Kosova Lindore mbetet jashtë diskutimeve në dialog - Bota Sot
Kosova Lindore mbetet jashtë diskutimeve në dialog

Politika

E shtunë, 21 korrik 2018

Kosova Lindore mbetet jashtë diskutimeve në dialog

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 4 korrik 2018 Në ora: 22:36
Presheva

Që në fillimin e bisedimeve në Bruksel, çështja e Kosovës Lindore ka qenë dashur të ishte temë kryesore. Ekipi negociator do duhej të veprojë vëmendshëm, sepse prekja kufijve është kafshatë që i mbetet në fyt. Në kohën kur po zhvillohet faza e fundit e dialogut Kosovë – Serbi, duhet domosdo ti jepet rëndësi edhe çështjes së Kosovës Lindore. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve politike dhe profile të ndryshme nga skena politike. Sipas tyre, Serbia nuk është e interesuar që të shkëmbej territore, por që ta ndaj Kosovën, gjegjësisht veriun e saj dhe t’ia bashkëngjisë Serbisë, gjoja si një lloj kompromisi që për Beogradin zyrtar do të ishte i pranueshëm.

Ekipi negociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë, nuk ka bërë ndonjë plan se si do të jetë pozita e shqiptarëve të Kosovës Lindore gjegjësisht, Luginës së Preshevës, pas përfundimit të dialogut.

I kontaktuar nga “ Bota sot”, Avni Arifi shef i negociatave me Serbinë, dhe këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, nuk është përgjigjur, nëse kjo çështje është e përfshirë në fazën finale të dialogut me Serbinë.

Image
Gjergj Dedaj

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Gjergj Dedaj, ka thënë për “Bota sot”  se çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës duhet të jetë temë e negociatave ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.

 Liderët e Luginës duhet të jenë më kërkues në realizimin e statusit të tyre politik

Sipas tij, nëse komuniteti pakicë serb në Kosovë kërkon dhe insiston realizimin e aspiratave politike brenda për brenda Republikës së Kosovës është imediate që paralel kësaj të kërkohet edhe realizimi dhe respektimi i të drejtave politike dhe demokratike edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Ekipi negociator i Kosovës duhet ta shtrojë si çështje të pa zgjidhur dhe detyrimisht ta vë në agjendën e bisedimeve çështjen e Luginës së Preshevës dhe se nuk do duhej të pranohej Asociacioni i Komunave serbe brenda shtetit tonë sovran pa dhënien e një statusi politik Luginës së Preshevës komfor standardëve demokratike Evropiane dhe të drejtës ndërkombëtare për vetëqeverisje. Liderët e Luginës duhet të jenë më kërkues dhe më këmbëngulës në realizimin e statusit të tyre politik, e pse jo të kërkojnë që eventualisht në fazën finale të negociatave të përfshihen drejtpërdrejtë në bisedime për çështjen e Luginës së Preshevës, si një problem real i cili meriton zgjidhje afatgjate”, ka thënë Dedaj.

Lugina e Preshevës është çështje që duhet të trajtohet me kujdes dhe jo vetëm në çështje ekonomike, por edhe në atë politike duhet të ketë reciprocitet.

Image
Drita Millaku

Millaku: Këto bisedime kanë qenë jo parimore  

Kështu ka vlerësuar deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Drita Millaku, ku sipas saj, dialogu me Serbinë nuk ka filluar mirë pasi që temë e bisedimeve kanë qenë vetëm problemet e brendshme të Kosovës.

“Këto bisedime kanë qenë jo parimore pasi që Kosova është shtet dhe për problemet e brendshme nuk do të duhej të diskutohej fare”, është shprehur deputetja Millaku.

Analisti politik Skender Zogaj, ka pohuar se në dialogut me Serbinë çështja e Kosovës Lindore, ka qenë dashur të ishte kryesorja.

Image
Skender Zogaj

“Që në fillimin e bisedimeve, çështja e Kosovës Lindore ka qenë dashur të ishte kryesorja të cilat për fatin e keq, u nisën si mos më keq, me Edita Tahirin si negociatore, e cila që në start nisi me gënjeshtrën se bisedimet ishin teknike, që e shpërfilli kriterin e bisedimeve, kjo për faktin se në bisedime teknike nuk mund të hynin temat politike dhe ato historike, siç është Kosova Lindore - me trevën shqiptare të Luginës së Preshevës të aneksuar nga Serbia. Kjo nuk ka ndodhur në çastin e duhur dhe tash është vonë sepse, Serbia e ka shfrytëzuar momentin për ta anashkaluar këtë temë me zhdërvjelltësi, duke ia ngulur dhëmbët Veriut të Kosovës”, ka thënë Zogaj.

Ekipi negociator duhet të veproj vëmendshëm

Sipas tij, pikërisht për këtë Kosova Lindore kësaj radhe mbetet të vazhdojë mbetjen nën zgjedhën serbe por më një mbikëqyrje të re ndërkombëtare, e cila është shumë shpresëdhënëse që të drejtat e shqiptarëve atje të mbrohen më mirë se kurdoherë.

“Po them kështu sepse, pas normalizimit të marrëdhënieve Kosovë - Serbi, do të mund të forcohet reciprociteti i trajtimit të barabartë të serbëve të Kosovës me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ekipi negociator duhet të veproj vëmendshëm, sepse prekja kufijve është kafshatë që i mbetet në fyt”, është shprehur analisti Zogaj.

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, ka thënë se, negociatorët e Kosovës do jenë inferior me Serbinë edhe ndaj shtetit të tyre e jo më ndaj Luginës, as që do bisedohet për këtë çështje neurologjike.

Reciprocitet

Ai ka thënë se, sikur mos të ishin inferior përfaqësuesit e Kosovës do kërkonin që shqiptarët e Luginës të kishin statusin e njëllojtë të komunave sikurse serbët e Kosovës; një me një e të barabartë: Si shqiptarët e Kosovës Lindore, ashtu dhe serbët e Kosovës.

“Presidenti e Qeveria e Kosovës nëse me të vërtetë ia duan të mirën Kosovës atëherë "hapëlla" e pa ekuivokë duhet bërë me dije delegacionit serb se nuk ka të drejta serbe në Kosovë, pa të drejtat shqiptare në Luginë. Kurse, sa për shkëmbim territoresh kjo s'bëhet politikisht, për shkak se serbët i duan të dyja edhe Luginën e Kosovës Lindore, edhe serbët e Kosovës për shkak të gjenit të tyre të ashpër serb”, është shprehur njohësi i çështjeve politike Mehazi.

Politologu Faik Krasniqi, vlerëson se, Kosova duhet t’i vë reciprocitet Serbisë, çfarë ofron Kosova për pakicën serbe, ashtu duhet edhe Serbia të ofrojë për shqiptarët e Kosovës Lindore, pasi pakica shqiptare në Kosovën Lindore ka shumë ngecje.

Kushtëzimi duhet të bëhet me presion nga ekipi negociator i Kosovës

Image
Faik Krasniqi

Ai konsideron se, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, Bashkimi Evropian duhet ta kushtëzojë Serbinë që t’i respektojë të drejtat e pakicës shqiptare atje.

Kushtëzimi duhet të bëhet me presion nga ekipi negociator i Kosovës drejt BE-së, në mënyrë që BE-ja ta detyrojë Serbinë që shqiptarët atje të trajtohen baras sikurse që trajtohen serbët në Kosovë.

“Përndryshe, as Kosova s'ka pse t'i respektojë të drejtat e serbëve të Kosovës. Por edhe nëse bisedohet me Serbinë për shkëmbim territoresh ashtu siç është spekuluar, edhe pse nuk besoj që do të ndodh një gjë e tillë, patjetër që duhet të futet në agjendë edhe Kosova Lindore, se ajo pjesë i ka takuar gjithmonë Kosovës, gjithmonë ka qenë në sovranitetin në Kosovë. Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t'i takojnë Kosovës, kurse Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani Serbisë”, ka thënë politologu Krasniqi.

Image
Blerim Burjani

 Palë e dobët e Kosovës në dialog

Kurse, njohësi i çështjeve proklitike dhe juridike, Blerim Burjani, ka thënë se Kosova fatkeqësisht nuk ka pasur një iniciativë që në Bruksel të trajtojë çështjen e Kosovës Lindore.

“Pra komunat shqiptare të etura nën sovranitetin serb, Bujanovci, Presheva dhe Medvegja deri më tash asnjëherë në Bruksel nuk e ngritën këtë çështje. Pasi  atje deri më tash siç e dimë është folur vetëm për pakicën serbe, që jetojnë në Kosovë. Ky është gabim i madh për shkak se sot nuk dihet se cilat janë problemet që duhet zgjidhur me Serbinë apo me pakicën serbe. Kjo asnjëherë nuk është definuar, andaj mendoj se duhet saktë të dihet problemi, se a janë serbet e Kosovës që po trajtohen apo po trajtohet Serbia në Kosovë? Pala e Kosovës ka probleme të mëdha sepse ishte e dobët dhe katastrofale në këtë dialog”, ka thënë njohësi i çështje politike Blerim Burjani.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test