“E eliminuan fizikisht që me terror dhe frikë ta merrnin pushtetin”/ Kush e vrau Ismet Rracin? “Enigma” e pazgjidhur tash e 23 vjet?

Politika

“E eliminuan fizikisht që me terror dhe frikë ta merrnin pushtetin”/ Kush e vrau Ismet Rracin? “Enigma” e pazgjidhur tash e 23 vjet?

Nga: M.Lakna Më: 25 prill 2024 Në ora: 16:47
Ismet Rraci

Dje janë mbushur plot 23 vjet nga vrasja e Ismet Rracit, kryetar i degës së LDK-së në Klinë, si dhe kryetar i Komunës së Klinës e themelues i LDK-së.

Ismet Rraci u bra në “stilin” e njëjtë sikurse u vranë edhe veprimtarë të tjerë të LDK-së pasluftës në Kosovë.

Vrasja makabër ndodhi pranë banesës së tij.

Vrasësit e Ismet Rracit mbesin ende të panjohur dhe drejtësia nuk ka treguar rezultat në hetimin e këtij rasti.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk ka kthyer përgjigje për gazetën “Bota sot” në lidhje me hetimet dhe ecurinë e zbardhjes së rastit.

Kohë më parë, Alban Rraci djali i kryetarit Ismet Rraci pati deklaruar se në vrasjen e babait kishin dorë edhe elementë të krimit në Shërbimin Policor të Kosovës.

Po ashtu kishte kërkuar nga EULEX-i hapjen e hetimeve.

Në një tubim zgjedhor të LDK-së në Klinë, në vitin 2000, në prani të policisë që mbante rendin, ishte hedhur një bombë, dhe për këtë nuk ishte arrestuar askush.

Lidhur me këtë rast për gazetën “Bota sot”, foli Saim Tahiraj, ish-bashkëluftëtar i heroit Sali Çeku.

Ai tha se Ismet Rraci u vra vetëm pse ishte bashkëpunëtor i Presidentit Rugova.

“Sot mbushen 23 vite nga dita kur në mënyrë mizore u vra aktivisti, funksionari dhe politikani demokrat Ismet Rraci. Në një pritë të tinëzare, pabesisht u ekzekutua, vetëm pse ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova dhe funksionar i LDK-së. Kriminelët janë të ligjshëm, vrasin në pabesi, në prita të tinëzare sepse nuk kanë guxim as burrinë të dalin përballë, siç e ka tradita Shqiptari”, theksoi Tahiraj.

Image
Saim Tahiraj, ish-bashkëluftëtar i heroit Sali Çeku.

Më tej ai u shpreh se vrasja e Ismet Rracit ishte vrasje në vazhdim të vrasjeve politike që për qëllim kishin marrjen e pushtetit me dhunë. 

“Ata nuk kishin fuqinë që në rrugën demokratike ta merrnin pushtetin. Këtë ja pamundësonte fuqia absolute që kishte Presidenti Rugova nga mbështetja gjithë popullore”, është shprehur ai.

Tahiraj theksoi se Ismet Rracin e kujtojnë si një demokrat, burrë i vendosur dhe si një shqiptar të madh.

“Pikërisht këto virtyte të larta që kishte ishin pengesë për bandat kriminale, andaj e eliminuan fizikisht që me terror dhe frikë ta merrnin pushtetin. Si shumë vrasje tjera politike që nuk u zbuluan, edhe kjo vrasje mbetet e mjegulluar dhe e pazbuluar tërësisht. Kjo ndodh për arsye se pushteti politik, ekzekutiv dhe drejtësia në Kosovë ishin dhe vazhdojnë të jenë të kapura nga këto banda. Shpresa e vetme mbetet Gjykata Speciale. Uroj që të gjitha këto vrasje politike të trajtohen nga kjo gjykatë dhe drejtësia të vendoset në vend”, ka përfunduar Tahiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat