Nishani: Të ndalet presioni politik mbi organet e Drejtësisë

Shqipëria

Nishani: Të ndalet presioni politik mbi organet e Drejtësisë

Më: 20 prill 2014 Në ora: 15:46

Konferenca Gjyqësore Kombëtare zbulon dhjetë “pikat e nxehta” të Gjyqësorit, të cilat duhet të trajtohen dhe zgjidhen në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Përmes një rezolute në përfundim të punimeve të saj ditën e premte, KGJK kërkon që këto çështje të nxiten në KLD përmes anëtarëve të Këshillit të zgjedhur nga ana e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Pika e parë e rezolutës së gjyqtarëve në Konferencën Gjyqësore ka qenë “ruajtja dhe promovimi i pavarësisë së pushtetit gjyqësor nga çdo lloj presioni dhe ndikimi nga pushtetet e tjera”. KGJK vlerëson se këta anëtarë duhet të unifikojnë qëndrimet e tyre lidhur me çështjet që kjo Konferencë vlerësoi si të rëndësishme, thuhej në rezolutën, të cilën KGJK kërkonte të mbahet parasysh nga të zgjedhurit e saj në qeverinë e Gjyqësorit. Zbatimi i kuadrit ligjor në emërimet dhe transferimet e gjyqtarëve ishte një nga pikat e rekomanduara. “Zbatimin me korrektësi dhe me efektivitet të kuadrit ligjor e nënligjor për emërimet, transferimet apo procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve”, sugjerohej në rezolutë. Po aty rekomandohej ruajtja dhe promovimi i pavarësisë së pushtetit gjyqësor nga çdo lloj presioni, ndikimi apo ndërhyrje që mund të vijë nga pushtetet e tjera. “Përplasja” mes kompetencave të inspektorateve të KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë radhitej në çështjet e ngutshme për zgjidhje. “Trajtimin në mbledhjet e KLD të çështjes së mbivendosjes së kompetencave të inspektorateve të KLD–së dhe Ministrisë së Drejtësisë për gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme ligjore, të cilat të marrin në konsideratë parimin e pavarësisë së Gjyqësorit nga njëra anë, si dhe parimin e kontrollit dhe balancimit të pushteteve nga ana tjetër”, rekomandonte KGJK. Njëkohësisht, KGJK u kërkonte përfaqësuesve të saj të përkrahin nismat lidhur me reformat në sistemin e drejtësisë, të nxisin luftën kundër fenomeneve korruptive në Gjyqësor, si dhe të nxisin projektet që kanë në fokus rritjen e kualifikimit profesional të gjyqtarëve.

REFORMIMI
Gjatë punimeve të Konferencës Gjyqësore Kombëtare u trajtuan problematikat aktuale të Gjyqësorit dhe në përfundim KGJK sugjeroi gjetjen e mekanizmave ligjorë për përmirësimin e situatës. Në lidhje me përmirësimin e imazhit të Gjyqësorit në opinionin publik, KGJK kërkoi kontribut nga vetë gjyqtarët, përmes zhvillimit të gjykimeve në kohë të shpejtë dhe arsyetimin e vendimeve brenda afateve ligjore. Në disa rekomandime të përfshira në rezolutën përfundimtare të Konferencës, kërkohej që gjyqtarët të mbështesin nismat e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv për reformimin e mëtejshëm të pushtetit gjyqësor. Njëkohësisht, gjyqtarët kërkojnë që kritikat për fenomenet korruptive të mos kthehen në një fushatë fajësimi kolektiv për të gjithë pushtetin gjyqësor, por të adresohen në mënyrë konkrete. Në të njëjtën rezolutë, gjyqtarët kërkojnë plotësimin sa më shpejt që të jetë e mundur të gjykatave administrative me ndihmës ligjorë dhe personel administrate.

REKOMANDIMET PËR KLD

  • Ruajtjen dhe promovimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor nga çdo lloj presioni dhe ndikimi nga pushtetet e tjera.
  • Zbatim të ligjit në emërimet, transferimet apo procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve.
  • Diskutim në KLD të mbivendosjes së kompetencave të inspektorateve të KLD dhe Ministrisë së Drejtësisë.
  • Ndikim të vazhdueshëm për përfundimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të vlerësimit të gjyqtarëve.
  • Përkrahjen e nismave dhe dhënien e opinioneve lidhur me procesin e reformave në sistemin e drejtësisë.
  • Përpjekje maksimale për të nxitur dhe thelluar luftën kundër fenomeneve korruptive në gjyqësor.
  • Rritjen e transparencës së punimeve dhe të procesit të vendimmarrjes së KLD.
  • Angazhim për propozimin dhe hartimin e projekteve, që kanë në fokus rritjen e kualifikimit profesional të gjyqtarëve.
  • Mbajtjen e lidhjeve më të ngushta dhe organizimi i konsultimeve me KGJK për çështje të rëndësishme të sistemit gjyqësor.
  • Angazhim maksimal për rritjen e performancës së sistemit gjyqësor si dhe mbrojtjen e promovimin e vlerave individuale të çdo gjyqtari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat