Ushtria serbe, manovra dhe provokime– Kosova e kërcënuar, kërkohet reagim i ndërkombëtarëve!

Politika

Ushtria serbe, manovra dhe provokime– Kosova e kërcënuar, kërkohet reagim i ndërkombëtarëve!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 prill 2024 Në ora: 13:26
Foto nga vendi i ngjarjes

Së fundi, një numër i madh i ushtarëve serbë është parë në Bujanovc.

Kjo prezencë e shtuar e ushtrisë serbe, po vlerësohet si kërcënim ndaj Kosovës, e goditje për prishje të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në rrjetet sociale janë shpërndarë shumë video ku shihen tanke të ushtrisë serbe.

Qytetarët të cilët kanë shpërndarë këto video, thanë kjo prani ushtarake në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë është duke u rritur çdo ditë e më shumë.

Për çka edhe ka shkaktuar shqetësim për ta, të cilët kanë kërkuar reagimin e autoriteteve në Kosovë dhe të ndërkombëtarëve.

Kurse, sot (e premte 19 prill) Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se ushtria serbe vetëm 30 kilometra larg kufirit të Kosovës është duke zhvilluar ushtrimin kryesor të tyre ushtarak.

Ai ka thënë se ata janë duke bërë ushtrime me dronë luftarak kamikaz.

Ai ka thënë se këto ushtrime janë duke u zhvilluar vetëm 3 kilometra larg kufirit me Malin e Zi dhe se me këto sjellje Serbia po tregon që është aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“30 kilometra larg kufirit të Kosovës në Pjeshtër të Sanxhakut është duke u zhvilluar dita mbase kryesore e ushtrimit të tyre ushtarak të quajtur “Vihor 2024” ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarak kamikaz dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime përveq se është 30 km larg kufirit të Kosovës është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori, aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë të cilën nuk e njeh por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë. Ushtrimi që po e behet në Peshtër të Sanxhakut, pra paraqet kërcënim, ndërkaq në anë tjetër, paraqet edhe ndotjen më të madhe të ajrit e tokës në Sanxhak”, ka thënë ai.

Pas këtyre zhvillimeve, njohësit e çështjeve të sigurisë kërkuan reagim nga Kosova dhe bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë.

Gjithashtu, nuk u përjashtua edhe mundësia e një sulmi të Serbisë ndaj Kosovës.

Softa: NATO dhe SHBA e monitorojnë situatën, çdo sulm apo provokim ushtarak do të ketë reagim

Kurse, eksperti i sigurisë, Fatjon Softa në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se ekziston rreziku që Serbia të sulmojë Kosovën, kjo bazuar në situatën gjeopolitike në botë dhe luftërat e ndryshme që po zhvillohen.

Image
Fatjon Softa

Megjithatë, ai vlerëson se NATO me Amerikën po e mbikëqyrin situatën dhe se në rast të ndonjë sulmi ushtarak edhe do reagojnë.

Situata në botë ka ndryshuar shumë pas fillimit të luftës në Ukrainë, Izrael-Palestinë dhe tashmë Izrael-Iran, ka rritur mundësitë e konflikteve të reja, Kina mund të sulmojë Tajvanin, dhe Serbia Kosovën.

Kemi një ngjasim me Ukrainën, manovra të tilla bënte Rusia dhe një ditë nisi pushtimin. Të njëjtën gjë po bën dhe Kina, manovra, provokime dhe rreziku të sulmojë brenda verës së këtij viti është i mundur.

Serbia sa herë ka konflikte, afron ushtrinë, bën presione në kufij, me mundësinë të prishë paqen në Ballkan dhe të hapë konflikte të reja

Mendoj që NATO dhe SHBA e monitorojnë situatën, çdo sulm apo provokim ushtarak do të ketë reagim”, deklaroi eksperti.

Krahas kësaj, Softa kërkoi nga Kosova bashkëpunim me ndërkombëtarët dhe t’i shpërndajë informacionet për lëvizjes e ushtrisë serbe afër kufirit, ku në atë pjesë edhe të përqendrohen forcat ushtarake.

“Kosova duhet që këtë informacion apo videot që vijnë nga qytetarët duhet t’i vlerësoj, informojë partnerët dhe të përqendrojë forca në këtë pjesë të kufirit të saj për të përballuar çdo tentativë të mundshme.

Vuçiq pret formimin e Qeverisë para festave të majit, Kosova duhet të përgatitet për çdo situatë.

Të shoh shërbimin e detyrueshëm, shërbime të rezervistëve, të shoh kapacitetet e strehimit të popullatës, të mos fokusohen tek dronët, lufta është një opsion në shumë pika të nxehta të globit dhe rreziku serb është më i madh se kurrë”.

Gjithashtu, eksperti i sigurisë duke analizuar situatën, tha se në rast se ka rreziku është real të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Duhet të punohet për gjendjen e brendshme, të shikojnë rezervat ushqimore dhe trajtimit të popullatës në rast lufte

Atë po bëjnë edhe shumë shtete të NATO-s në Evropë, jo vetëm blerje armatimi.

Kosova duhet të ketë forcat dhe kapacitetet e saj që të kryejnë veprime edhe në mënyrë të pavarur, si në përballimin e një agresioni të mundshëm

Nëse ka vend për shqetësim, dhe shqetësimi është real, të mblidhet dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare”, përmbylli Fatjon Softa për “Bota sot”.

Shala: “Whirlwind 2024” -Stërvitja Ushtarake Serbe nga 08.04.2024 deri 21.04 2024

E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

Së pari, ai potencoi se lëvizjet e ushtrisë serbe në Bujanoc ndërlidhen me një stërvitje ushtarake serbe, që do zgjasë disa ditë.

Në bazë të udhëzimit të Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe Presidentit të Republikës, Aleksandar Vuçiq, më 8 prill herët në mëngjes ka filluar ekzekutimi i stërvitjes taktike të përbashkët në shumë nivele “Whirlwind 2024”, në hapësirën ajrore dhe në rrugët ujore të brendshme të Republikës së Serbisë.

Stërvitja zgjat deri më 21 prill dhe do të jetë një nga stërvitjet më të mëdha dhe më gjithëpërfshirëse që Forcat e Armatosura të Serbisë kanë zhvilluar ndonjëherë për sa i përket numrit dhe diversitetit të forcave luftarake të angazhuara”, deklaroi eksperti.

Po ashtu, Shala potencoi se përputhje me skenarin e përshtatur, komandat dhe njësitë duhet të kryejnë një sërë misionesh taktike.

“Kapacitetet operacionale të Ushtrisë dhe Forcave Ajrore të Forcave tona të Armatosura po marrin pjesë në stërvitje me synimin për të përmirësuar më tej aftësitë dhe aftësitë e komandave dhe njësive për përgatitjen dhe ekzekutimin e operacioneve luftarake, organizimin e ndërveprueshmërisë, bashkëpunimit dhe mbrojtjes së forcave, si. si dhe kontrollin e territorit dhe mbështetje logjistike ndaj forcave në Zonën e Operacionit.

Në përputhje me skenarin e përshtatur me kushtet që mund të priten në një situatë reale, komandat dhe njësitë duhet të kryejnë një sërë misionesh taktike dhe të armëve të zjarrit në lidhje me planifikimin dhe ekzekutimin e operacioneve të reagimit ndaj krizave”.

Tutje, eksperti i sigurisë, Drizan Shala potencoi se rëndësia e kësaj stërvitje është e madhe për gatishmërinë e përgjithshme luftarake të ushtrisë serbe.

“Stërvitjet e përbashkëta taktike të armëve të kombinuara, duke përfshirë, nëse është e nevojshme, edhe forca të tjera të sistemit të mbrojtjes, janë një formë e pazëvendësueshme e stërvitjes në Forcat e Armatosura Serbe. Ekzekutimi i tyre u mundëson komandave dhe njësive të arrijnë një nivel të lartë kompetence për kryerjen e detyrave në ndërveprueshmëri, gjë që është me rëndësi të madhe për gatishmërinë e përgjithshme luftarake të Forcave të Armatosura Serbe.

Njësitë e involvuar:

Forca Ajrore dhe Mbrojtja Ajrore, Ushtria,

Brigada e Operacioneve Speciale 72,

Brigada e 63 e Parashutave,

Detashmenti i MP Kobre”.

Ndër të tjera, bazuar në këto stërvitje, ai kërkoi nga Kosova që ta rrisë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtar, në mënyrë që këto ushtrime ushtarake mos të kenë fare ndikim në cenimin e sigurisë sonë.

Në “Peshter”, “Pasuljanske Livade” dhe “Međa” janë përdorur tanke, mjete luftarake këmbësorie, mjete luftarake të reja të blinduara, sisteme kundërtanke, mortaja, granatahedhës automatike dhe armë të ndryshme të vogla.

A na dërgon kjo stërvitje ushtarake një mesazh në këtë fazë politike për rajonin dhe gjithashtu për sigurinë e vendeve që e rrethojnë me Serbinë?

A është doktrina ruse pas veprimeve brenda ushtrisë serbe si ajo që ndodhi në Ukrainë? Kjo mbetet për të analizuar në një periudhë të caktuar.

Shteti i Kosovës duhet që të ngrit bashkëpunimin e saj me partnerët që këto ushtrime ushtarake mos të kenë fare ndikim në cenimin e sigurisë sonë”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat