Vrasja e Smajl Hajdarajt dhe akuzat e Mehmetit, flet Prokuroria Themelore

Politika

Vrasja e Smajl Hajdarajt dhe akuzat e Mehmetit, flet Prokuroria Themelore

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 17 janar 2018 Në ora: 11:23
Smajl Hajdaraj se bashku me Presidentin historik Ibrahim Rugova

17 janari i vitit 2002 shënon një nga ditët më të këqija në historinë e Kosovës. 16 vite më parë, nën rrethana të panjohura, u vra deputeti LDK-së dhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Smajl Hajdaraj.

Hajdaraj u vra në hyrje të banesës së tij në qytetin e Pejës, por prej vitit 2002, organet e drejtësisë ende zyrtarisht nuk kanë një person të dyshuar për vrasjen e tij.

Në javën e kaluar, dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti, në intervistën e tij për “Klan Kosovën”, pranoi se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që është involvuar në vrasjen e Smajl Hajdarajt, Tahir Zemajt, Sebahate tolajt, Isuf Haklajt dhe disa veprimtarëve të tjerë të LDK-së.

Ai, madje pretendon se i di edhe emrat e atyre që e kanë urdhëruar këto vrasje.

Por, Mehmeti për t’i treguar këta emra po kërkon që të çohet në rigjykimi rasti i tij, për të cilën u dënua 30 vjet burg për sulmin ndaj policisë në magjistralen Podujevë-Prishtinë, ku mbeten të vrarë dy policë të UNMIK-ut, dhe Agron Sylejmani që besohet se ka qenë prijësi i këtij grupi që bënte vrasje me pagesë.

Prokuroria e Pejës po merret me deklaratat e Mehmetit

Në Prokurorinë e Pejës, thonë se deklarata e dëshmitarit Shkumbin Mehmeti ka bërë që ky institucion të merret intenzivisht në zbardhjen e kësaj vrasje makabre.

“Ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Pejë, është duke punuar në mënyrë intensive në rastin e vrasjes së S.H. dhe po ashtu është duke u marrë seriozisht me deklaratat e Sh.M”, thotë për “Bota sot”, Hekrem Lutfiu nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Sipas Lutfiut, shkaku i ndjeshmërisë së rastit, Prokuroria Themelore në Pejë nuk mund të jep më shumë informata.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës shpresojnë se organet e drejtësisë do të marrin seriozisht deklaratat e dëshmitarit Mehmeti për zbardhjen e vrasjes së Hajdarajt.

LDK dhe familjarët kërkojnë zbardhjen e vrasjeve politike të pasluftës

Përpos familjarëve të të vrarëve që po kërkojnë zbardhjen e këtyre rasteve, është edhe LDK ajo që po kërkon një gjë të tillë.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se subjekti i tij politik nuk do të rresht së kërkuar drejtësi për Hajdarajn dhe vrasjet e tjera politike.

“Vrasjet politike të pas luftës janë plagë e rëndë e shoqërisë kosovare. Nuk mund të shkojmë me tutje si shoqëri para se të zbardhen ato vrasje. Ju kemi borxh familjeve të të rënëve, të cilët nuk mund të jenë të qetë pa u zbardhur këto vrasje dhe pa u vënë drejtësia në vend”, thotë Hoti për “Bota sot”.

Image
Avdullah Hoti

Ai thotë se prokuroria tani më duhet të vihet në lëvizje që të zbuloj këto vrasje në mënyrë profesionale.

“Për më tepër, duhet të tregohemi se jemi shtet funksional dhe të zbardhim këto raste që të meritojmë vendin në bashkësinë e vendeve demokratike. LDK nuk do të rresht se kërkuari zbardhjen e këtyre rasteve. Prokuroria duhet të vihet në lëvizje plotësisht, në mënyrë të paanshme, dhe të zbardh këto raste”, shtoi Hoti për “Bota sot”.

Edhe anëtari tjetër i LDK-së, Bajram Gecaj thotë se është koha e fundit që organet e drejtësisë të merren seriozisht me këto raste.

 “Pretendimet e Shkumbin Mehmetit për vrasje duhet të merren me seriozitetin më të madh. Është për keqardhje që 19 vite pas luftës nuk janë zbardhë vrasjet e atdhetarëve dhe patriotëve të dëshmuar”, thotë Gecaj për “Bota sot”.

Image
Bajram Gecaj

Sipas tij, është koha e fundit që organet ndjekëse tu dalin hakut këtyre njerëzve.

Deklarata e Mehmetit një arsye shtesë për zbardhjen e vrasjeve

Publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu që është njohës i mirë i rrethanave politike në Kosovë thotë se deklarata e Mehmetit është një arsye shtesë që institucionet e drejtësisë të merren me zbardhjen e të gjitha vrasjeve politike.

“Në një shtet normal, në një demokraci funksionale, prokuroria do të duhej të hetonte me kohë për vrasje të tilla. Tani më deklaratat e dhëna së fundi, prokuroria ka një shkak më tepër për të nisë hetimet. Por përvoja ka treguar se deri më sot organet e hetimit dhe në tërësi drejtësia i ka patur këmbët të lidhura me zingjirin e pushtetit të të fortëve”, thotë Shahu për Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Ai shpreson se me këto vrasje do të merren Gjykata Speciale.

“Besoj më shumë të Gjykata Speciale mbase ajo do ta ketë fuqinë të hetojë e lirë për të gjithë vrasjet politike që janë bërë në Kosovë dhe përflitet rreth tyre”, shtoi Shahu.

Mehmeti: Gjykatat në Kosovë nuk guxojnë të hetojnë këto raste

Nga ana tjetër, analistët politik në vend shprehen skeptik në zbardhjen e vrasjeve politike nga ana e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Madje, ata thonë se gjykata nuk guxojnë të hetojnë fare këto raste.

“Akuzave të Shkumbin Mehmetit por edhe të atyre që dijnë për vrasjet e pasluftës, por nuk guxojnë të flasin, mundet vetëm Gjykata Speciale të iu jep zgjidhje. Kjo pasi gjykatat në Kosovë nuk guxojnë të hetojnë këto raste, pasi janë nën ndikimin e politikes”, thotë për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

“Nëse Gjykata Speciale nuk merret me vrasjet e pasluftës nuk do të zbardhen dot, vetëm Speciale është që mund të bëj diçka në këtë drejtim”.

Sipas Mehmetit organet e drejtësisë në vend nuk duhet heshtin, por të vazhdojnë me hetimet e këtyre vrasjeve.

“Nuk duhet të hesht prokuroria ndaj deklaratave tronditëse të Shkumbinit, ato duhet të trajtohen me seriozitet dhe si të tilla të marrin zgjidhje. Por, jam skeptik se kjo do të ndodh”, shtoi Mehmeti për “Bota sot”.

Edhe ish-anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari thotë se organet e drejtësisë në Kosovë, përfshirë edhe ato ndërkombëtare kanë pasur frikë të merren me vrasjet e pasluftës.

“Prokuroria e Kosovës por edhe ndërkombëtare e dinë qe disa vite këtë deklarate, por s’kanë guxuar të merren me këto gjëra dhe këtë proces të ndërlikuar që e lidh politikën me vrasjet të pas luftës”, thotë Miftari për “Bota sot”.

Image
Naim Miftari

Sa i përket deklaratës së Mehmetit, për përfshirjen e tij në disa vrasje ndaj zyrtarëve të LDK-së, Kelmendi thotë se me këtë duhet të merret prokurori i shtetit, e jo televizione të caktuara.

“Në një shtet normal vrasësit nuk i pyete moderatori televiziv, por prokurori i shtetit. Por, jemi shtet i dobët, prandaj bëjmë vetëm spektakël në emisione televizive ku çuditërisht pronarët e këtyre televizioneve janë njerëz të lidhur ngushtë me politikanët që i kanë urdhëruar ato vrasje vet. Prandaj, edhe spektakli televiziv ka synim mbulimin e veprave të disave njerëzve me ndikim dhe ato vepra u atribuohen disa kriminelë të vegjël me pak rëndësi”, shtoi Miftari.

Ndryshe, gjatë luftës në Kosovë dhe pas saj kishte filluar një fushatë e vrasjeve të veprimtarëve të LDK-së.

Në këtë fushatë u vranë figura të rëndësishme, si ajo e Xhemalj Mustafës, Enver Maloku, Smajl Hajdarajt, Tahir Zemajt e shumë të tjerëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat