Irritues hakërrimi i Kelmendit ndaj Selimit

Politika

Irritues hakërrimi i Kelmendit ndaj Selimit

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 27 gusht 2018 Në ora: 08:05
Muhamet Kelmendi dhe Sylejman Selimi

Idhshëm e fyes është reagimi i eksponentit të LPK-së, profesor Muhamet Kelmendit, ndaj shefit të SHP të UÇK-së, Sylejman Selimit.

"UÇK-ja ka pasur 12.700 ushtarë", - thotë kuadri i lartë i luftës, Sylejman Selimi.

Fort inatshëm reagon lëvizaku Kelmendi, që luftën e ka përcjellur nga mërgimi:

"Është mashtrim dhe një idiotizëm i rëndë të thuhet se kemi vetëm 13 mijë a 16 mijë luftëtarë".

Kjo më kujton fjalorin-piskamë të Enver Hoxhës, me bandën e tij staliniste, kur denigronte "armiqtë e klasës", duke ua bërë hetuesinë në arkivol, e disa syrësh i çonte në plumb dhe i linte edhe pa varr. LPK-istët mbeten robër të asaj ideologjie satanike. Mjerueshëm!

Është nonsens, mungesë e ndjenjës së masës, t`i drejtohesh, kaq vrazhdësisht, madje, edhe atëherë kur nuk ke fare të drejtë,  një burgaxhiu, një njeriu, që nuk jeni të barabartë në kushte e rrethana.

T`i tregosh shifrën e ushtarëve në luftë, shefit të Shtabit të luftës, Sylejman Selimit, është sikur të thuash:

"Eja baba t`i tregoj sinoret (kufinjtë( e arave!"

Profesor Kelmendi shkreton edhe më tej, krejt paushall:

"Në vitin 1968, i tërë populli, pa dallim, ka qenë i organizuar në radhët e UÇK-së".

Ndërkohë, në vitin 1968, as që ka ekzistuar UÇK-ja. Eksponentët e LPK-së e shtrijnë, në kohë, themelimin e UÇK-së, që nga viti 1981 e deri më 1998! Dhe, në fund, e pranojnë se nuk arritën asnjëherë, ta aktivizonin UÇK-në në formacione ushtarake, përshkak të sabotimit të luftës, që bëri Kryesia e re e LPK-së puçiste, përkatësisht, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Azem Syla, me kompani, në ujdi me Tiranën zyrtare social-komuniste, Serbinë dhe Sigurimin sekret francez. Këtë të vërtetë e kanë pranuar edhe pretenduesit e themelimit të UÇK-së: Ibrahim Kelmendi, Muhamet Kelmendit, Bislim Zogaj, Jakup Krasniqi dhe të tjerë, të gjithë kuadro të lartë të LPK-së.

Dhe, kjo ngjason me njëfarë UÇK-je, që ne, grupi i kryesuar nga Kadri Osmani (Mani), Binak Ulaj, Xhafer Shatri, Metë Shatri, Jashar Aliaj e tjerë, e kishim themeluar në vitet `60-a, por, pa arritur ta fusim në luftë, njësoj si këta të LPK-së. Megjithatë, ne ishim më të avancuar, sepse kishim krijuar resorët e nevojshëm për përgaditjen e luftës, drejtoritë përkatëse. Kurse këta të LPK-së, kishin vetëm një drejtori, atë politike, të kryesuar nga Hashim dallaverja! Dhe, dështimi ishte i pritur.

"Çdo njeri madhor ka qenë ushtar", - befason, për të keq, Kelmendi! Jo, askurrë. Kanë qenë grupe të vogla, që rrallë kanë bërë çetën. Kurse batalionin asnjëherë. Ndërsa brigada ka qenë emërtesë fiktive, e rrejshme.

Përvijimi i vonshëm i UÇK-së

Pas dështimit të marrëveshjes të Osllos, presioni ndaj ushtarakëve të FARK-ut u shtua. Ultimatumi i LPK-së dhe Tiranës zyrtare ishte: FARK-u të largohet, dëbohet nga territori i Shqipërisë, përndryshe do ta pësonin keq. Oficerët institucionalë, i kërkuan takim Presidentit Rugova në Zvicër dhe e informuan Atë, për shqetësimin që kishin. Dr. Rugova, u tha prerazi se tërheqje nga lufta nuk ka! Çfarë të bëni e dini ju, sepse jeni të zanatit, jeni ushtarakë.

Porosia-urdhër e Komandantit të Përgjithshëm të FARK-ut, Ibrahim Rugova, ishte e qartë dhe aprovimi ishte njëzëshëm. Në gjysmën e dytë të vitit 1998, në Papaj të Tropojës nismoi përvijimi i UÇK-së, e dalë nga FARK-u. Megjithatë, Kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i Luftës, edhe pse ai, me oficerët e tij, mbanin uniformën me tri shkronjat e UÇK-së, ajo ishte në përvijim, nismë, për t`u bërë ushtri e mirëfilltë.

Kolonel Krasniqi, në një studim teorik ushtarak, shkruante se do të bëjmë pajtimin, bashkimin e të gjitha grupimeve, për ta bërë një UÇK-e solide, të mirëfilltë. Duke punuar për këtë projekt dhe mision të shënjtë, Koloneli, me përgaditje sipërore ushtarake, ekzekutohet zyrtarisht, në zemër të Tiranës hyjnore.

Andaj, që këtej është nisur edhe kozmopoliti Veton Surroi, kur deklaron se asnjëherë nuk ka ekzistuar UÇK-ja e mirëfilltë. Natyrisht, Surroi i ka pasur lëvizjet e lira në Kosovë dhe ka parë gjendjen faktike në terren. Dhe, është bindur se nuk bëhet fjalë për ndonjë UÇK-e, siç propagandohej në sallat luksoze të Evropës, të botës dhe transmetohej, lehaqençe dhe rrast përçarëse të popullit, nga Radio-Televizioni Shqiptar, |Redaksia e Kosovës, përkatësisht, e LPK-së.

Kosharja ishte detashmenti më i organizuar ushtarak, me elementët e bollshme, për të qenë brigadë. Për të emërtuar UÇK-e, duhej të bëheshin disa brigada të kësaj përmase, që, mjerisht, nuk u bënë kurrë.

Kelmendi rob i dogmës ideologjike

"...ndonjë parti politike pacifiste e kohës, që, në fakt, ishte kundër UÇK-së", - thotë profesor Muhameti.

Mjerisht, kjo shpifje e përsëritur edhe nga bashkëpartiakët e tij, nuk ka asnjë bazë. Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), të cilat i themeloi Dr. Ibrahim Rugova, nga ku doli edhe UÇK-ja. Infrastrukturën e kësaj UÇK-je e përgaditi Kolonel Ahmet Krasniqi, minstër i Luftës. Dhe, kjo UÇK-e bazë kishte anëtarësinë e LDK-së. Kuadri i luftës, Fatmir Limaj, ka pranuar, madje, botërisht, "pothuaj se, të gjithë ushtarët na vinin nga LDK-ja". Dihet, LPK-ja nuk ka pasur anëtarësi, rrjedhimisht, as ushtri, ndërsa eksponentët e saj u komoduan në vilat e Bllokut të zi të Tiranës dhe në Hotelin "Rogner".

Dëshmi është protesta mallkuese e heroit Fehmi Lladrovcit, i cili akuzon bashkëpartiakët, pse shpenzojnë paratë e Fondit *Vendlindja thërret* bulevardeve e hoteleve të Tiranës dhe po sabotojnë luftën, duke mos hyrë në luftë vetë dhe duke penguar edhe ushtarët vullnetarë.

Rrjedhimisht, me gjithë "pacifizmin" e saj, më sakt, përgjegjësinë për popullin, Kosovën, LDK-ja e bëri paqen dhe atë luftë modeste, që është bërë në Kosovë, edhe pse bilanci është tragjik për shqiptarët. Realisht, në Kosovë, më shumë se sa lufta, ka ndodhur masakra dhe këtë e dëshmojnë shifrat, fatale për shqiptarët, përkundër "epopeve" fiktive të UÇK-së. Bilëz, përgjatë një "epopeje" të tillë, është vrarë edhe një polic serb!

Kelmendi dhe Çeku flasin për mijëra "veteranë"

Profesor Muhamet Kelmendi dhe gjeneral Agim Çeku thonë se në Kosovë ishte i gjithë populli në UÇK-e dhe meritojnë "dëshminë e veteranit", jo dhjetra mijëra, sa janë regjistruar tani, por, qindra mijëra!! I pari e don begatimin e partisë së krimit me anëtarësi; ndërsa i dyti, don shtimin e një ministrie të veteranëve, duke u bërë ai ministër. Këtë ënderr e sheh edhe kur është zgjuar nga gjumi!

Por, e vërteta është ndryshe. Reporteri i luftës, Maxhun Smajli, i cili ka bërë edhe dy libra voluminoze kronikë nga lufta, thotë se në shkurt 1999 kishte 12.820 ushtarë. Më vonë janë shtuar edhe 3.200 ushtarë. Njëkohshëm kanë dezertuar 5.700 ushtarë. Kështu që, më 09 qershor 1999, Kosova kishte 9.500 ushtarë!

Kurse, Ramushi, nga këta, kishte gjithsejt 50 ushtarë në Dukagjin. Pra, rezulton se Ramushi nuk ka qenë as komandant, por, vetëm kryeçetanik. Gazetari i luftës, Maxhun Smajli, përmend edhe faktin se gjatë luftës u vranë 820 ushtarë. Ndërsa, pas luftës  "komandantët" vranë 1.600 shqiptarë, kundërshtarë politikë!

Sipas vrojtimeve të mia, nga fillimi deri në mbarim të luftës, në shërbim të luftës kanë qenë 5.500 deri në 6.000 ushtarë, që do ta meritonin "dëshminë e veteranit". Shto edhe kaq, që kanë qenë në gadishmëri të luftës, me armë në dorë, por, jo për neglizhimin e tyre, nuk u ka ardhur rasti dhe radha, për t`i përdorur armët. Ja, pra, u bënë 12.000 ushtarë.

Rrjedhimisht, pajtohem me shefin e SHP të UÇK-së, Sylejman Selimin dhe zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin, gazetarin dhe reporterin e luftës, Maxhun Smajlin, i cili është edhe drejtpërdrejtë pjesë e luftës, por, jo edhe veteran, të cilët, përgjegjësia ushtarake, politike dhe informative, i ka lidhur edhe me shifrat e luftëtarëve në terren. Të tjerët, që flasin për numrin e ushtarëve, pjesëmarrës në luftë, nuk mund të besohen, përfshi këtu edhe gjeneral Çekun, sepse  kanë qenë shumë larg luftës.

Profesor Muhamet Kelmendi thotë: "UÇK-ja ishte e organizuar kudo ku ishte territori nën kontrollin e UÇK-së".

Broçkulla! Asnjë territor nuk ka pasur UÇK-ja nën kontroll, përjashto hapësirën e Kosharës, të çliruar me luftë. Mos, vallë, Malisheva ishte nën kontrollin e UÇK-së?! Mësyemja e parë e forcave armike, përgjaku Malishevë e Rahovec. As kufomat e burrave dhe të djemëve nuk arritën t`i varrosin.

Kemi pasur fatin e hidhur t`i presim dhe t`i strehojmë ikanakët, refugjatët, nga këto dy komuna. Një kontigjent prej 450 vetësh, i strehuam në sallën sportive në Mamurras të Kurbinit. Edhe kur u gjetëm strehë banimi, në familjet vendore, ata nuk pranonin largimin nga salla kolektive. Ata ishin, skajshëm, të traumatizuar.

Kelmendi paralajmëroi rrezikun e puçistëve të LPK-së

"Cezarit jepi atë që i takon"! Është një shprehje e njohur që nga Antika. Dhe, pas të gjitha kritikave, në adresë të profesor Kelmendit, tani duhet pranuar edhe kontributin e tij.

Është, pikërisht, profesor Muhamet Kelmendi, ai që i denoncoi, krerët puçistë, të cilët, dhunshëm, shkarkuan Kryesinë e vjetër të LPK-së, për ta sjellur klanin e Drenicës, në krye të Lëvizjes, edhe pse kontributi i tyre ishte zëro. Kelmendi ishte i pari dhe i vetmi që denoncoi dhe paralajmëroi rrezikun që po i kanosej popullit të Kosovës, nga kjo bandë, e lidhur fort me agjensitë informative të shteteve armike, përfshi edhe Tiranën zyrtare social-komuniste. Dhe, profecia, parashikimi i profesor Kelmendit, ishte i saktë.

Puçistët e LPK-së, të cilët, dy dekada më parë, krijuan bandat, brenda organizatave kriminale e terroriste SHIK dhe "Shqiponjat e zeza", kanë përgjakur Kosovën, duke vrarë, për diell e për hënë, në pusira dhe errësirë, në rrugë dhe në oborr të shtëpisë, në fshat dhe qytet, të paktën, 1.820 kundërshtarë politikë, për ta gëzuar pushtetin e gjakosur të sotëm. Dhe, sot e mbajnë të ngulfatur Kosovën tonë.

Kanë vjedhur e grabitur pasurinë e brezave shqiptarë. Kanë maltretuar dhe vazhdojnë t`i terrorizojnë shqiptarët, me haraçin zyrtar dhe privat, kanë shkelur nderin, personalitetin, dinjitetin e shqiptarëve, gjë që nuk arriti as armiku ta bëjë, deri në këtë shkallë.

Megjithatë, profesor Kelmendi, ka zvetnuar kontributin e tij të hershëm, ka shkelur parimet, për interesa ideologjike e vetjake, duke milituar në njërën nga partitë-banda, e cila është pjesë e gjakosjes të popullit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat