Presidenti s’e bind opozitën: Siç dështoi me ushtrinë, Thaçi do të dështojë edhe me padinë

Politika

Presidenti s’e bind opozitën: Siç dështoi me ushtrinë, Thaçi do të dështojë edhe me padinë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 prill 2017 Në ora: 09:27
Krimet serbe kundër civilëve shqiptarë në vitin 1999, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka deklaruar së fundmi se populli dhe shteti i Kosovës asnjëherë nuk do t’i harrojë krimet serbe dhe shumë shpejt do ta padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë.

Por, përkundër deklaratave dhe paralajmërimeve për padinë që nga përfundimi i luftës, nuk është realizuar asgjë deri më tani në këtë aspekt.

“Bota sot” ka tentuar të kontaktojë me Ministrinë e Drejtësisë, për të pyetur se pse nuk është ngritur një padi kundër Serbisë deri më tani dhe sa janë mundësitë që Serbia të paguajë për krimet e bëra, por ata nuk janë përgjigjur.

Ndërkohë, sipas partive politike, kjo deklaratë e Presidentit për padi ndaj Serbisë vie pas “iniciativës së dështuar për krijimin e ushtrisë”.

Opozita: Siç dështoi me ushtrinë, Thaçi do të dështojë edhe padinë

Anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën Bajram Hasani, ka reaguar duke thënë se Serbia duhet të paguajë për krimet e tij, por ajo çfarë e brengos është pse kjo gjë nuk është bërë deri më tani, por vjen në kohë kur presidenti Thaçi ka dështuar me krijimin e ushtrisë.

“Kanë kaluar 18 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ende nuk është bërë ndonjë padi për gjenocidin që ka kryer Serbia ndaj civilëve shqiptarë. Natyrisht secili prej nesh do të donte që Serbia të jepte përgjegjësi për të gjitha krimet makabre që i ka kryer mbi civilët e pafajshëm shqiptarë, por ajo që na brengosë neve është që kjo nuk është bërë deri më tani dhe vjen në një kohë kur presidenti Thaçi pas dështimit të iniciativës së tij për krijimin e ushtrisë, po tenton që ta gjejë një tjetër vegëz për ta ruajtur apo kthyer imazhin e tij tashmë të humbur”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, Thaçi po tenton të gjej një tjetër vegëz për ta ruajtur apo kthyer imazhin e tij.

“Kjo padi duhej të bëhej shumë moti dhe jo të bëhet për interesa personale, kur i ka punët ngushtë. Imazhin e tij nuk mund ta lustron duke luajtur me ndjenjat e familjarëve të të vrarëve dhe të zhdukurve nga lufta e fundit”, ka deklaruar Hasani për gazetën “Bota sot”.

Image
Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Avni Arifi

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Avni Arifi, ka thënë se sa është në krye të institucioneve Hashim Thaçi, asnjë krimineli serb nuk do t’i mungojë asnjë fije floku.

“Pa e zgjatur këtë muhabet, sa të jetë Hashim Thaçi në krye të institucioneve të Kosovës, asnjë krimineli serb të luftës nuk do t’i mungojë asnjë qime floku”, është shprehur Arifi për gazetën.

Edhe sipas analistëve politikë, kjo deklaratë e Presidentit është kthyer në interesa personale.

Baraliu kërkon mobilizim institucional

Fajin se pse Kosova nuk ka ngritur padi ndaj Serbisë më herët, eksperti i çështjes juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, ua ka hedhur institucioneve, të cilat sipas tij, po punojnë ngadalë.

Baraliu ka pohuar se kanë ekzistuar mundësitë që shumë herët të ngrihen padi, sepse një gjenocid ka ndodhur në Kosovë.

“Pikërisht sepse punët tona po shkojnë ngadalë, institucionet tona kanë pasur vështirësi sepse fillmisht nuk kemi pasur shtet, pastaj u shpall pavarësia, pastaj shteti nuk funksiononte dhe nuk po funksionon në mënyrën më të mirë, nuk është në binarë të duhur të shtetndërtimit dhe të krijimit të imazhit, të pranimit ndërkombëtar, pengesat e brendshme. Dhe, gjithsesi ndoshta edhe mungesa e përvojës për arsye se ne kemi institucionet e krijuara dhe kemi prova të mjaftuara që janë bërë në terren nga ekspertëve të tribunalit të Hagës menjëherë pas luftës nga  të gjithë udhëheqësit e ndryshëm ndërkombëtarë”, ka thënë Baraliu për “Bota sot”.

Tutje, Baraliu ka shpjeguar se sipas të drejtës ndërkombëtare krimet e luftës dhe gjenocidit nuk vjetërohen kurrë, nuk parashkruhen, dhe se nuk është vonë asnjëherë për të ngritur padi.

Image
Eksperti i çështjes juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu

“Ka pasur mundësi që shumë më herët të ngritet kjo çështje kjo padi për arsye se një gjenocid ka ndodhë në Kosovë, ai ka qenë i tmershëm, dëmet janë të pa riparueshme, mirëpo krimet e luftës dhe të gjenocidit, sipas të drejtës ndërkombëtare nuk vjetërohen kurrë nuk parashkruhen. Me që nuk parashkruhen, nuk është vonë asnjëherë”, ka treguar Baraliu.

Ai ka pohuar se institucionet duhet të mobilizohen për këtë çështje dhe kjo gjë të realizohet dhe të mos mbetet vetëm një fjalë.

“Po shoh se edhe tani ka një lloj papërgatitje apo naiviteti apo edhe jo informim i duhur. Dikush thotë se nuk ka mjaft prova e materiale të mbledhura, dikush thotë se nuk kemi të drejtë, sepse jemi shtet i panjohur ndërkombëtarisht, gjë për të cilën ndoshta kanë të drejtë. Por, ka mjaft materiale dhe vetëm nevojitet një mobilizim shtetëror, institucional. Meqenëse Presidenti po e përmend vazhdimisht, do të duhej të mos mbetej kjo punë në fjalë, por të mobilizohen segmentet institucionale që kanë për detyrë, që kanë prova kanë materiale, dëshmi se me të vërtetë ka ndodhë gjenocidi apo jo. Nëse provojnë, kanë mjaft materiale dhe do të duhej të veprohej, dhe nëse jo, do të duhej të tërhiqet e të mos flas, sepse fol e mos vepro nuk është atraktive për opinonin publik, sepse nuk zbuten plagët, por irritohen njerëzit nëse vetëm flitet, e nuk veprohet”, është shprehur Baraliu për “Bota sot”.

Prova të mjaftueshme të gjenocidit

Se sa janë mundësitë që Serbia të paguajë për krimet e bëra, Baraliu është shprehur se kjo varet nga gjykata përkatëse.

“Varet nga gjykata përkatëse që trajton çështjen. Edhe Bosnja ka pasur ndaj Serbisë edhe Kroacia ka pasur, mirëpo varet sa është material sublim, gjithëpërfshirës,  përmbledhës, bindës. Materiale ka tej mase, pastaj si e bën dhe kush e bën është me rëndësi si përpilohet aktpadia dhe pastaj varet nga organi që e bën vlerësimin dhe gjykimin e çështjes”, ka sqaruar eksperti i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, ka shpjeguar se gjithçka është kthyer në interesa personale edhe në ato gjëra që nuk guxohet.

Sipas Mehmetit, sikurse iniciativa për krijimin e ushtrisë, edhe iniciativa për padi ndaj Serbisë do të dështojë.

“Fatkeqësisht, çdo gjë është kthyer në interesa personale, edhe në ato që nuk guxohet fare të vihet interesi personale, siç janë formimi i ushtrisë dhe padia ndaj Serbisë për gjenocid. Pikërisht se u munduan të përdoren për poena politike, ato edhe dështuan. Derisa nisma për formimin e ushtrisë  dështoi, fatin e njëjtë pritet ta pësojë edhe inicimi i Thaçit për gjenocid. Meqenëse janë të pa analizuara mirë, të pa argumentuara mirë, edhe të paraqitura në mënyrë fare formale, këto edhe s’kanë si ta kenë fundin pos dështim”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka akuzuar klasën politike për papërgjegjshmëri, pasi sipas tij nëse ajo do të ishte e përgjegjshme, Kosova do të ishte me ushtri dhe Serbia do të paditej për gjenocid.

“Është fatkeqësi që Kosova ka këtë klasë politike të mjerë, aspak të përgjegjshme dhe krejtësisht medokre. Nëse do të kishim një klasë politike të përgjegjshme, Kosova do të ishte me ushtri dhe Serbia e paditur për gjenocide, dhe jo vetëm kaq, por Serbia do t'i paguate dëmet materiale shtetit të Kosovës për të gjithë kërdinë që bëri gjatë vitetve '98-99”, ka thënë Mehmeti.

Image
Analisti politik Blerim Burjani

Qëllimet “përfituese” të Thaçit

Ttuje, ai ka folur edhe për qëllimet që sipas tij, Thaçi i bën këto nisma. Sipas tij, ai provon të përfitojë nga rrethanat.

“Thaçi këto nisma i bën për dy qëllime: e para që  të shpërfaqet si lider i pakontestuar i Kosovës, në kohën kur pozita e tij e presidentit është me mungesa të shumta të kompetencave dhe së dyti të dëmtojë kundërshtarin e tij të LDK-së, kinse është e paaftë për të bartur mbi supet përgjegjësi për tema "të mëdha". Faktikisht Thaçi mundohet të përfitojë nga rrethanat, por edhe iniciativa për gjenocid është vetëm propagandë për vota, por pasojat e saj do t’i mbartin qytetarët e vendit tonë, të cilët kërkojnë që drejtësia të vihet në vend”, ka shtuar Mehmeti për “Bota sot”.

Ndërsa, sipas analistit Blerim Burjani, deklarimet e tilla kanë të ngjarë sipas nevojave ditore vjetore, dhe nuk kanë seriozitet.

“Deklarime të tilla ka të ngjarë të bëhen sipas nevojave ditore politike vjetore, pra jo se ka pasur ndonjë seriozitet në ndonjë trajtim të kësaj teme. Shpesh herë është vlerësuar se herët është për të bërë këtë padi përderisa të përfundojë dialogu për normalizim. Këtu ka pasur edhe interesa ndërkombëtare të involvuara, të cilët kanë sugjeruar që kjo të shtyhet, edhe pse Kosova duket të  jetë e përgatitur për këtë padi kaherë”, ka përfunduar Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat