Eksperti i sigurisë tregon planet serbe, kjo duhet të jetë rruga e Kosovës

Politika

Eksperti i sigurisë tregon planet serbe, kjo duhet të jetë rruga e Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 maj 2018 Në ora: 07:24
Ilustrim

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, lidhur me një skenar të mundshëm të marrjes së veriut nga Serbia, ai thotë se Serbia mundohet ta marrë atë por që a ka kuptim që Kosova të bëjë pazare për këtë kur rrezikon të mbetet pa Ujmanin.

Image
Hajrullah Ternava

“Serbia tani në këto kohëra do të tentojë në çdo mënyrë të merr tani edhe atë “pak” që mundet sikur tani veriun. Atë “pak” tani serbët e zbërthejnë edhe kur është në pyetje pjesa domethënëse e Kosovës, veriu. Bëhet pyetje tani pas edhe këtyre shumë viteve nga të 90-tat, kur kishte zëra edhe nga të mëdhenjtë e Serbisë sikur u llogariste si “baba i Serbisë” nga Dobrica Qosiq që ishte edhe kryetar i asaj Jugosllavie të cunguar, që pati propozuar ndarjen e Kosovës, pse pati nevojë të luftohet dhe të shkaktohen këto dëme dhe masakra të luftës nga ana e Serbisë Kosovës, kur këtë kanë mundur ta bëjnë hiq pa luftë. Tani pas këtyre ndodhive sikur që janë dëmet materiale, masakrat ndaj popullatës shqiptare, ku edhe sot e kësaj dite ka njerëz të humbur dhe të zhdukur të pagjetur nga ana e Serbisë dhe familjarët e tyre non-stop janë në kërkim e sipër së paku ta dinë të vërtetën për ta. A e ka kuptimin tani dikush në emër të Kosovës të dalë dhe t’i bëjë ato pazare-marrëveshje që serbëve t’i jepet pjesa e veriut me katër komunat, e sidomos kur është e qartë se në atë pjesë gjendet uji rezervë i Kosovës-Ujmani, pa të cilin rezervar Kosova as që mundet të ekzistojë, nëse nuk e ka kontrollin e plotë ndaj vetë Ujmanit, e sidomos duke e njohur Serbinë me sjelljet armiqësore ndaj Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas tij, është turp që Serbia të kërkojë ta marrë veriun kur dihet luftën që e ka bërë ndaj Kosovës në vitin 1999.

“Pas kësaj lufte dhe intervenimi ndërkombëtar të botës që ka ndodhur në vitin 1999 ndaj Serbisë, në aspektin humanitar njerëzor si bazament i këtij intervenimi dhe shumë luftërave tjera që i ka bërë Serbia me shtetet tjera fqinj, si pjesë përbërëse që ishin në ish Jugosllavi, tani ta kërkojë Serbia si satisfaksion veriun, është turp e mbi turpin e sidomos duke e pasur parasysh se Serbia ka bërë padi në gjyqin ndërkombëtar për çështjen e Kosovës nga i cili gjyq ka marrë përgjigjen negative dhe se është kofirmuar se Kosova është shtet i pavarur në kufijtë e Kushtetutës së vitit 1974 dhe e ka të drejtën në pavarësinë e saj”, vlerëson Tërnava.

Ai shprehet se Serbia duhet ta shikojë historinë kur është njohur si shtet .

“Serbia duhet ta ketë të qartë se po e shikuam prapa historinë edhe ajo kur u njoh në vitin 1878 nga shtetet tjera si shtet i pavarur, ishte krejt në kufijtë tjerë shumë të ngushtë pa Sanxhakun me Novi Pazarin e shumë qytete për rreth. Sidomos duhet ta ketë të qartë se në këto kohëra rreth 700 fshatra shqiptare u dëbuan nga ato troje me dhunë me ndihmën edhe të turqve dhe u detyruan të vijnë në Kosovën e sotme, të cilët shqiptarë edhe sot e kësaj dite i mbajnë mbiemrat e tyre të fshatrave nga kanë ardhur e që gjenden prej kufirit tani të Kosovës me Serbinë e deri te Beogradi”, ka theksuar ai.

Sipas Tërnavës, Kosova duhet ta vazhdojë rrugën e saj të pavarësisë dhe t’i qëndrojë pranë miqve ndërkombëtarë dhe që në bisedime të mos nënshkruajnë marrëveshje të dëmshme me Serbinë.

“Në bazë të asaj se çka ka ndodhur deri më tani nga të 90-tat e deri më tani e sidomos luftës të vitit 1999, Kosova duhet ta vazhdojë rrugëtimin e saj të pavarësisë si deri më tani kur pavarësinë e saj e kanë njohur 116 shtete. Shtetet mike sikur Amerika me BE dhe Britaninë dhe Aleancën ushtarake të NATO-së janë edhe më tutje në përkrahjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe në mënyrë permanente janë duke bërë presion ndaj Serbisë që ta njeh pavarësinë e Kosovës në këta kufij të sotëm. Në të kundërtën Serbia do të jetë shteti i vetëm i izoluar në Evropë, pa perspektivë të lëvizjes së lirshëm me shtete tjera dhe çdo ditë duke u zbrazur nga te rinjtë, të cilët kërkojnë perspektivë për jetesë jashtë kufijve të një shteti të izoluar. Shteti i Kosovës duhet në mënyrë permanente t’iu qëndrojë pranë miqve të saj që i ndihmuan të çlirohet nga Serbia dhe ata që e përfaqësojnë në bisedime Kosovën me Serbinë nuk duhet të nënshkruajnë asnjë marrëveshje pa e miratuar Parlamenti i Kosovës dhe pa u pajtuar miqtë që na ndihmuan të çlirohemi”, ka përfunduar Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat