Kosovës i kanosen kompromise të dhimbshme në dialogun me Serbinë

Politika

Kosovës i kanosen kompromise të dhimbshme në dialogun me Serbinë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 qershor 2018 Në ora: 08:10
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuqiç

“Duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat, Kosova nuk duhet të shkojë në dialog pa platformë të qartë dhe konkrete që respekton vullnetin e popullit, që respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe subjektivitetin ndërkombëtar. Në këtë Dialog, Kosovën duhet ta përfaqësojnë personalitete të spikatura, të ndershme, të përkushtuara dhe pa asnjë njollë në biografinë e tyre, e cila në rastin e kundërt do të përdorej si shantazh për lëshim pe e kompromise të dhimbshme”, ka përfunduar politologu Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Të dielën do të mbahet takimi në Bruksel në kuadër të dialogut, në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksander Vuçiq, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Takimi që do të mbahet pas një periudhe kohore prej tre muajsh, do të ketë në fokus diskutimin mbi marrëveshjet e arritura deri më tani, sfidat e zbatimin e tyre si dhe hapat e mëtejmë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Presidenti Thaçi ka thënë se në këtë takim do të shikohen mundësitë për implementimin e marrëveshjeve të arritura deri tani, por dhe për të hapur një kapitur të ri të bisedimeve, atë të fazës finale.

Se çfarë pritet nga ky takim dhe sa ka mundësi që të ketë normalizim të marrëdhënieve në mes të dyja shteteve, flasin deputetë dhe analistë.

Image
Naser Rugova

Rugova: Platforma duhet të miratohet në Kuvend

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk pret shumë nga ky takim dhe se normalizimi do të ndodhë pas një konsensusi politik dhe nacional në të dyja vendet.

“Personalisht nuk pres shumë nga ky takim, normalizimi i marrëdhënieve do të ndodhë pas një konsensusi politik dhe nacional në të dy vendet, në rastin e vendit tonë miratimi në Kuvend me 2/3 i një platforme gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, nënshkrimi i marrëveshjes si dy shtete sovrane me garanca të forta ndërkombëtare dhe tek pastaj mund të ketë normalizim marrëdhëniesh bilaterale”, ka deklaruar Rugova.

Kurse, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, vlerëson se dialogu do të vazhdojë në mënyrë që të përmbyllet me normalizim të raporteve dhe njohje reciproke të pavarësisë dhe nuk do të jetë e lehtë, por do të jetë mirë për të dyja vendet.

Image
Time Kadrijaj

“Bisedimet duhet të vazhdojnë në mënyrë që ky proces të përmbyllet ashtu siç është paraparë: Normalizim të raporteve dhe njohje reciproke të pavarësisë. Asgjë s’do të jetë e lehtë e për atë po kërkohet konsensus. Mendoj që është momenti i fundit dhe dakordanc që ky proces të përmbyllet. Ne jemi përcaktuar për rrugën evropiane dhe po punojmë në atë drejtim. Po ashtu, Kosova do angazhohet për shtet funksional dhe respektim të tërësisë territoriale. Sa më parë që kjo ndodhë, do jetë mirë për dy vendet”, është shprehur deputetja Kadrijaj.

Protagonizmi i Thaçit në dialog

Në anën tjetër, politologu Ramush Tahiri, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se në takimin e të dielës nuk pritet të ndodhë asgjë e jashtëzakonshme.

“Asgjë e jashtëzakonshme nuk pritet nga takimi i radhës ndërmjet presidentëve Thaçi e Vuçiq. Bashkimi Evropian është shumë i kënaqur që dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po vazhdon si në nivelin teknik ashtu edhe në formatin politik tash në nivelin më të lartë, pra të Presidentëve që për momentin janë figurat me forta dhe më me ndikim në vendet e tyre”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, për BE-në është sukses që e sheh dialogun si mundësinë e vetme për normalizim të marrëdhënieve dhe është e kënaqur që ta mbajë interesin deri në arritjen e një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.

“Për BE ky është një sukses i veçantë duke e parë dialogun si të vetmen mundësi për normalizim marrëdhëniesh, duke mos pasur asnjë alternativë tjetër dhe duke mos pasur asnjë mekanizëm efikas nxitës e as detyrues për vendet si Kosova dhe Serbia, BE si lehtësuese e këtij dialogu e jo si arbitre e as garantuese është e kënaqur ta mbajë interesin deri në arritjen e një marrëveshjeje për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve”, vlerëson politologu.

Tahiri thotë se, presidenti Thaçi shkon në takim për t’u treguar faktor kooperues me BE-në, por edhe personalisht do që këtë proces ta mbajë në duart e tij dhe që me nënshkrimin e tij të ta përmbyllë kapitullin me Serbinë.

