Prof. dr. Ymeri tregon zgjidhjen se si Kosova mund të shpëtojë nga Asociacioni, ndërsa paralajmëron rrezik të madh nga ai nëse realizohet

Politika

Prof. dr. Ymeri tregon zgjidhjen se si Kosova mund të shpëtojë nga Asociacioni, ndërsa paralajmëron rrezik të madh nga ai nëse realizohet

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 27 prill 2024 Në ora: 08:32
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kosovës po i kërkohet urgjentisht të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Dhe kjo thirrje erdhi nda ndihmës-sekretari amerikan, James O’Brien.

Ai në rrjetet sociale të mërkurën shkroi se Kosova duhet të përparojë urgjentisht drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai i bëri këto komente dhe njoftoi se është takuar në

Gjermani me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka siguruar për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

“Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e zotimeve që dalin nga bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë përparimin urgjent drejt Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka shkruar ai.

Megjithëse, themelimi i këtij mekanizmi është pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, për të cilën palët u pajtuan vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër, ende nuk ka pasur diçka në këtë drejtim.

Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan palëve një projekt statut të Asociacionit dhe e siguruan Kosovën se nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Mirëpo, çka saktësisht nënkupton Asociacioni i Komunave me shumicë serbe?

Lidhur me këtë ҫështje, në një përgjigje për ‘Bota sot’ ka sqaruar Prof. Dr. Eshref Ymeri. Ai ka paralajmëruar një rrezik për Kosovën nëse formohet ky asociacion,  derisa thotë se po kërkohet nga departamenti amerikan, që sipas tij më nuk udhëhiqet nga politika e Madelin Olbright dhe George Bush, por nga politike pro serbe e Sorosit.

Prof. Dr. Ymeri: Ajo tashmë është një politikë proserbe, sepse komandohet nga Xhorxh Sorosi, miku i Serbisë

“Treshja e politikës në krye të Dardanisë - Osmani, Kurti, Konjufca, ashtu si edhe Gazeta juaj e nderuar “Bota Sot”, me siguri që e kanë të qartë që politika e jashtme amerikane ka ndryshuar kryekëput në qëndrimin ndaj kombit shqiptar. Ajo tashmë është një politikë proserbe, sepse komandohet nga Xhorxh Sorosi, miku i Serbisë. Pra, ajo politikë nuk është më si e kohës së Madlin Ollbrajtit dhe Xhorxh Bushit, i cili, gjatë vizitës në Tiranë, e pyeti kryeministrin Berisha: “Kur e doni pavarësinë e Kosovës?”, thekson ai.

Image
Prof. dr. Ymeri

Por ai thotë se edhe më antishqiptare do të jetë kjo politikë, nëse zgjedhjet e ardhshme i fiton ish Presidenti Donald Trump.

“Por politika e Departamentit të Shtetit ndaj Republikës së Dardanisë do të jetë edhe më shumë antishqiptare, nëse në zgjedhjet e nëntorit do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë Trampi, i cili, që në dhjetorin e vitit 2015, i pati kërkuar falje publike Serbisë për bombardimet e NATO-s”, vlerëson ai.

Ndërkaq i pyetur se si Kosova mund ta përballojë këtë presion nga ndërkombëtarët për themelimin e Asociacionit, Prof. Dr. Ymeri tregon zgjidhjen që mund ta bëjë Kosova.

“Në këto kushte, për t’i shpërfillur haptazi presionet e ambasadorëve amerikanë, të mercenarit të Serbisë, Escobarit, dhe të Brukselit, treshja udhëheqëse, siç e kam thënë shpeshherë publikisht në internet (çka duhet t’ia kërkoni edhe ju, si gazetë), duhet të organizojë referendum, duke ju drejtuar popullit me pyetjen se ç’ mendon për krijimin e asociacionit”, thotë ai.

Sipas tij, në këtë mënyrë kur të marr përgjigjen negative, treshja udhëheqëse e dialogut duhet të tregojë që mbi vullnetin e popullit nuk ngrihet asnjë autoritet.

“Pasi të marrë me siguri përgjigjen negative nga shumica dërrmuese e populli, ajo treshe udhëheqëse t’i thotë Uashingtonit dhe Brukselit se mbi vullnetin e popullit nuk ngrihet kurrfarë autoriteti, qoftë edhe Hyjnia vetë. Kështu i vihet vula një herë e mirë problemit të asociacionit, i cili, në të vërtetë, po të krijohej, do të jetë një shtet varrmihës serb brenda shtetit të Republikës së Dardanisë”, vlerëson Prof.Dr. Ymeri.

Burjani: Presioni mund të përballohet vetëm me qartësim të plotë të këtij entiteti

Për këtë ҫështje ka folur po ashtu edhe profesori i juridikut, Blerim Burjani. Ai thotë se, Asociacioni sipas perëndimorëve është jo i frikshëm për rendin kushtetues.

Image
Blerim Burjani

“Sipas mendimit tim ky asociacion është abstrakt, në mes konfuzitetit dhe realitetit që mund të shërbejë për mirëqenie të qytetarëve, përplot dilema, por edhe frikë që mund të jetë kushtetues. Perëndimit nuk i intereson edhe aq atakimi kushtetues, edhe drafti i tanishëm evropian është i çuditshëm, ku përmendet Rezoluta 1244, e Kosova është shtet i pavarur plotësisht, i njohur nga 117 shtete, pastaj arbitrazhi është i papranueshëm, atakon plotësisht dhe direkt rregullimin shtetëror”, vlerëson ai.

Ndërkaq sa i përket presionit që po vjen nga ndërkombëtarët për të themeluar këtë Asociacion, profesor Burjani thotë se, fillimisht duhet sqaruar tërësisht si çështje.

“Presioni mund të përballohet vetëm me qartësim të plotë të këtij entiteti, ҫfarë është baza kushtetuese, pra neni i bazimit duhet të jetë i saktë pa konfuzitet. Atëherë më lehtë është të nxjerret vendimi se çfarë duhet bërë dhe nëse duhet themeluar a jo”, thekson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat