Hetimi i pasurisë, opozita kundër ndryshimeve në ligj

Shqipëria

Hetimi i pasurisë, opozita kundër ndryshimeve në ligj

Më: 25 prill 2014 Në ora: 07:57

Kuvendi miratoi vetëm me votat e mazhorancës ndryshimet në dy ligjet bazë të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Pro ndryshimeve në ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar” ” votuan 76 deputetë, 1 abstenoi dhe 7 votuan kundër. Ndërsa për ndryshimet në ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive,të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” votuan pro 75 deputetë ndërsa kundër 15. Vendimi erdhi pas debateve të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës e cila ndryshoi strategji duke mos u larguar nga seanca por u bë pjesë e debatit dhe votimit. Demokratët akuzuan qeverinë se po i merr kompetencat Presidentit për emërimin e kreut të ILDKPKI-së ndërsa mazhoranca argumentoi se Kreu i Shtetit nuk e ka pasur asnjëherë me Kushtetutë një kompetencë të tillë. Por për ish-kryeministrin Sali Berisha kjo kompetencë është në frymën e ndarjes së pushteteve. Sipas kreut të deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi ndërsa kujtoi votën kundër të Berishës në vitin 2003 për ngritjen e ILDKP-së, theksoi se Presidentit nuk i hiqet asnjë kompetencë. Gjatë orëve të gjata të debatit nuk munguan as përplasjet dhe replikat mes ligjvënësve.

Debatet

“Përgëzime zoti Berisha, se po përgjërohesh për një dokument, që nuk e ke votuar, për një dokument që e ke quajtur 'leckë'. Nuk shkelet, nuk hiqet asnjë kompetencë e Presidentit, që ia ka dhënë Kushtetuta. Përgëzime për herë të dytë, zoti Berisha, se ju mbroni një ligj të vitit 2003, të cilin nuk e keni votuar këtu në Parlament, e keni kundërshtuar në vitin 2003”, tha kryetari i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi. Por Berisha duke përdorur një deklaratë të kryeinspektorit Shkëlqim Ganaj deklaroi se zyrtarët kanë fshehur 60 milionë euro nën jastëk. “Mos përdorni këtë platformë për t'u hedhur hi syve, qytetarëve. Doni ta merrni noterin e pasurive tuaja që zgjodhi njerëz, jo me pupla, por me flatra kartmonedhash. Keni 60 milionë euro nën dyshek dhe nën jastëk. Nuk kisha dëgjuar kurrë. Unë u thosha disa eksponentëve të mazhorancës tuaj sepse bëjnë banjo në vaska floriri, kjo e tejkalon 10 herë vaskën e floririt”, tha Berisha. Në kundërpërgjigje të këtij argumenti të Berishës, kreu i ligjvënësve socialistë tha se arsyeja e vetme e kundërshtimit është frika nga hetimi. “Meqë i drejtohesh mazhorancës duke thënë që fle në dyshek me para, atëherë shtrohet pyetja se ku fle lepuri? Lepuri fle, se ti ke frikë, bashkë me përfaqësuesit e tu, që ky institucion, i cili ka filluar të lëvizë nga vendi, që në muajin e parë, kur ky institucion ka dy vjet që nuk ka kryer asnjë veprim”, - tha Ruçi. Ndërsa socialisti Pandeli Majko vlerësoi ndryshimet në ligjin nr. 9367, datë 7.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar” ” dhe një ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive,të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” të ndryshuar” ” në mënyrë të veçantë kufizimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të përfshihen të tendera publikë. “Ndryshimet që keni sjellë kanë të bëjnë sidomos në marrëdhënie me gjyqësorin. Një politikan i keq, një politikan i korruptuar mund të bëjë dëme, por nuk mund të bëjë aq dëme sa mund të bëjë një gjyqtar i keq apo një gjyqtar i korruptuar. Nuk mund të bëjë aq dëme, sa mund të bëjë një prokuror i keq, apo një prokuror i korruptuar”, - tha Majko. Por për ish-kryeparlamentaren Jozefina Topalli mazhoranca nuk mendon për njerëzit e thjeshtë. “A mendoni një sekondë, për ata qytetarë të thjeshtë, për ato nëna që nuk kanë bukë, që nuk kanë punë? I thoni dot një politikani që nuk ka më lidhje me ish-kryeministrin, një politikani të sotshëm, që dihet për pasuritë e tij përrallore, që nuk i deklaron këto pasuri përrallore, që organizon darka faraonike, yll apo diell? A jemi në vete ne?”,- tha Topalli.

Ndërkohë që Berisha dhe Topalli kanë krahasuar situatën në Shqipëri me atë që po ndodh sot në Ukrainë. Berisha akuzoi mazhorancën qeverisëse se me veprimet e saj po çon vendin në destabilitet. “Ju po na mbyllni çdo hapësirë, ju mund të vijoni në këtë rrugë, por edhe ne nuk do të rrimë. Ndaj ftoj çdo qytetar dhe qytetare për tu ngritur fuqishëm, bashkë me ne, kundër kësaj që po ndodh në këto 8 muaj. Mos kujtoni ju se Janukoviç në Ukrainë bëri më shumë se ju”, - u shpreh Berisha. Të njëjtën gjë tha edhe Topalli, e cila gjithashtu krahasoi pushtetin aktual me atë të Enver Hoxhës. Ish-kryetarja e Kuvendit tha se, “Enveri mori të gjitha pushtetet brenda dy vjetëve, ndërsa ju po i merrni brenda 8 muajsh”. Topalli kërkoi që qeveria të mos marrë kompetenca jashtë Kushtetutës pasi “revolucioni më pas nuk do të kursej asnjë”.

Subashi: Të gjejmë rrënjët e pasurive të zyrtarëve

Duhet të mbështesim hetimin e pasurisë së çdo politikani dhe të dikujt që ka shtëpi në Holandë. Kështu pohoi dje deputeti i Partisë Socialiste, Armando Subashi i cili edhe pse nuk përmendi emër citoi pasuritë e deklaruar nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë për vitin 2005. “Jam dakord me zonjën Topalli që të kërkojmë rrënjët e pasurisë së çdo zyrtari. Po, jam dakord të hetojmë, shtëpi në Holandë, 500 mijë gulden; apartament në Tiranë; apartament tjetër në Tiranë; apartament në Durrës; automjet Mercedes Benz; pikturë me vlerë 6500 euro; orë dore 5200 euro; orë dore tjetër; unazë diamanti 11 mijë euro; serviz pjatash kineze 6800 euro; aksione në burse 18 mijë euro”- renditi Subashi. Sërish pa përmendur emër, ai u bëri thirrje deputetëve të hetojnë këtë pasuri. “Është deklarata e bërë në 2005-ën e një 31-vjeçari. Bini dakord t’i gjejmë rrënjët kësaj pasurie zonja Topalli. Ta gjejmë si është vënë kjo pasuri pa asnjë ditë punë”, - theksoi ai. Subashi shtoi se opozita nuk po mbron kompetencat e Presidentit por po i ruhet hetimit. “Kjo është ILKDP-ja që ju dhemb e ju djeg, se keni mizën nën kësulë, se Presidentin kur s’e doni, ju e bëni leckë!”, - përfundoi ai.

Reforma territoriale, opozita voton kundër

Ngrihet komisioni hetimor për trafikun e drogës. Opozitë pjesë e tij por jo e votimit

I hapet drita jeshile nisjes së punës së komisionit të posaçëm për reformën territoriale. Nisma e mazhorancës për të zhbllokuar punën e komisionit, duke i shtuar një anëtar nga mazhoranca, u votua vetëm nga 74 deputetët e pozitës ndërsa 14 opozitarë votuan kundër. Reforma u konsiderua si domosdoshmëri nga deputetët e mazhorancës të cilët ftuan sërish opozitën për bashkëpunim. Por opozita kërkoi fillimisht arritjen e konsensusit. E ndërsa opozita këmbënguli në zgjerimin e objektit të hetimit dhe të komisionit për trafikun e drogës. Kreu i deputetëve socialistë Gramoz Ruçi deklaroi se kjo që është pranuar, ndaj opozita duhet të bëhet pjesë e procesit. Por në fund opozita zgjodhi të mos votonte edhe pse do jetë pjesë e hetimit, ndërsa 73 deputetë të mazhorancës votuan pro saj.

Reforma territoriale

“Nëse ju do vini, nëse 9 anëtarë ka mazhoranca, po aq keni dhe ju. Ne sot vonojmë shtyrjen e afatit për arritjen e konsensusit. Do vijojmë nga puna. Dhe ju themi se edhe nëse ndërroni mendjen jeni të mirëpritur”, tha Fino. Ndërsa deputeti Ben Blushi argumentoi nevojën e reformës territoriale duke i bërë apel opozitës ta mbështesë sepse nuk rrezikohen votat e saj. “Ju jeni kundër procedurës apo projektit. E njihni Shqipërinë apo jo. Nuk ka vend në Evropë që të jetë kaq i parcelizuar. Kjo nuk është reformë territoriale, është reformë e shtetit dhe ekonomike. Shqipëria është e parcelizuar dhe njësitë vendore nuk sigurojnë dot as rrogat”, tha Blushi. Sipas tij komunave tani edhe arsimtarët u vijnë nga qyteti, policët, inxhinierët etj. “Nëse besoni se për shkak të ndarjes territoriale do merrni më pak vota e keni gabim. Besoj se është reformë ekonomike e shtetit shqiptar, arsyet për ta bërë në këtë mandat janë më shumë se arsyet për ta neglizhuar, nëse se bëjmë do humbim dhe 10 vjet. Dhe 10 vjet me këtë planifikim territori, me kaq shumë shqiptarë që për shkak të papunësisë, varfërisë, pabarazisë, kushteve klimaterike lënë malin dhe vinë në bregdet do kemi komuna me 2, 3, 5 banorë për 10 vjet dhe kjo nuk na falet”, - theksoi ai. Në emër të grupit parlamentar të PD-së, Ardian Turku i bëri thirrje mazhorancës që të mos votojë projektvendimin për reformën territoriale deri në arritjen e një klime për konsensus. Ndërsa në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i bëri thirrje opozitës që të zërë vendet e saj në Komisioni për Reformën Territoriale. Meta garantoi opozitën se nuk ka asnjë prapavijë për përfitime elektorale për kryerjen e reformës.

Trafiku i drogës

Ndërsa nuk mungoi sërish debatin për trafikun e drogës. “Nuk akuzojmë asnjëherë Forcat e Armatosura. Akuzojmë qeverinë që bënë drogën. Edhe pse ndonjë ushtarak mund të jetë i implikuar verbërisht. Rama është padrino që hesht si fije e kalbur bari”, - tha Berisha. Ai akuzoi edhe ministren Kodheli, se nuk pranoi të vinte në komision. “Ju urdhëroi juve si skllevër që të kërkonit ngritjen e komisionit hetimor. Qëndrimin e ndërruat se dolën dokumentet. Objekti që ju ngritët në aktakuzë ndaj nesh, është e turpshme dhe primitive”, tha ai. Kreu ka akuzuar gjithashtu kreun e qeverisë, se ka rritur trafikun e drogës. Ndërsa socialisti Ruçi kundërshtoi akuzat duke sqaruar gjithashtu se mazhoranca ka pranuar sugjerimet e opozitës për komisionin hetimor. Zoti Paloka ngriti tri çështje që duhet të merren në konsideratë, për krijimin e Komisionit, por ne këto çështje i kemi marrë parasysh. Iu drejtove grupit parlamentar dhe the ju jeni një e krimin. Unë nuk e ngre gishtin as për njërin nga ju. Nuk mund të lejoj sepse as unë nuk e kam bërë dje kur ti si rezultat i veprimeve apo mosveprimeve të tua vrave 26 vetë apo vrave 4 vetë në 21 janar ndaj të paktën të tregohemi të matur, të paktën brezi jonë”, - përfundoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat