KE: OK reformat, kujdes me zgjedhjet

Shqipëria

KE: OK reformat, kujdes me zgjedhjet

Më: 3 tetor 2012 Në ora: 20:41

Vlerësimi i vjeshtës i Komisionit Evropian karakterizohet nga një gjuhë mjaft pozitive për Shqipërinë, veçanërisht lidhur me rezultatet e dialogut politik pozitë-opozitë për votimin në Parlament të disa reformave.

Por nuk lihet mënjanë nënvizimi i sfidave me të cilat përballet vendi, për gjyqësorin, korrupsionin, administratën publike, pronat apo pavarësinë e institucioneve. Ndërsa zgjedhjet e ardhshme vlerësohen si një test i rëndësishëm.

Një javë para publikimit, Top Channel siguroi projekt-dokumentin e brendshëm të Komisionit: përmbledhjen e përvitshme të raport-progreseve që hartohet për vendet anëtare dhe Parlamentin Europian nën titullin ‘Strategjia e Zgjerimit’.

“Marrëveshja politike e nëntorit 2011 mes shumicës qeverisëse dhe opozitës shënoi fundin e një periudhe të gjatë ngërçi politik që rridhte nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Kjo marrëveshje u bë për adresimin e reformave parlamentare dhe zgjedhore dhe për krijimin e klimës politike me përpjekje të përbashkëta për reforma në fusha të tjera. Si rezultat, bashkëpunimi dhe dialogu politik është përmirësuar shumë duke mundësuar progres në fushat e reformave kryesore. Zgjedhjet presidenciale u zhvilluan në përputhje me Kushtetutën, por procesi politik që mbështolli zgjedhjet nuk i ndihmoi dialogut ndër-partiak pozitiv që kishte nisur në nëntor. Pavarësisht nga episodet e shkurtra të retorikës konfrontuese mes qeverisë nga njëra anë, dhe opozitës dhe institucioneve të shtetit nga ana tjetër, si dhe pas një ngadalësimi të përkohshëm të reformave, marrëveshja politike është zbatuar plotësisht,” thuhet në dokument.

‘Strategjia e Zgjerimit’ është ende një projekt-dokument dhe formulimet nuk janë përfundimtare. Në përmbledhjen për ecurinë e Shqipërisë, vërehen pjesë reformash ku nënvizohet që “priten për t’u konfirmuar”, para se të përfshihen apo jo në vlerësimin zyrtar të 10 tetorit.

“Shqipëria ka shënuar progres të mirë drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësim në BE, duke dorëzuar një numër reformash lidhur me prioritetet kyçe të Opinionit të Komisionit. Në përgjithësi, Shqipëria ka vijuar të zbatojë pa pengesa Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe të luajë një rol konstruktiv në rajon. Dialogu ndërpartiak mundësoi arritjen e një progresi të mirë në fushën e reformave kyçe politike, si miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, emërimi i Avokatit të Popullit dhe procesi i dëgjimit dhe votimit në Parlament për emërimet në gjykatat e larta, duke çuar në përmbushjen e prioriteteve kyçe përkatëse. Koordinimi i mirë i procesit të integrimit të BEsë nga qeveria dhe bashkëpunimi efektiv i opozitës mundësuan një farë progresi në zbatimin e reformës në drejtësi, duke reformuar sistemin e imuniteteve të zyrtarëve publikë dhe të gjykatësve dhe me futjen e reformave për Gjykatën e Lartë. Progres u arrit gjithashtu në luftën kundër krimit të organizuar, politikave anti-diskriminim, përmirësimit të trajtimit të të paraburgosurve, si edhe për reformën e pronave dhe për të drejtat e gruas,” thuhet më tej.

Pas vlerësimeve pozitive, në pjesën përmbledhëse të projekt-dokumentit të brendshëm të Komisionit, vijojnë sfidat e detyrimet për vendin.

“Shqipëria duhet të ndërtojë mbi këtë progres duke pasur parasysh sfidat e rëndësishme që ka përpara, të shpejtojë reformën e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit dhe të ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me përfundimin e reformës së administratës publike dhe të reformës për pronat, si dhe për forcimin e institucioneve të pavarura. Vëmendje më e madhe për zbatimin kërkohet ende, veçanërisht sa i përket kushteve të jetesës së komunitetit rom. Vazhdimi i dialogut politik për reformat mbetet i nevojshëm për funksionimin e qetë dhe për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të vendit. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 do të përbëjnë një test të rëndësishëm të Kodit të ri Zgjedhor dhe të angazhimit të vazhdueshëm ndërpartiak për reforma. Ruajtja e ritmit të reformave, me fokus të veçantë mbi zbatimin e ligjeve dhe të politikave në fushën e shtetit të së drejtës, do të jetë thelbësore,” thuhet në pjesën përmbledhëse.

Projekt-dokumenti nuk përmban ende asnjë formulim mbi rekomandimin përfundimtar të Komisionit për dhënien apo jo të statusit kandidat për Shqipërinë. Ai është objekt ndryshimi deri në momentin e publikimit zyrtar.

‘Strategjia e Zgjerimit’ publikohet më 10 tetor, e shoqëruar nga raport-progreset individuale për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat