Pasi i doli në mbrojtje Azem Sylës, kërkohet dorëheqja e Kryeministrit Haradinaj

Politika

Pasi i doli në mbrojtje Azem Sylës, kërkohet dorëheqja e Kryeministrit Haradinaj

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 18 mars 2018 Në ora: 20:32
Foto ilustrim "Bota sot"

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është i shqetësuar me deklaratat e zyrtarëve shtetëror sa i përket rasteve që janë në procedurë pranë Gjykatave të Kosovës. KGJK nuk mund të komentoj rreth rasteve në zhvillim dhe konsideron se deklaratat e tilla cenojnë seriozisht pavarësinë e sistemit gjyqësor”, thuhet në reagimin e KGjK-së.

Edhe pse nuk janë bërë as shtatë muaj që nga ardhja e Ramush Haradinajt, në krye të Qeverisë së Kosovës, skandalet e tij të fundit nuk kanë të ndalur. Së fundi, skandal po konsiderohet edhe deklarata e dhënë në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, për të dyshuarin, për tjetërsim të tokave në periferi të Prishtinës, Azem Syla.

Haradinaj, duke diskutuar në Kuvendin e Kosovës me deputetët e opozitës javën e kaluar, përmendi edhe procesin gjyqësor të një ish-kolegut, Azem Syla, që së fundi u lirua nga paraburgimi. Sipas tij, gjyqësori e “myti” Azem Sylën.

“E mbytën atë Azem Sylën o burrë, që 5 vjet sillet nëpër gjyqe. Ki edhe njerëz të tu nëpër gjykatë. Ma n’faj është gjyqësori se sa Azem Syla”, ishte shprehu mes tjerash Ramush Haradinaj.

Lidhur me këtë, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të cilët ishin shqetësuar me deklaratat e zyrtarëve shtetëror sa i përket rasteve që janë në procedurë pranë Gjykatave të Kosovës.

Ndërsa, avokati i njohur, Tomë Gashi thotë se me këtë veprim, Haradinaj më shumë e ka dëmtuar Azem Sylën, se sa që e ka mbrojtur.

KGJK-ja shprehet e shqetësuar, e në anën tjetër avokati thotë kjo më shumë e ka dëmtuar të akuzuarin, njohësi i çështjeve politike thotë se nëse kryeministri del mbi drejtësinë, atëherë nuk jemi shtet.

Image
Tomë Gashi

“Për mbrojtje jemi ne avokatët”

Avokati i njohur në vend, Tomë Gashi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar mbrojtjen që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë Azem Sylës.

Sipas Gashit, kryeministri Haradinaj, mund t’i dal në mbrojtje, por, sipas tij, vetëm privatisht, larg kamerave dhe posaçërisht larg foltores së parlamentit.

“Mundet t’i dal në mbrojtje, por vetëm privatisht, larg kamerave dhe posaçërisht larg foltores së parlamentit. Përndryshe, jo unë, por ata që i kanë kompetencat ligjore për të përfaqësuar gjyqësorin dhe gjykatat në Kosovë”, tha Gashi.

Avokati thotë se me këtë veprim Haradinaj më shumë e ka dëmtuar Azem Sylën, se sa që e ka mbrojtur.

“Pra Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka konsideruar presion dhe ndërhyrje në pavarësinë e gjykatës kompetente, dhe me këtë, kryeministri më shumë e ka dëmtuar Azem Sylën se sa që e ka mbrojtur. Për mbrojtje jemi ne avokatët, dhe unë e kam mbrojtur Azem Syla së paku në 2 procese gjyqësore, dhe kryeministri ka obligim vetëm të sponsorizojë ligje të mira për punën e gjykatave”, thotë ai.

Gashi thekson se kurrë nuk duhet përmendur raste të tilla nga foltorja e Kuvendit, sepse, sipas avokatit, kjo i bie ndërhyrje në gjykata.

“Të ndihmoj në krijimin e kushteve sa më të mira për gjykata, por nuk duhet kurrë të përmendën raste konkrete nga foltorja e Kuvendit, sepse kjo i bie ndërhyrje në gjykata, pa marr parasysh që qëllimi mundet me qenë njerëzor dhe i mirë”, theksoi Gashi.

“Sa ma larg politika nga gjyqësori aq me shume kemi pavarësi te gjykatave dhe me këtë kemi edhe gjykata më efikase dhe më të drejta”, ka përfunduar avokati Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

“Nëse kryeministri del mbi drejtësinë, atëherë nuk jemi shtet”

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, duke folur rreth veprimit të Ramush Haradinajt të bërë në foltoren e Kuvendit të Kosovës thotë se nuk beson se institucionet e drejtësisë funksionojnë sipas orekseve të kryeministrit.

Sipas Shehut, nëse kryeministri i Kosovës del mbi drejtësinë atëherë nuk jemi shtet.

“Nuk besoj se institucionet e drejtësisë funksionojnë sipas orekseve te kryeministrit cilido qoftë ai Ramushi apo Thaçi, por besoj se drejtësia do të bëhet. Nëse kryeministri del mbi drejtësinë atëherë nuk jemi shtet, por jemi tribu”, është shprehur analisti Rexhep Shahu.

Image
Faton Mehmeti

“Haradinaj njeri i xhunglës”

Ndërsa, analisti tjetër, Faton Mehmeti, thotë se është i papranueshëm presioni i Ramush Haradinajt ndaj drejtësisë.

Mehmeti në një prononcim për “Bota sot” thotë se  askund në botë nuk ndodh që një zyrtar i shtetit të merr në mbrojtje një të akuzuar.

“Është e papranueshme presioni i kryeministrit ndaj drejtësisë, në çfarëdo rrethane dhe rasti. Të marrësh anën e një të akuzuari nënkupton të ndikosh tek drejtësia. Askund në botë nuk ndodh që një zyrtar i shtetit të merr në mbrojtje një të akuzuar, pa ditur përfundimin e hetimit. Në fakt, nuk komentohen asnjëherë vendimet e drejtësisë, pasi ato duhet të jenë të pavarura dhe rrjedhimisht të prodhojnë drejtësi. Përballë ligjit duhet të heshtim, jo të bëhet presion”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, Azem Syla, ka mbrojtjen e këtij shteti kriminal, i cili nuk prodhon asnjëherë drejtësi. Mehmeti thekson se në një shtet demokratik, një veprim i tillë si i Haradinajt, do të pasonte me dorëheqje.

“Haradinaj asnjëherë nuk po arrin të shfaqet lider modern, i civilizuar, por njeri i xhunglës, ku ligjin e bënë i forti. Kjo nuk duhet të jetë ajo që ne na duhet. Azem Syla, ka mbrojtën e këtij shteti kriminal, i cili nuk prodhon asnjëherë drejtësi. Në një shtet demokratik një veprim i tillë si i Haradinajt, do të pasonte me dorëheqje”, ka përfunduar analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot”..

Këshilli Gjyqësor ‘i shqetësuar’ nga deklarata e kryeministrit

Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes një njoftimit për media është shqetësuar nga komentet e kreut të qeverisë, ku ky i fundit deklaroi se “e kanë mbytë Azem Sylën”, duke iu referuar gjyqësorit dhe rastit në të cilin ai është i akuzuar.

 “Këshilli Gjyqësor i Kosovës është i shqetësuar me deklaratat e zyrtarëve shtetëror sa i përket rasteve që janë në procedurë pranë Gjykatave të Kosovës. KGJK nuk mund të komentoj rreth rasteve në zhvillim dhe konsideron se deklaratat e tilla cenojnë seriozisht pavarësinë e sistemit gjyqësor”, thuhet në reagimin e KGjK-së.

Dihet se Azem Syla është i akuzuar në aferën e tjetërsimit të tokave shoqërore në periferi të Prishtinës, ndërsa, aktualisht Syla është duke u mbrojtur në liri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat