Avni Tafili, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, në një prononcim për gazetën ‘’Bota sot’’, thotë se Shpend Maxhuni është njeri i besueshëm i Qeverisë, andaj atë e kanë emëruar shef të AKI-së.
‘’E vlerësoj si njeri të besueshëm të pushtetit që i ka bërë shumë padrejtësi popullit. Është zgjedhje e mençur, por besoj se po i vie fundi zgjedhjeve të tyre që po rrotullojnë njerëzit e tyre nëpër pozita’’, ka thënë Tafili.
Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj, duke u bazuar në Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, kanë marrë vendim për emërimin e Shpend Maxhunit, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Emërimi u bë duke u bazuar në nenin 84 (21), në nenin 94 (8) dhe nenit 129 (3) të kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenin 5 (3 dhe 5) të Ligjit nr. 03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Shpend Maxhuni ishte emëruar drejtor i Policisë në vitin 2011, ndërsa pjesë e Policisë së Kosovës ishte që nga viti 1999.