Image
Ramush Tahiri

“Hashim Thaçi shkon në takim për t’u treguar si faktor kooperues më Bashkimin Evropian. Gjithashtu edhe personalisht, por edhe institucionalisht është i interesuar që këtë proces ta mbajë fuqishëm në duart e veta duke u dëshmuar si faktor i pakapërcyeshëm dhe duke qenë jetësisht i interesuar që pikërisht ai me nënshkrimin e tij të përmbyllë kapitullin e marrëdhënieve me Serbinë me një marrëveshje përmbyllëse që sjellë normalizim të marrëdhënieve pa marrë parasysh kompromisin e dhimbshëm që do të bëhet dhe për të cilën gjë nuk është i sigurt se mund të fitojë përkrahjen e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës por për të cilën kauzë si President është i gatshëm ta çojë vendin ne zgjedhjet e reja parlamentare, por edhe për vete të sigurojë edhe një mandat pesëvjeçar tash në zgjedhjet e drejtpërdrejta nga populli e jo nga Parlamenti, ku detyrohej t’i nënshtrohej një mekanizmi dhënie marrjesh, një lloj pazari dhe koalicioni me partitë e tjera”, vlerëson Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Ai shton se Thaçi është thuajse i pa interesuar për mbarëvajtjen e dialogut teknik, duke ia lënë këtë Qeverisë, derisa Vuçiq shkon në Bruksel që ta forcojë pozitën e tij dhe tregohet bashkëpunues me BE-në që të forcojë dhe rrugën drejt integrimeve evropiane.

“Thaçi tash shprehet gati i pa i interesuar për rrjedhën e mbarëvajtjen e dialogut teknik duke e zënë që kjo është punë e Qeverisë, konkretisht e partnerit të koalicionit AAK që caktoi koordinator Avni Arifin militant të saj. Aleksander Vuçiq shkon në Bruksel me qëllime shumë të qarta që ta forcojë pozitën e vet të liderit si në planin e brendshëm ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Tregohet bashkëpunues me BE-në duke forcuar kështu edhe pozitën e Serbisë në rrugën e integrimeve evropiane. Vuçiq e bën politikën e vet duke forcuar edhe pozitat e partisë së tij politike karshi partive të tjera në Serbi si dhe me politikat nxehtë dhe ftohtë konsideron se po bëhet i fortë përpara bashkësisë ndërkombëtare dhe sidomos lojtar kyç që i ndanë kartat karshi Kosovës”, ka theksuar ai.

Tahiri thotë se ai e shfrytëzon dialogun duke thënë, se pavarësia nuk vjen në shprehje dhe se sipas tij as Kosova nuk është e vetëdijshme se nuk do të jetë shtet derisa të mos ketë njohjen e Serbisë, e që ai thotë se nuk do të ndodhë kurrë.

“Vuçiq ka dalë me sintagmën e kompromisit se serbët nuk mund të humbin gjithçka dhe shqiptarët nuk duhet të fitojnë të gjitha njëkohësisht duke deklaruar se Serbia asnjëherë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai e shfrytëzon dialogun në Bruksel duke thënë se çështja e Kosovës nuk konsiderohet e mbyllur, pavarësia nuk vjen në shprehje dhe përderisa vazhdon dialogu për statusin pra edhe vetë Kosova është e vetëdijshme se nuk është shtet dhe nuk do të bëhet shtet përderisa mos ta njohë Serbia e kjo nuk do të ndodhë asnjëherë”, vlerëson ai.

Andaj, ai thotë se shqiptarët do të duhet të pranojnë kompromise, andaj ai sugjeron që Kosova të mos shkojë në Bruksel pa një plaformë konkrete që respekton vullnetin e popullit, sovranitetin, integritetin dhe subjektivitetin ndërkombëtar.

“Pra shqiptarët do të detyrohen të bisedojnë dhe të pranojnë kompromiset. Ai çështjen e trajton si konflikt qindravjeçar shqiptaro-serb, e jo si çështje të Kosovës dhe të Serbisë të së drejtës themelore për të qenë i lirë dhe të politikës gjenocidiale të pushteteve të shtetit serb në vazhdimësi. Vuçiq dhe Serbia me sukses po e plasojnë te shtetet tjera dialogun si një konferencë statusore dhe përderisa ata që po bisedojnë të mos merren vesh, atëherë shtetet duhet së paku të pezullojnë njohjet si ndodhi me Liberinë. Duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat, Kosova nuk duhet të shkojë në dialog pa platformë të qartë dhe konkrete që respekton vullnetin e popullit, që respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe subjektivitetin ndërkombëtar. Në këtë Kosovën duhet ta përfaqësojnë personalitete të spikatura, të ndershme, të përkushtuara dhe pa asnjë njollë në biografinë e tyre, e cila në rastin e kundërt do të përdorej si shantazh për lëshim pe e kompromise të dhimbshme”, ka përfunduar politologu Ramush Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat