“Kosova nuk është një ‘kockë’ aq e lehtë”/ Paralajmërohet Serbia: SHBA-të dhe Evropa përfundimisht kanë vendosur të reagojnë

Politika

“Kosova nuk është një ‘kockë’ aq e lehtë”/ Paralajmërohet Serbia: SHBA-të dhe Evropa përfundimisht kanë vendosur të reagojnë

Nga: M.L Më: 20 prill 2024 Në ora: 10:11
Aleksandar Vuçiq, Albin Kurti

Të shtunën mbushen një javë që kur Republika Islamike e Iranit sulmoi Izraelin me mbi 300 dronë dhe raketa të llojeve të ndryshme.

Bota u vu në alarm, por Irani kishte njoftuar nga ana e tij 48 orë më parë për sulmin në fjalë.

Në këto 48 orë kishte kohë të mjaftueshme që Izraeli dhe aleatët e tij amerikanë e europianë të përgatiteshin për të përballuar sulmet në fjalë.

Këto zhvillime për gazetën “Bota sot” i komentoi profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Dr. Enver Bytyçi.  

“Sulmet me dronë dhe raketa të Iranit kundër Izraelit ishin akt i paprecedentë në shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Por për mua edhe sulmi i Izraelit më 1 prill kundër konsullatës iraniane në Siri dhe vrasja e 16 personave aty ishte shkelje e sovranitetit të Iranit, sepse në ligjin ndërkombëtar ambasadat, legatat dhe konsullatat janë pronë e shteteve që ato përfaqësojnë.

Megjithatë sulmi me aq shumë dronë e raketa ishte disproporcional. Dhe në këtë rast mund të bëjmë një paralele midia aktit terrorist të Hamasit më 7 tetor dhe sulmit të Izraelit kundër konsullatës iraniane më 1 prill. Por si reagimi i Izraelit në Gaza edhe reagimi i Teheranit kundër Izraelit ishin dhe mbeten jo-proporcionale. Dhe kur e drejta tejkalohet, atëherë ajo kthehet në të kundërtën e vet, thoshte Eskili i antikitetit grek. Por le të flasim për implikimet që shkakton një situatë e tillë”, shprehet ai.

Bytyçi thekson se ajo që ndodhi me parandalimin e dronëve dhe raketave iraniane ishte një mrekulli e aftësisë amerikane, izraelite, britanike e europiane në përgjithësi.

“Asgjësimi thuajse i të gjitha sulmeve në ajër, shumica e të cilave pa mbërritur në territorin izraelit, ishte vërtet një sukses spektakolar”, ka nënvizuar profesori.

Mesazhi sipas Dr. Bytyçit tashmë është dhënë dhe ai mesazh shkon në disa drejtime:

“Së pari, Irani kuptoi se nuk mund të përballet me fuqinë e teknologjinë perendimore, nëse tenton të destabilizojë rajonin. Së dyti, Izraeli kuptoi ose duhet të ketë kuptuar se nuk ia del dot i vetëm në aventurat e veta në konfliktet që ai dëshiron të shkaktojë në rajon. Tal Avivi ka nevojë për Amerikën dhe aleatët europianë dhe nuk mund t’i injorojë ata, siç ka ndodhur në konfliktin e Gazas. Së treti, Rusia e Vladimir Putin duhet të ketë kuptuar më në fund se çfarëdo konflikti e lufte që mund të shkaktojë kundër NATO, do të jetë i humbur në mënyrë të pashmangshme.

Ajo që pres tashmë është që Tel Avivi të kuptojë se është koha e fundit që të mendojë për t’i thënë po një zgjidhje, e cila përfundon me krijimin e shtetit palestinez. Pra, jo vetëm që duhet t’i japë fund luftës në Gaza, por duhet të pajtohet patjetër me zgjidhjen sipas propozimeve ndërkombëtare. Izraeli duhet të kuptojë se aleancat nuk janë të përhershme, pavarësisht sjelljes së tij në dëm të stabilitetit e paqes në Lindjen e Mesme. Ky mësim vjen nga akti i së shtunës së kaluar. Ndërkohë SHBA-të dhe vendet europiane kanë bërë me dije se duhet të mbyllet këtu kjo histori me dronë dhe raketa iraniane. D.m.th. që konflikti nuk duhet të vazhdojë më tej. Unë besoj se këtë mesazh e kuptojnë edhe iranianët, edhe izraelitët.”, ka theksuar ai.

Në këto kushte, dështimin e Iranit dhe asgjësimin e mjeteve të tij sulmuese ai i konsideron si fat në fatkeqësi.

“Në fakt ishte një fatkeqësi që solli fat, sepse dëshmoi forcën e padiskutueshme dhe prefosionalizmin perfekt të forcave ushtarake mbrojtëse të Perëndimit dhe SHBA-ve”, ka theksuar Bytyçi.

Kjo arritje, sipas profesorit është paralajmërim në fakt për të gjithë ata aktorë dhe faktorë që përpiqen të destabilizojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në botë e rajone të ndryshme të saj, duke përfshirë këtu edhe Serbinë genocidiale.

“Serbia dhe presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq, kanë kuptuar më 24 shtator të vitit të kaluar, se Kosova nuk është një kockë aq e lehtë sa e kanë menduar ata. Profesionalizmi i policisë së Kosovës për të neutralizuar aktin terrorist dhe grupin terrorist serb atë ditë shënoi kthesën në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Ishte ajo ngjarje që i dha impulse ngjarjes që po ndodh sot në Strasburg, ku po diskutohet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka potencuar ai.

Tani, sipas Dr. Bytyçit,  rasti i asgjësimit të dronëve dhe raketave iraniane në ajër është paralajmërim për Serbinë dhe Vuçiq, se këta nuk do të kenë asnjë mundësi reale të destabilizojnë Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi dhe rajonin tonë.

“SHBA-të dhe Evropa përfundimisht kanë vendosur të reagojnë me vendosmëri. Ky është mesazhi më i rëndësishëm i këtyre veprimeve. Prandaj dhe Kosova do të duhet ta shfrytëzojë këtë situatë në favor të shtetësisë së saj. Por nuk duhet të mendojë se gjithçka tashmë është në favorin e saj dhe të veprojë me naivitet në zgjidhjen e konflikteve që provokon vazhdimisht Serbia. Pranimi në KiE nuk është kalashnikov në duart e Kosovës, është obligim për politikë më të suksesshme në favor të paqes, stabilitetit e sigurisë. Është edhe patentë e padiskutueshme në mbrojtje të shtetësisë dhe integritetit territorial. Por jo edhe leje për aventurë”, përfundoi ai.

Ndryshe, Izraeli ishte zotuar se Irani do të paguante për sulmin e paprecedentë me dronë dhe me raketa ndaj tij, më 13 prill.

Por, përgjigja e dyshuar ushtarake e Izraelit, në orët e hershme të 19 prillit, u duk se ishte e kufizuar për nga pesha dhe shtrirja, dhe se kishte për qëllim uljen e tensioneve me Iranin.

Teherani tha se ka rrëzuar tre dronë jashtë qytetit qendror të Isfahanit, ku ndodhen objekte të rëndësishme ushtarake dhe bërthamore. Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë thanë se Izraeli përdori raketa në kuadër të sulmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat