Dëbora lë pa energji elektrike veriun e Shqipërisë

Shqipëria

Dëbora lë pa energji elektrike veriun e Shqipërisë

Më: 16 prill 2014 Në ora: 17:57

Reshjet e dëborës të cilat munguan gjatë dimrit, duket se këto ditë nuk dinë të ndalen. Kështu reshjet e dendura janë bërë shkak për ndërprerje të energjisë në veri të vendit.
Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka bërë të ditur se ndërprerje të energjisë ka patur në disa zona si: Kukës, Kalimash, Fushë Arrëz dhe në Bajram Curr. Pavarësisht kushteve klimaterike, ekipet e OST po punojnë intensivisht për rikthimin e energjisë në këto zona.

Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar vështirësi edhe në zona të tjera të vendit. Në Korçë, kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve, duke bërë të pakalueshëm aksin rrugor Qafë Thanë-Prrenjas. Në këtë aks është duke u punuar për hapjen e tij me borëpastruese. Aksi rrugor Qafë-Plloçë mund të kalohet vetëm me zinxhirë ndërsa në aksin Pogradec-Korçë janë ndaluar shumë automjete për shkak të mungesës së zinxhirëve në qarkullim.

Në rrethin e Pukës, trashësia e dëborës ka arritur deri në 60 cm, në disa vende. Për shkak të kësaj, qarkullimi i automjeteve mund të bëhet vetëm me zinxhirë. E njëjta situatë është edhe në Tropojë dhe Dibër, ku në zonat rurale, dëbora ka arritur në 25 cm lartësi, ndërsa në qytet në 15 cm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat