Loja me liberalizimin e vizave

Politika

Loja me liberalizimin e vizave

Nga: Arben Sylejmani Më: 10 maj 2018 Në ora: 20:09
Ilustrim

Kërkesa e zëvendës presidentit të Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, bërë krerëve të shtetit të Kosovës dhe atyre të partive politike, që të mos japin afate kohore për liberalizimin e vizave, pa u kryer ende shumë gjëra, tregon lojën që po e bëjnë pushtetarët tanë dhe disa nga zyrtarët e Brukselit lidhur me këtë çështje.

Fillimisht, janë politikanët tanë ata që 10 vite po i fitojnë zgjedhjet duke gënjyer se me ardhjen e tyre në pushtet, qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza nëpër shtetet që janë pjesë e Shengenit.

Kujtojmë, zotimin e Hashim Thaçit gjatë fushatës elektorale të vitit 2010, i cili premtoi se me ardhjen e tij në krye të Qeverisë, brenda 13 muajve do të hiqen vizat. Nga ana tjetër, kryeministri aktual Ramush Haradinaj gjatë fushatës së fundit u zotua se me ardhjen e tij në krye të ekzekutivit brenda tre muajve do të bëhej liberalizimi i vizave.

As premtimi i Thaçit e as i Haradinajt nuk u përmbush për shkak të mos punës së tyre të mjaftueshme në luftimin e krimit, korrupsionit dhe reformave të tjera që nevojitën në këtë drejtim.

Duke parë se liberalizimi i vizave nuk ishte ende në horizont, kabineti i ish-qeverisë së kaluar dhe ai aktual filluan të deklaronin se miratimi i Marrëveshjes së Demarkacionit është kushti kryesore për këtë çështje, dhe sipas tyre me kalimin e saj, do të hiqeshin edhe vizat.

Madje, zyrtarët e LDK-së dhe PDK-së e lidhën aq shumë Demarkacionin me vizat sa që kur u bënin thirrje deputetëve kundërshtues për të votuar këtë marrëveshje, u thoshin atyre: ju nuk keni të drejtë t’i mbani qytetarët të izoluar. Thua që ishte Kuvendi i Kosovës ai që po e miratonte liberalizimin e vizave, e jo marrëveshjen e kufirit.

Por, për këtë lidhje të Demarkacionit për liberalizim të vizave, janë përgjegjës në njëfarë mënyre edhe zyrtarët e Brukselit.

"Besoj që partitë politike në Kosovë do të gjejnë një formë pajtimi dhe ta ratifikojnë këtë marrëveshje. Populli i Kosovës e dëshiron liberalizimin e vizave dhe nuk e meriton mungesën e konsensusit për liberalizimin”, kështu pati deklaruar Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini në konferencën e përbashkët me ish-kryeministrin, Isa Mustafa, gjatë vizitës së saj në Prishtinë, me 4 mars të vitit 2017.

Një deklaratë të tillë se Marrëveshja e Demarkacionit është vendimtare për liberalizimin e vizave, e kishte thënë edhe presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, gjatë vizitës së tij në Kosovë, kah fundi i muajit shkurt të këtij viti.

“Është thelbësore që Kuvendi të votojë Demarkacionin me Malin e Zi. Ky është një hap kyç, i pashmangshëm dhe i rëndësishëm për liberalizimin e vizave”, kishte thënë Juncker.

Tash, dy muaji pasi që është miratuar Demarkacioni, zëvendës presidenti Rainer Wieland, i porositë pushtetarët tanë të mos japin afate për liberalizim të vizave, sepse janë ende shumë punë pa u bërë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat