Dervishi lë Vlorën, asnjë fjalë mbi shkakun e zëvendësimit

Shqipëria

Dervishi lë Vlorën, asnjë fjalë mbi shkakun e zëvendësimit

Më: 8 prill 2014 Në ora: 08:58

Etjona Hoxha u prezantua zyrtarisht si Prefekte e Vlorës duke zëvendësuar në këtë detyrë Besnik Dervishin, që me një vendim papritur të Këshillit të Ministrave është zevëndësuar në detyrë. Tani Dervishi do kryesojë grupin e punës mbi Reformën Administrativo-Territoriale. Por edhe dje gjatë prezantimit as Dervishi dhe as përfaqësuesit i qeverisë s’kanë shpjeguar shkaqet e ndërrimit. Burime jo zyrtare duke folur për “Shqiptarja.com” rrëfejnë se ka qenë vetë Besnik Dervishi pas atentatit të dështuar me tritol që ka kërkuar largimin nga ky post. Vetë fakti që detyra e re e Dervishit është në Tiranë tregon se ish-prefekti ndihej i kërcënuar në Vlorë dhe ka kërkuar largimin nga qyteti bregdetar.

Prefektja e re Etjona Hoxha është pedagoge në departamentin e Gjuhë-Letërsisë, në Universitetin e Vlorës, "Ismail Qemali" dhe është pjesë e Asamblesë Kombëtare e Forumit të Gruas Socialiste. Në një ceremoni të organizuar në teatrin “Petro Marko” ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, njëkohësisht deputet i Qarkut të Vlorës, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri si dhe kreu i bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika.

Emërimi i prefektes së re qetëson dhe debatet brenda PS të këtij qarku, pasi Etjona Hoxha shihet si një figurë përbashkuese për PS dhe të majtën në Vlorë. “Eksperienca na e tregoi se paraardhësit e transformuan shtetin në fole punësimi me njerëz që figurojnë punonjës të shtetit, kur në fakt janë pensionistë që marrin një rrogë dhe s’ua kthejnë këtë me shërbimin që meritojnë qytetarët. Ne s’mund të vazhdojmë në këtë traditë të shëmtuar të një pushteti të përqëndruar në një klientelë të ngushtë nepotike e klanore”, tha Rama. Administrata për kryeministrin duhet të jetë hapësirë për njerëzit me talent, jo për kushërinjtë.

“Tani që jemi në pushtet duhet t’i japim një përmasë të re atyre personave që e kishin të pamundur të merrnin pjesë, ku gjithkush ishte i kërcënuar drejtpërdrejt për bukën e gojës. Dua të jem shumë i qartë se ne duhet të nxjerrim më të mirën nga çdo vatër progresisti dhe progresi, nga çdo pjesë e komunitetit, në mënyrë që t’i japim vendin që meriton çdo talenti, çdo eksperience dhe t’i japim fund një ndasie të vjetër e shkatërruese të atyre që me pushtetin nuk dinë gjë tjetër veç të rregullojnë në punë kushërinjtë”, tha Rama. Ai tha se reforma administrative është shumë e rëndësishme për zhvillimin e vendit e se kjo reformë që ende s’ka gjetur konsensusin me opozitën, do transformojë tërësisht shërbimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat