Deputeti i VV-së sqarohet për fotografinë me PDK-në

Politika

Deputeti i VV-së sqarohet për fotografinë me PDK-në

Nga: Bota Sot Më: 11 nëntor 2017 Në ora: 12:34
Mytaher Haskuka

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka komentuar në lidhje me fotografinë e publikuar ditë më parë në media, ku ai shihej në aktivitetet me PDK-në.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Haskuka ka sqaruar se fotografia është realizuar në kuadër të një konference për arsim në Kosovë, duke mohuar se ka qenë pjesë e PDK-së.

Ai ka treguar se në këtë konferencë ka qenë i ftuar për të folur për çështjen e arsimit në Kosovë.

“Ajo ka qenë një fotografi nga viti 2003 apo 2004 dhe unë nuk kam qenë kurrë anëtar i PDK-së, para Vetëvendosjes kam qenë anëtar i Ballit Kombëtar. Ajo fotografi ka qenë në një konferencë për arsimin në Kosovë dhe kësisoj kam qenë i ftuar të flas për çështjen e arsimit në Kosovë. Unë e mbaj mend që aty pata diskutuar për dhunën në shkolla, implementimin e ligjit në shkollë dhe arsim të lartë. Si ekspert kam qenë i ftuar edhe tek partitë tjera, si në LDK e AKR, kam prezantuar sepse ka qenë konferencë e hapur për të gjithë”, ka deklaruar deputeti i Vetëvendosjes.

Ai ka thënë se fotografia është përdorur si propaganduese, e cila ka mundur të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve. Haskuka ka treguar se ka bërë padi edhe për propaganda të tjera, ku janë përfshirë edhe familja e tij, por nuk pret drejtësi në Kosovë, pasi sipas tij, ajo nuk funksionon.

“Është përdorur si propaganduese, ka mundur të ndikojë në rezultat, por kam qenë i befasuar nga lajmet negative janë paraqitur, e pjesa më e madhe e tyre kanë qenë thashetheme të cilat nuk kanë qenë të verifikuar. Kjo ka qenë njëra prej propagandës negative që më pak më ka dëmtuar, ka pasur edhe tjera negative lidhur me familjen time që me të vërtetë më kanë shqetësuar dhe kam bërë padi , por në Kosovë shteti i së drejtës nuk funksionon e pak problem”, është shprehur në intervistën për “Bota sot”, Mytaher Haskuka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat