Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës – SBASHK, në një mbledhje të jashtëzakonshme ditë më parë kishte diskutuar për moszbatimin e marrëveshjes se mirëkuptimit, që më 5 qershor 2017 e kishte nënshkruar me koalicionin PDK-AAK-NISMA.
Ky koalicion që tash është në qeverisje, sipas marrëveshjes ishte caktuar që brenda vitit 2017 të procedohet në Kuvend projektligji i hartuar nga MASHT lidhur me statusin e punëtoreve të arsimit për vitet e 90-ta.
Tutje, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kishte njoftuar se do t’i shtyjë kërkesat e anëtarësisë me veprime sindikale dhe në të njëjtën koha duke “kërcënuar” qeverinë edhe me grevë në arsim.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, në një prononcim për “Bota sot” konsideron se kërkesat SBASHK-ut për grevë janë të arsyeshme, pasi që, sipas tij, ata disponojnë edhe dokumente zyrtare në të cilin nënshkrues janë edhe koalicioni PAN.
“Një paralajmërim i bërë që një kohë të gjatë. Kërkesat e tyre për grevë janë të arsyeshme, sepse ata disponojnë edhe dokumente zyrtare në të cilin nënshkrues janë SBASHK-u dhe grupacioni PAN”, u shpreh Azemi.
Ai thotë se për grevën e paralajmëruar nga SBASHK-u, bëjnë pjesë edhe punëtorët e sektorit privat, të cilët do të jenë në grevë me kërkesën e tyre.
“Për këtë rritje që SBASHK-u kërkojnë, në këtë bëjnë pjesë edhe punëtorët teknik dhe ata të sigurimit të sektorit privat që janë në shërbim të shkollave, të cilët do të jenë në grevë me kërkesën e tyre që të nënshkruhet nga qeveria paga minimale e propozuar nga Këshilli Ekonomiko Social”, ka përfunduar Jusuf Azemi për “Bota sot”.
Kujtojmë se nënshkrues të kësaj marrëveshjeje kanë qenë edhe Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli.