Kontrabandonin bagëti nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Shqipërisë, arrestohen katër persona

Shqipëria

Kontrabandonin bagëti nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Shqipërisë, arrestohen katër persona

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 16:31
Foto ilustrim

Katër persona janë arrestuar sot në Dibër, pasiqë kontrabandonin bagëti nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Shqipërisë.

Policia e Shtetit ka informuar se të arrestuarit janë: D. E., 30 vjeç, A. D., 34 vjeç, B. Z., 27 vjeç dhe N. Z., 34 vjeç, banues në Dibër.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin bagëtitë e imëta dhe të trasha, në Maqedoninë e Veriut, i kalonin ato në drejtim të Shqipërisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, në Bllatë, i mbanin fillimisht në stallat e tyre dhe më pas i shisnin kundrejt shumave të ndryshme monetare. Gjatë kontrollit të ushtruar në stallat në pronësi të këtyre shtetasve, u gjetën 64 krerë bagëti të imëta dhe të trasha, të pamatrikulluara, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u bllokuan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin furgon që shërbente për transportimin e tyre.”, ka bërë të ditur Policia.

Po ashtu, në vijim të hetimeve, sipas Policisë, janë dokumentuar me prova ligjore 5 raste të kontrabandimit të bagëtive, të kryera nga shtetasit në fjalë.

“Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme”, ka bërë të ditur Policia.

Ndërkohë, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Kontrabanda me mallra të tjera", "Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë", "Fshehja e të ardhurave" dhe "Transportimi, tregëtimi i mallrave që janë kontrabandë" , të kryera në bashkëpunim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat