Përgjimet e policisë nga SHISH-i, shumica kontrollon Visho Ajazin

Shqipëria

Përgjimet e policisë nga SHISH-i, shumica kontrollon Visho Ajazin

Më: 24 prill 2014 Në ora: 08:44

Komisioni i Sigurisë miratoi dje ngritjen e grupit të kontrollit parlamentar për të verifikuar ligjshmërinë e përgjimeve të kryera nga Shërbimi Informativ Shtetëror ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit. Vendimi u mor vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita doli kundër. Nënkryetari i komisionit, Flamur Noka e konsideroi nismën të paligjshme, ndërsa i kërkoi komisionit të miratonte një projektligj që përcakton rregullat e kontrollit në institucionet e sigurisë. Pas këtyre pretendimeve opozita bojkotoi mbledhjen. Mazhoranca miratoi e vetme nismën, duke përcaktuar që pjesë e grupit të kontrollit të jenë tre deputetët e saj, Pirro Lutaj, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu, ndërsa dy vende u lanë bosh për opozitën. Grupi i punës ka afat 1-mujor. Ndërkohë që kreu i Komisionit, Spartak Braho theksoi sërish shkeljen e ligjit nga zoti Noka sa i përket sekretit shtetëror. Ai deklaroi se do të informojë kreun e Kuvendit për këtë gjë.

Vendimi

Komisioni parlamentar i Sigurisë miratoi, pa praninë e opozitës, ngritjen e grupit të kontrollit që do të shkojë në zyrat e Shërbimit Informativ të Shtetit. Deputetët demokratë e kundërshtuan këtë nismë, duke e konsideruar si antiligjore. “Në sirtarët e Kuvendit ekziston një projektligj që është i specifikuar vetëm për kontrollin parlamentar të institucioneve të sigurisë kombëtare. Nëse doni të kontrolloni ligjshmërinë e institucioneve të sigurisë kombëtare, miratoni atë projektligj. Kjo që po kërkoni ju është antiligjore. Nuk ka pse të krijohen komisione punëtorë-fshatarë”, - deklaroi dje Noka. Sipas tij, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror raportoi në mënyrë të detajuar mbi procedurën e punës që ka zbatuar. “Pasi iku Shërbimi doni të krijoni një grup punëtor-fshatar për të kontrolluar një shkresë që sipas kreut të Shërbimit është e bazuar në ligj. Zoti na ruajt se nuk dini se ç’bëni. Ju ka kapur një ankth edhe pse jeni mazhorancë absolute, po vazhdoni të silleni sikur jeni në opozitë”, - deklaroi nënkryetari demokrat i komisionit. Sipas Nokës një veprim i tillë është i turpshëm. “Turpi do ju ngelet ju që merreni me dokrra ne nuk mund të bëhemi pjesë e këtyre përrallave”, - tha ndërsa u largua bashkë me deputetët e tjerë opozitarë. Mbledhja vijoi vetëm me praninë e mazhorancës. Nismëtari i ngritjes së grupit të kontrollit, Pirro Lutaj sqaroi se kontrolli për punën e SHISH-it është ligjor. Ai kujtoi se dhe në vitin 2007 ka pasur një kontroll të tillë në zyrat e SHISH-it dhe kërkesa është firmosur nga kryeparlamentarja e asaj kohe. Lutaj shtoi se është tërësisht demagogji dhe komenti i Nokës për projektligjin që është në Kuvend.

Nxjerrja e sekretit

Nxjerrja e sekretit shtetëror nga deputetët u ngrit sërish dje si shqetësim në Komisionin e Sigurisë. Kreu i komisionit, Spartak Braho deklaroi e do të informojë kryeparlamentarin për këtë gjë. “Zoti Noka vazhdon me desinformimin. Është për të ardhur keq. Ai ka shkelur edhe ligjin për mbledhjen e djeshme të komisionit e cila ka pasur rëndësi të veçantë për shkak të dokumentacionit sekret. Ai edhe pse ka qenë ministër nuk ka mësuar të zbatojë normat e administratën e shtetit, ai nxori të gjitha materialet sekrete. Do të informoj dhe kryetarin e Kuvendit”, - deklaroi Braho. Keqpërdorimi i informacionit është theksuar dhe nga Luan Rama. “Dua të theksoj se keqpërdorimi i informacionit të administruar është një shenjë papërgjegjshmërie. Duke qenë dakord me kërkesën kërkoj nga kolegët seriozitet dhe objektivitet për të hetuar veprimtarinë e Shërbimit dhe në raport me këtë çështje që ky të jetë një kontribut më shumë që veprimtaria e Shërbimit të jetë e bazuar në ligj”, - përfundoi Rama. Nisma e lutaj parashikon kontroll në zyrat e SHISH-it për verifikimin e ligjshmërisë së shkresës “sekret”/ “kërkesë operative” me nr. 1478, datë 2.12.2013 dërguar drejtorive të SHISH-it në prefektura ku kërkohet informacion mbi persona të implikuar në veprimtari antiligjore të emëruar në pozicione drejtuesve në Policinë e Shtetit si dhe të gjitha veprimet apo mosveprimet e ndërmarra nga Shërbimi Informativ i Shtetit në zbatim të kësaj shkrese.

Trafiku i drogës

PD përsërit kërkesën për seancë dëgjimore me Kodhelin

Opozita përsërit në Komisionin e Sigurisë, kërkesën për seancë dëgjimore me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli në lidhje me përdorimin e Forcave të Armatosura për trafikun e drogës. Sipas demokratit Flamur Noka ky është një shqetësimi kryesor i qytetarëve por dhe aleatëve tanë. “I janë drejtuar pyetje zonjës ministre dhe në bazë të rregullores ajo duhet të vinte dhe të raportonte. Në alarm e sipër dhe në kundërshtim flagrant me rregulloren, ky komision e hodhi në votim kërkesën tonë dhe e rrëzoi. Qytetarët më shumë se për çdo gjë tjetër janë të interesuar të zbardhet e vërteta. Nuk dua të paragjykoj faktin pse ministrja fshihet por nuk mund të zhvillohen çështjet e tjera për histori përrallash si kjo e sotmja”, - tha ai. Por kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho sqaroi se nuk është shmangur seanca dëgjimore me ministren e Mbrojtjes por opozita nuk e zyrtarizoi kërkesën. “Kur do diskutohej në komision nëse do thirrej apo jo ministrja, opozita u largua pa paraqitur asnjë lloj shkrese. Së dyti u thamë që çfarëdo akuzash keni për ministrin e Mbrojtjes, depozitojini në prokurori”, - sqaroi ai. Kreu i Komisionit të Sigurisë sqaroi gjithashtu se mbi këtë çështje tashmë ka dhe një hetim të prokurorisë. “Komisioni i kërkoi prokurorisë nëse kishte filluar çështja hetimore për akuzat e ngritura nga opozita. Përgjigjja nga prokuroria ishte që organi i akuzës do të fillojë hetimin si organ i involvuar me denoncime dhe nga ministrja e Mbrojtjes por dhe persona të tjerë”, - theksoi Braho ndërsa informoi gjithashtu dhe për komisionin hetimor të nga Kuvendi. “Për këto akuza të ngritura Konferenca e kryetarëve miratoi ngritjen e një komisioni hetimor. Nuk kemi pse angazhohemi ne kur do të ketë komision hetimor ndërkohë që dhe prokuroria do vazhdojë në linjën e saj”, - përfundoi ai.

Tryezë me sindikatat, PD paralajmëron protesta popullore

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëron protesta popullore. Deklarata e tij u dje gjatë tryezës

“Ku po shkon Shqipëria” ku me përfaqësues të sindikatave në vend diskutoi mbi ekonominë e cila sipas tij, po futet në një krizë të pashmangshme. Basha akuzoi Qeverinë se që kur ka ardhur në pushtet ka rritur taksat, çmimet ka ulur rrogat dhe ka reduktuar vendet e punës. Basha garantoi përfaqësuesit e sindikatave se opozita do t’i mbështesë plotësisht në protestat e tyre, pasi siç tha ai, detyra e opozitës është të sigurojë me çdo çmim instrumentet dhe mekanizmat, që dyshja Rama-Meta të përballet me pasojën e plotë të mashtrimit dhe dështimit ndaj premtimeve me të cilat erdhi në pushtet.

Tryeza

“Asnjë kategori nuk e gjen veten tek pashpirtësia e dyshes Rama-Meta, përsa i përket praktikave të tyre ekonomike. Kanosja ndaj shtetit ligjor është arrogancë e qeverisë. Roli ynë është t’i evidentojmë problemet, t’i kërkojmë qeverisë t’i japë zgjidhje. Masat e fundit të shkatërrimit të sistemit të kontrollit dhe balancës tregojnë se dyshja Rama-Meta nuk dëgjojnë zërin e qytetarëve, zërin e personave në nevojë. Roli ynë është t’i sigurojmë me çdo kusht mekanizmat që do bëjnë të mundur që dyshja Rama-Meta të hapë sytë ose të përballet me pasojën e plotë të mashtrimit dhe dështimit të premtimeve me të cilat erdhën në pushtet”, - deklaroi dje Basha në tryezën me sindikalistët. Ndërsa u ndal në largimet nga administrata të punonjësve, kreu demokrat u shpreh se numërohen 8 mijë të larguar nga puna, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta. Sipas tij, pas 8 muajsh kemi një rritje të çmimeve të mallrave nga 11-15 %, duke ua bërë më të shtrenjtë jetën shqiptarëve. Në këtë kuadër ai shtoi se po ashtu, konsumi ka një rënie dhe jo, si pohojnë ata se është rritur 14%. “Po ashtu, është rritur barra fiskale e taksave direkte, sipërmarrja ka investuar më pak, krediti është në rënie, biznesi i vogël po paguan më shumë, si dhe shërbimet e transportit janë shkatërruar, duke lënë 21 mijë familje pa të ardhura, janë pakësuar fondet për njerëzit në nevojë, për pronarët, përndjekurit politikë”, pohoi Basha Sipas tij, masat e marra nga Qeveria kanë larguar investitorët e huaj, duke vënë theksin në klimën e pasigurisë së krijuar për shkak siç tha ai, të epokës së tritolit. “Rritja e barrës fiskale e taksës direkte e gjithë sektorit të biznesit, dhe duke i vënë kapak me klimën e pasigurisë në vend, që çdokush e quan epoka e tritolit. Kapitalet e huaja po shmangin Shqipërinë, investitorët aktualë po ikin. Këtë e tregojnë institucionet e specializuara. Vazhdon rënia ekonomike”, tha kreu i PD-së duke theksuar se opozitë nuk do të reshtë në mbrojtje të qytetarëve.

Zgjedhjet në PD-në e Tiranës, nis faza e parë

Është hapur dje faza e parë e zgjedhjeve për degën e Partisë Demokratike në kryeqytet. Kjo degë është mbrapa me procesin, duke u konsideruar me status të veçantë për shkak të rëndësisë së saj. Kreu i PD-së, Lulzim Basha mes të rinjve ka shpallur nisjen e fazës së parë, atë të anëtarësimeve. “Rinia po vërshon në PD për të marrë përgjegjësi, përgjegjësi po merr dhe do të marrë. Përgjegjësinë e opozitarizmit, ringritjes, fitores dhe atë të qeverisjes”,- deklaroi Basha. Një arsye tjetër përse rinia po bëhet pjesë e forcës më të madhe të opozitës, sipas zotit Basha qëndron në revoltën qytetare kundër mënyrës anti-demokratike të qeverisjes së vendit nga koalicioni i majtë i kryeministrit Rama dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Spartak Braho

Kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho u kërkoi tre anëtarëve të grupit të kontrollit parlamentar në zyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror, që para nisjes së punës të përcaktojnë qartë objektin e kontrollit. “Do ju sugjeroja anëtarëve të komisionit që do të kryejnë kontrollin që të hartojnë edhe planin e punës dhe në mënyrë specifike objektin e kontrollit”,- theksoi Braho dje në komision. Anëtarë të grupit të kontrollit janë Pirro Lutaj, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu ndërsa dy vende janë bosh për opozitën.

Flamur Noka

“Kemi më shumë se dy javë që në si opozitë kemi kërkuar, bazuar në rregulloren e Kuvendit, një seancë dëgjimore me ministren e Mbrojtjes për një çështje mjaft alarmante gjithashtu dhe mjaft sensitive, jo vetëm për ne si opozitë por dhe për opinionin publik. I janë drejtuar pyetje zonjës ministre dhe në bazë të rregullores ajo duhet të vinte dhe të raportonte. Ju të alarmuar e hodhët poshtë kërkesën”.

Pirro Lutaj

“Nuk ja vlen të merresh me deklaratat e Flamurit. Kërkesa është sipas rregullave. Dua të saktësoj diçka për Flamurin dhe flamujt pa bishta që e injorojnë një të drejtë ligjore të deputetëve për të ushtruar mbikëqyrje parlamentare.

Parlamenti shqiptar ka funksionuar, nuk është krijuar kur ka ardhur Flamuri këtu, ka eksperiencë dhe të kontrollit në SHISH, kam përpara një kontroll të bërë në 2007 me firmën e kryetares së Kuvendit të asaj kohe.

Luan Rama

“Dje ne kemi pasur një seancë të gjatë diskutimi dhe analize për veprimtarinë e Shërbimit gjatë 2013-ës ku me shumë përgjegjshmëri deputetët diskutuan dhe dhanë opinionet e tyre. Dua të theksoj se keqpërdorimi i informacionit të administruar është një shenjë papërgjegjshmërie në rastin më të mirë, për të mos thënë që kjo tendencë është në vazhdën e asaj papërgjegjshmërie që shfaqet dhe brenda vetë strukturave të Shërbimit në administrimin e dokumenteve shkresore apo informacionit të klasifikuar”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat