Qeverisë së varur nga Lista serbe nuk mund t`i besohet dialogu

Politika

Qeverisë së varur nga Lista serbe nuk mund t`i besohet dialogu

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 27 maj 2018 Në ora: 09:26
Thaçi-Mogherini-Vuçiq

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ditë më parë ka deklaruar se është i domosdoshëm plani 4+1 para çfarëdo dialogu dhe me çfarëdo dialogu me Serbinë, derisa ka thënë se nevojitet pajtueshmëri shoqërore e nacionale për temat, parimet, strategjitë.

 Ish-ministria për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se nuk ka kohë të merret me Albin Kurtin.

“Nuk e shohë te arsyeshme te komentoje planet që formulon Albin Kurti. Nuk kam kohë të komentoj deklarimet e Albin Kurtin dhe Lëvizjes Vetëvendosje andaj edhe nuk kam çfarë te shtojë tjetër”, është përgjigjur Edita Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Image
Edita Tahiri

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se së fundmi është paralajmëruar edhe finalja e madhe e dialogut.

Sipas saj, para një dialogu të ri me Serbinë, është e domosdoshme që të bëhet bilanci shtetëror i dialogut 2011-2017.

Millaku: Duhet të bëhet bilanci i dialogut të deritashëm

“Duhet të bëhet bilanci shtetëror i dialogut 2011-2017: Të raportohet në Kuvend dhe të kemi debat parlamentar. Ka pasur shumë investim, pak kthim dhe pak transparencë. 33 marrëveshje i kanë nënshkruar Kosova me Serbinë në dialogun gjashtëvjeçar, meqë shumica dërrmuese e tyre nuk janë realizuar. Në veçanti duhet theksuar bllokimi që na e bën Serbia në fushën e energjisë elektrike, në urën mbi Ibër në Mitrovicë, në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe në reciprocitetin e njohjes së diplomave”, ka thënë Millaku duke shtuar se në anën tjetër, kemi edhe marrëveshje pa efekt, si p.sh. zyrtarët ndërlidhës në Prishtinë e Beograd që nuk kanë kurrfarë roli.

Image
Drita Millaku

Ajo ka thënë se Serbia na lufton njësoj kur duam të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare.

“Nuk ekziston një dokument zyrtar qeveritar që vlerëson dialogun gjashtëvjeçar dhe marrëveshjet e tij, pasi ai dokument është dashur kaherë të vijë në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu duhet të realizohet dialogu i brendshëm, i hapur e demokratik, në institucionet dhe shoqërinë tonë. Dialogu që u zhvillua në vitet 2011-2017 me Serbinë nuk ishte asgjë tjetër përveç se

një dialog sipas kushteve të Serbisë ku diskutohej për çështje të brendshme të Kosovës, pa u konsideruar fare Serbia si borxhli ndaj Kosovës dhe shqiptarëve”, ka thënë deputetja Millaku.

Gecaj: Qeveria nuk ka kapacitet për të udhëhequr dialogun

Image
Bajram Gecaj

Ndërsa, anëtari i LDK-së Bajram Gecaj, ka thënë se kjo qeveri nuk mund t`i sjellë asnjë të mirë këtij vendi, duke përfshirë edhe në çështjen e finalizimit të dialogut, që është procesi me i rëndësishëm politik që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

“Nuk ka kjo qeveri dhe bartësit e këtyre institucioneve as kapacitet, as vullnet e as guxim të merren me tema të tilla të mëdha. Vendit i nevojitet shumicë solide parlamentare, posaçërisht shumicës shqiptare, pasi që qeveria me 52 vota nuk mund të shtyjë asgjë para. Edhe nëse kthehet Lista Serbe, qeveria e varur nga kjo listë, rrjedhimisht nga Beogradi, nuk mund të merret seriozisht me ketë temë”, ka thënë Gecaj.

Sipas tij, LVV nuk ka treguar asnjëherë seriozitet institucional për ketë çështje.

“Duke e marrë parasysh se LVV nuk ka treguar asnjë seriozitet atëherë nuk pres që këtë ta bëjë as tani. Vendi ynë ka nevojë për zgjedhje parlamentare të cilat do të nxirrnin një shumicë solide e serioze e cila do të merrej me tema te tilla serioze me përgjegjësi te plote kombëtare. Nëse kjo nuk ndodhe, unë kam frike se Kosova do të dalë e dëmtuar nga ky proces i rëndësisë së jashtëzakonshme”, ka thënë Gecaj.

Haziri: Duhet konsensus i gjerë për dialogun

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se ideja e Kurtit për një koncenzues sa më të gjerë, jo vetëm politik por edhe qytetar, duhet të merret në konsideratë, pasi institucionet e vendit, në këtë përbërje aktuale nuk kanë legjitimitet për të marrë vendime siç janë këto apo siç mund të dalin nga bisedimet me Serbinë.

“Dhe duke marrë parasysh këtë fragjilitet që kanë institucionet e vendit, sidomos qeveria e Kosovës do të duhet të shprehë gatishmërinë e sajë për ndërtimin e një konsensusi sa më të gjerë, pa marrë parasysh të ashtuquajturës platformë që e ka miratuar kohë më parë, e cila mund të jetë gjithçka por jo një platformë që i duhet Kosovës në këtë fazë finale të dialogut me Serbinë”, ka thënë Haziri.

Kurse, sa i përket asaj se kush duhet ta përfaqësojnë Kosovën në këto bisedime, që po konsiderohen finale dhe duhet të përmbyllën brenda këtij viti, opinionisti Haziri dyshon shumë se ato do të arrihet të përmbyllën.

“Ky përfaqësim duhet të jetë komfor kushtetutës së vendit e cila i përcakton qartësisht kompetencat e secilit institucion apo bartësve të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe përgjegjësinë që kanë në fushën e politikës së jashtme dhe proceseve negociuese me shtet e tjera, të çfarëdo natyre. Kujtojë që këtë proces të bisedimeve me Serbinë në Bruksel, duhet ta udhëheq qeveria e Kosovës, natyrisht mbi bazën e ndërtimit të këtij koncenzusi politik e qytetar, ashtu siç edhe Kurti është shprehur në idenë e tij”, ka thënë Nexhat Haziri.

Burjani: Deklaratat për konsum politik

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjes juridike dhe politike Blerim Burjani, ka thënë se kjo çështje është retorik fjalësh, kjo çështje është në përfundim të dialogut e jo në fillim, tash është retorik dhe asgjë më shumë.

“Dialogu është në fund, tash qoftë pozitiv e qoftë negativ ky dialog pritet të merr epilog brenda viti. Këto deklarata janë tipit të konsumit të brendshme politik dhe janë më tepër fushatë e aspak pragmatizëm dhe normalitet. Kjo tash është e dijshme prej të gjithëve nuk mund të kthehen gjërat gjithmonë nga fillimi pse dikush vonohet 5 vjet duke deklaruar. Dhe tash është fundi, po mirë do të është të ketë ekip uniteti për të përmbyllë ketë dialog, por duket se edhe ekipi i unitetit është i vonshëm, për shkak se sot të fillojnë këto negociatat të brendshme s’do të përfundonin për një vit, nuk ka debat të kotë”, ka thënë Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat