentëve me fjalët se: lufta kundër krimit kërkon jo vetëm forcën e muskujve por edhe forcën e mendjes, ndaj dhe Qeveria ka hartuar kurrikula të reja moderne edhe për Akademinë e Policisë.

Ai shtoi gjithashtu se në ligjin e ri janë forcuar rregullat dhe kriteret e rekrutimit të policëve të rinj, dhe nuk do të ketë më emërime politike apo miqësie.

“Të punosh në Policinë e Shtetit nuk është një punë si çdo punë, por ju duhet të kuptoni që të punosh këtu duhet shpirt misionari për të luftuar të gjithë bashkë të keqen që kërcënon vendin. Në ligjin e ri kemi forcuar rregullat e rekrutimit, pasi nuk mund të dalësh e të hysh sipas qejfit në Policinë e Shtetit. Është e papranueshme që të kemi një nivel të ulët arsimor të Policisë së Shtetit, ndaj kemi hartuar këtë Akademi me kurrikula moderne. Lufta kundër krimit kërkon edhe forcën e mendjes përveç asaj të muskujve, ndaj duhet të studioni për të bërë diferencën. Por lufta kundër krimit nuk mund të bëhet edhe pa stërvitjen fizike, ka shumë policë që si lë shëndoshja e dhjami për të parë këpucët. Ne duam modelin e një njeriu të rregullt e të aftë në radhët e Policisë. Harrojini partitë, miqtë e çdo mënyrë tjetër për tu futur në radhët e Policisë së Shtetit pasi nuk do ketë më të tilla”, tha ministri Tahiri.

Këtë vit në Akademinë e Policisë në Tiranë nisin studimet 500 vajza dhe djem, ndërkohë që në janar do të bëhen rekrutime të reja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat