Ramush Tahiri tregon cili është raporti për Demarkacionin që duhet të votohet dhe procedurën e mëtejme me Malin e Zi

Politika

Ramush Tahiri tregon cili është raporti për Demarkacionin që duhet të votohet dhe procedurën e mëtejme me Malin e Zi

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 24 shkurt 2018 Në ora: 13:29
Ramush Tahiri

Seanca e jashtëzakonshme për Demarkacionin me Malin e Zi do të mbahet të mërkurën, pasi dështoi të mbahet dje.

Koalicioni qeverisës ishte për të votuar marrëveshjen, por Vetëvendosje ishte kundër ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës kërkoi që në projektligj raporti i Bulliqit të përfshihet vetëm për informim dhe jo si pjesë e tij.

Një gjë e tillë u kundërshtua nga AAK dhe kryeministri Haradinaj ishte kundër, duke u thënë deputetëve të LDK-së se sa të jetë ai, ai raport nuk do të hiqet.

Se a duhet të jetë raporti i Bulliqit pjesë e projektligjit për Demarkacionit, përpos marrëveshjes së vitit 2015 dhe aneks marrëveshjes së presidentëve, flet politologu Ramush Tahiri.

Ai thotë se për këtë është e rregulluar dhe sekretari e Kuvendit duhet ta tërheq vërejtjen paraprake kur e pranon dokumentin, derisa shton se ratifikohet dokumenti që është nënshkruar në Vjenë, ndërsa aneks marrëveshja e presidentëve nuk e ka fuqinë ligjore.

“Çështjet e procedurave janë të rregulluara dhe të përcaktuara dhe për këtë sekretaria e Kuvendit duhet të tërheqë vërejtjen paraprake dhe kur e pranon dokumentin, në këtë rast projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Pra, ratifikohet dokumenti i nënshkruar në Vjenë nga ministrat përkatës të dyja vendeve. Pra, kemi të bëjmë me një dokument identik i cili që në vitin 2015 është ratifikuar në Kuvendin e Malit të Zi. Deklarata e të dy Presidentëve Thaçi e Vujanoviq është një dokument i vullnetit të mirë që është krejtësisht në harmoni me marrëveshjen e nënshkruar ndërshtetërore. Funksioni i Presidentit është institucional dhe është përgjegjës për politikën e jashtme të vendit dhe në një formë gardian i kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë në vend. Kjo deklaratë konsiderohet si aneks i marrëveshjes por nuk e ka fuqinë ligjore, vetëm si një gatishmëri dhe vullnet i shprehur”, është shprehur ai.

Ndërsa, sa i përket raportit të Bulliqit, Tahiri thotë se është vetëm vlerësim i raportit Meha dhe valid është vetëm dokumenti i 2015-s.

“Raporti i Komisionit Bulliqi është një lloj vlerësimi i Raportit Meha çfarë edhe ishte Komisioni ndërkombëtar i Presidentes Jahjaga ose ai i Akademisë së shkencave të Kosovës. Dokument valid e obligues është vetëm ai i komisioneve shtetërore malazeze e të Kosovës si rezultat i punës nga viti 2011 deri me 2015”, ka shpjeguar më tej ai për “Bota sot”.

Politologu tregon procedurën pas ratifikimit të Demarkacionit.

“Pasi të ratifikohet ky dokument në Kuvendin e Kosovës atëherë shkëmbehen shkresat zyrtare ndërmjet shteteve, Kosovës e Malit të Zi dhe formohet Komisioni i përbashkët shtetëror për demarkimin e kufirit në teren. Kjo punë është paraparë të kryhet në terren brenda një afati prej dy vjetësh dhe në pajtueshmëri të plotë mes palëve”, është shprehur Tahiri.

Sipas tij, e rëndësishme është që me Malin e Zi do të këmbehet vetëm material zyrtar dhe i pranueshëm, pavarësisht se çfarë miratohet në Kuvend.

“Çfarëdo që miratohet në mbledhjen plenare të Kuvendi në një votim apo në disa votime veç e veç brenda të njëjtës mbledhje, e rëndësishme se me Malin e Zi këmbehet vetëm materiali zyrtar dhe i pranueshëm. Materialet shtesë mund t’i shërbejnë çështjes vetëm me mirëkuptim por s’janë obligues dhe përpara se gjithash janë për përforcim të brendshëm dhe në bindjet politike, sepse nuk kanë pasur ballafaqim profesional e verifikim ndërmjet palëve dhe nuk ka pasur pranim e harmonizim dhe nënshkrim të përbashkët”, ka deklaruar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat