"FMN dënon Kosovën, fajtore partitë politike"

Politika

"FMN dënon Kosovën, fajtore partitë politike"

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 1 gusht 2017 Në ora: 08:31
Fondi Monetar Ndërkombëtar

Republika e Kosovës ka humbur 90 milionë euro fonde këto të ndara nga institucionet ndërkombëtare për vendin. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka hequr dore që Kosovës t’ia jep milionët që ishin premtuar nga BE-ja. Sipas njohësve të ekonomisë në vend për ketë fajtor është qeveria dhe mos krijimi i institucioneve të cilat kanë rezultuar edhe ngecje në pothuajse gjitha fushat.

Përfaqësuesi rezident i FMN-së në Kosovë, Ruud Vermeulen, flet për skadimin e programit me ç ‘rast konfirmon se nuk do të bëhet as disbursimi i 15 milionë eurove. Përpos kësaj, vendi rrezikon t’i humb edhe 75 milionë euro të tjera nga BE-ja, të ndërlidhura me programet e Fondit Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme dhe vonesa në krijimin e institucioneve të reja po i kushtojnë shtetit të Kosovës hiç më pak se 90 milionë euro, fonde këto të ndara nga institucionet ndërkombëtare për vendin.

Bëhet fjalë për humbjen e 15 milionë eurove nga programi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili skadon me 4 gusht 2017, si dhe 75 milionë euro të tjera nga Bashkimi Evropian, përkatësisht fondet e IPA-së për Kosovën të ndara për reformën e administratës publike, etj., të cilat janë të ndërlidhura me programet e vendit me FMN-në.

Afati i fundit më 4 gusht

Përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar(FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen, ka konfirmuar se këtë të premte (4 gusht 2017) skadon programi mes FMN-së dhe institucioneve kosovare, me ç ‘rast nuk do të bëhet as disbursimi përfundimtar prej rreth 15 milionë euro në kuadër të kësaj marrëveshjeje, pasi që, siç thotë ai, shqyrtimi i katërt dhe i fundit i programit nuk mund të përmbyllet në sfondin e zgjedhjeve.

Kryeministri Isa Mustafa, ka fajësuar Kadri Veselin dhe Partinë Demokratike të Kosovës, që dërguan vendin në zgjedhje duke bërë që të humben miliona.

“Ata e kanë thyer marrëveshjen, e kanë dëmtuar shtetin, në vend që ne të punojmë, të realizojmë projektet, programet qeveritare ne sot duhet të mendojmë si t’i sanojmë humbjet shumë milionëshe që po na shkaktohen nga veprimet fëmijërore të Kadri Veselit dhe të njerëzve tjerë në PDK që për arsye të interesave të ngushta personale apo partiake e sjellin vendin në një krizë të tillë...po gjithsesi kriza është këtu sepse në qoftë se ne humbnin 16 milion nga FMN, i humbin 25 milionë prej KE-së, nuk mund t’i përmbushim obligimet që kemi për ndërtimin e autostradës, pastaj kemi shumë pengesa tjera të përballjes me buxhetin, nuk kemi investime të huaja direkte sepse njerëzit presin qa po ndodh në Kosovë, këto janë humbje, kjo është kriza, krizë nuk është vetëm zgjedhore, por krizë zhvillimore, krizë institucioneve, megjithatë këta janë fajtorët që kanë shkaktuar krizën”, shtoi Mustafa.

Zëvendësministri i Ministrisë se Financave, Agim Krasniqi në një postim të tij ne faqen e tij ne facebook është shprehur se reagimet që ai i ka parë në lidhje më humbjen e 40 milion eurove nga FMN-ja, ka thënë se kjo është humbja më e vogël që do ti kushtojë Kosovës. Ja postimi i tij

“Po shohë se ka reagime në informatën se Kosova po humb 40 milion euro nga fryrja e listave të veteraneve të luftës. Vetëm dua të ju përkujtoj se kjo është humbja më e vogël që do ti kushtojë Kosovë. Kjo është humbja e parë e mjeteve nga IFN. Mos harroni se në deklarimet e mija shumë kohë më parë kam theksuar se humbjet nga ky veprim i ndërmarrë nga njerëzit e pandërgjegjshëm, do ti kushtojnë në vit Kosovës më humbje mbi 100 milion euro në vit”, ka thënë Krasniqi.

Unë nuk pres që këto gjera ti rregullojnë ata që për interesa personale kanë bëre këto veprime. Vetëm shteti ligjor dhe institucionet e shtetit duhet rregulluar këtë çështje.

Image
Ibrahim Rexhepi

Rexhepi fajëson partitë poltike

Ibrahim Rexhepi ekspert i ekonomisë ka thënë për “Bota sot” se fajtor për humbjen e milionave nga FMN-ja fajtore janë partitë politike, presidentin e vendit të cilët sipas tij nuk brengosen për bllokadën institucionale.

“Pa asnjë dyshim, fajtorë kryesor janë subjektet e mëdha politike, përkatësisht liderët e tyre, posaçërisht koalicioni fitues, duke përfshirë edhe Presidentin e vendit, të cilëve nuk u behët vonë dhe as që brengosen se vendi është në një mini-bllokade institucionale. Që të gjithë , qe nga momenti i shpalljes se zgjedhjeve të jashtëzakonshme është dashur ta kenë parasysh agjendën shtetërore, afatet e kontraktuara për projekte e programe, kështu që ato të mos tejkalohen për shkak të neglizhencës rreth formimit të institucioneve” ka thënë Rexhepi.

Sipas tij humbja e milionave është papërgjegjësi e tyre dhe mungesë sensit shtetndërtues. Po vërehet që për çështje minore, për shkak të pamundësive për të siguruar votën e nevojshme , për shkak të egoizmit dhe lakmisë për pushtet e kolltuqe, ata ndikojnë në humbjen e milionave dhe zhytjen e vendit në krizë, kurse popullatën në varfëri.

Image
Muahmet Kelmendi

Kurse sipas analistit të ekonomisë  Muahmet Kelmendi po ashtu Qeveria e Kosovës është fajtore për humbjen e milionave të dedikuara për shtetin e Kosovës, dhe se fajtore duhet të ndihen Ministria e Financave.

“Natyrisht se Qeveria në tërësi dhe ministria e financave janë fajtore. Po dihet se për të gjitha çështjet që ndodhin përgjegjës është qeveria. Qeveria i ka ministritë e veta. Ato janë për atë pune sa janë kompetente përgjegjëse. Por, ne raportet ekonomike e financiare, si më Bankën Evropiane, me Bankën Botërore në Ëashington, me FMN përgjegjëse e drejtpërdrejtë është Ministria e Financave dhe kryeministri”.

Sipas Kelmendit nuk përjashtohen as ministritë tjera, madje edhe Banka Qendrore e Kosovës dhe Guvernatori i saj, sepse ata janë aty që të përcjellin tregun financiar dhe tregojnë kahjet e zhvillimit.

Marrëveshje ekonomike në vlerë prej 185 milionë euro ndërmjet Kosovës dhe FMN-së ishte rrezikuar të ndërpritej edhe në vitin 2016, kur projekt-buxheti i Kosovës ishte në rrezik të mosmiratimit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, anëtar i së cilës Kosova është që nga viti 2009, në vitin 2011 pati ndërprerë marrëveshjen Stand By Arrangment me Qeverinë e Kosovës, për shkak se kjo e fundit kishte devijuar nga programi, respektivisht shkaku i rritjes së pagave në sektorin publik, pa pëlqimin e këtij misioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat