Qershori i krenarisë shqiptare dhe turpit të qeverisë Haradinaj - Bota Sot
Qershori i krenarisë shqiptare dhe turpit të qeverisë Haradinaj

Politika

E shtunë, 18 gusht 2018

Qershori i krenarisë shqiptare dhe turpit të qeverisë Haradinaj

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 13 qershor 2018 Në ora: 07:48
Ramush Haradinaj duke larguar gruan nga foltorja

Lotët e gëzimit dhe triumfit pushtuan zemrat dhe fytyrën e çdo shqiptari në botë, në veçanti atyre të Kosovës, pjesa më e madhe e të cilëve ndodheshin jashtë atdheut. 12 qershori i vitit 1999, padyshim se ka hyrë në analet e historisë së popullit të Kosovës, si dita kur liria trokiti në dyert e tona, pas gati një shekulli dhimbje dhe vuajtje.

Të gjithë shqiptarët po ktheheshin me shpejtësinë e dritës në atdheun e tyre, ndonëse disa i kishin të djegura shtëpitë, por dëshira për të parë atdheun e lirë mbisundonte mbi çdo vështirësi. Refuzuan të mirat e botës për t'u kthyer në gërmadhat e Kosovës, vetëm një shpirt i etur për liri dhe me shpresë e bën një gjë të tillë. Por, shpresa nuk zgjati shumë, ajo filloi të venitej pak kohë pas çlirimit. Shqiptarët e Kosovës nuk po gjenin as në ëndrra Kosovën që e kishin dëshiruar, dhe pritur me shekujt. Fatkeqësisht, dëshira për një Kosovë të prosperuar, me mirëqenie dhe me drejtësi doli të kishte qenë një mashtrim, dhe asgjë më shumë. Dëshpërimi mbuloi fytyrat dhe zemrat e popullit.

Pas dy dekadave vendi ynë ndodhet në gjendjen më të mjerë të mundshme. Momentalisht Kosova qeveriset nga një qeveri e krimit, dhe njerëzve të lidhur me haraç. Njerëzit po ikin çdo ditë në kërkim të tokës së shpresës, nga vendi i tyre që nuk ofron asgjë, as vdekjen e dinjitetshme jo. Në qershor, përveç 12 qershorit, Kosova festoi edhe 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,  aty ku doli në pah fytyra e vërtetë e kësaj qeverie. Konkretisht fytyra prej badigardi dhe njeriut që nuk njeh gjuhë tjetër pos forcës, që fatkeqësisht sot  është në krye të qeverisë. Kryeministri aktual i Kosovës nuk na bën të krenohemi në këto dy data të rëndësishme, të cilat në themel të saj kanë lirinë dhe dinjitetin, të cilin ky kryeministër na e ka përdhosur çdo ditë. Forcën fizike arriti ta posedonte falë punës që bënte si badigard në klube të ndryshme të Zvicrës, derisa naivitetin e tij nuk arrit ta eliminonte. Si naiv që është, pranoi që nuk di të bëjë dialog me Serbinë, duke përligjur thënien që “budallën mos e vet se tregon vetë”.

Fatkeqësia e madhe nuk është vetëm kryeministri aktual, por edhe presidenti dhe kreu i kuvendit. Të tre me vepra kriminale gjatë dhe pas lufte, arritën dhe po vazhdojnë të gllabërojnë çdo gjë qe iu del përpara. Deri kur do të vazhdojë nuk e dimë, por të gjithë tanimë jemi të një mendje, falë realitetit, se kjo treshe na e ka zbehur edhe dëshirën për çdo festë. Për natyrën e tyre banditeske nuk mundi të kaloi pa skandal as manifestimi për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, aty ku Ramushi për një moment harroi që me nuk është badigard, duke ia ndaluar fjalën një zonje të nderuar, që rrjedh nga një familje patriotike, pjesëmarrëse në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Qershori i festive dhe lavdive të shumta, çdo vit e më tepër po na gjen më të varfër, më të pa dinjitetshëm dhe më me pak shqiptarë në vend.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test