Devijime tjera të kufijve të Kosovës, flet kryetari i komisionit për Demarkacion

Politika

Devijime tjera të kufijve të Kosovës, flet kryetari i komisionit për Demarkacion

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 29 nëntor 2017 Në ora: 17:02
Pika kufitare Kosovë-Mal i Zi

Për Kosovën problemet rreth kufijve nuk kanë të ndalur.  Në dokumentet zyrtare të Bashkimit Evropian, raportohet se shteti i Kosovës do të ballafaqohet edhe me disa probleme tjera rreth çështjes së kufijve, ani pse nuk bëhen të ditura se cilat mund të jenë devijimet e mundshme.

Sipas raportimit të mediave,  pak muaj pas nënshkrimit të Traktatit të Komunitetit të Transportit me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, shteti i Kosovës ka deponuar një deklaratë në Komisionin Evropian, në të cilën Kosova shpreh mospajtimin për kufijtë e paraqitur.

Image
Shpejtim Bulliqi

Lidhur me këtë, gazeta “Bota sot” ka kontaktuar edhe Ministrinë e Punëve Jashtme, për të marrë më shumë informacione, por këta të fundit ende nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Ndërsa, ish-deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, së fundi i caktuar nga kryeministri Ramush Haradinaj si kryesues i Komisionit për Demarkacion, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se nuk ka informacione se Kosovës i kanë dalë probleme me kufijtë në dokumentet zyrtare të Bashkimit Evropian.

“Nuk kam informacione lidhur me këtë ngjarje, por si do që të jetë, ne jemi duke punuar në mënyrë intensive dhe shumë shpejt Komisioni për Demarkacion do të dalë me rezultate përfundimtare”, është shprehur Bulliqi.

Image
Mazllum Baraliu

“Serbia pretendon ta destabilizojë Kosovën”

Kurse, eksperti i çështjeve juridike – kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për “Bota sot”, ka thënë se përveç devijimeve me Malin e Zi të cilat janë të qarta, të tjera devijime për Kosovën nuk mund të ketë.

“Kufiri me Malin e Zi është e qartë se është devijuar në dëm të madh të Kosovës, ndërsa kufiri me Serbinë ende nuk është trajtuar, në bazë të kësaj nuk mund të ketë askush pretendime tjera, sepse vija e kufirit administrativ që në kohën kur Kosova ka qenë krahinë autonome janë të shkruara”.

“Konkluzionet e Badinterit e thonë qartë se të gjithë kufijtë në mes të republikave dhe ish-krahinave autonome shndërrohen në kufi shtetëror pas shpërbërjes së Jugosllavisë”, u shpreh Baraliu.

Ai thotë se pretendime të tilla vijnë nga Serbia, me të vetmin qëllim që ta destabilizojë Republikën e Kosovës.

“Serbia mund të ketë pretendime, me të vetmin qëllim që ta destabilizoj Kosovën, por sigurisht të gjitha ato pretendime janë të natyrës territoriale dhe nuk janë pretendime të ndonjë mirëbesimi”, ka thënë Mazllum Baraliu.

Rreth problemit të fundit me kufijtë, në media u raportua se e kanë konfirmuar edhe zyrtarë e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat