Gjykata Speciale, nën hetim edhe shërbimi famëkeq SHIK?

Politika

Gjykata Speciale, nën hetim edhe shërbimi famëkeq SHIK?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 shkurt 2017 Në ora: 11:57
SHIK-u njihet si një organizatë famëkeqe, e cila shumë herë në raporte të ndryshme ndërkombëtare ka qenë e akuzuar nga familjarët e viktimave të vrasjeve politike, si përgjegjëse për shumë vrasje të ndodhura në Kosovë.

Gjykata Speciale është një nga çështjet më aktuale dhe që pritet që ajo të fillojë punën së shpejti.

Megjithëse ende nuk ka filluar ende punën, janë përmendur dhe emra e raste që do të jenë të përfshirë të mundshëm nga kjo Gjykatë.

Por, a duhet të hetohet edhe SHIK-u nga Gjykata Speciale, pasi shpesh është akuzuar nga familjarë për vrasje që janë bërë pas lufte.

Gazeta “Bota sot” ka bërë një sondazh dhe në pyetjen se a duhet të hetohet SHIK-u për vrasjet politike të shqiptarëve të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, 5879 lexues apo 91 për qind e lexuesve kanë thënë se Specialja duhet të hetojë këtë shërbim sekret, ndërsa kundër kanë qenë vetëm 581 apo 9%.

Të zbardhen vrasjet politike

Të njëjtit mendim me lexuesit janë edhe analistët dhe njohësit e zhvillimeve në vend.

Ish luftëtari i UÇK-së, njëkohësisht ish anëtar i SHIK-ut, Naim Miftari, ka thënë se kjo organizatë dhe nëse ka fakte, duhet të hetohet çdokush i akuzuar për vrasje apo krim të organizuar, megjithatë është skeptik se mund të bëhet kjo.

“Jo vetëm të hetohen, por nëse gjenden fakte, edhe të dënohen rëndë. Por, nga praktika e pas luftës jam shumë i bindur se kjo nuk do të ndodh kurrë, pasi këto gjëra janë shumë të ndjeshme, sidomos vrasjet e klasifikuara nga lufta e gjer sot dhe më shumë janë përdorur për marketing politik dhe janë aktivizuar gjatë zgjedhjeve politike, si lokale edhe qendrore, e më pas këto gjëra liheshin në harresë apo ndrydheshin aq shumë sa i bënin të pa vërejtura kërkesat për të zbardhur krimet. Nëse dikujt i është vrarë baba, vëllai apo ndonjë tjetër familjar dhe i njëjti familjar i viktimës punon në një zyre me ata, shtrohet pyetje se kush me të vërtet janë vrasësit dhe pse heshtin, sidomos LDK-ja sot”, ka thënë Miftari për “Bota sot”.

Tutje, ai shton se duhet të zbardhet çdo vrasje e kryer, sidomos sipas tij, nga dora e zgjatur e nëntokës politike të Kosovës.

“Krimi duhet dënuar, por s’ka vullnet politik e as guxim dhe sa i përket vrasjeve nuk janë të gjitha politike,shumë janë edhe vrasje nga interesat e ulëta. Vrasjet si ajo e Enver Malokut, Xhemajl Mustafës, Ahmet Krasniqit, Smajl Hajdarit, pastaj rasti i Fetah Rudit, Ejup Visokës e shumë raste të tjera, janë vrasje politike nga dora e zgjatur e nëntokës politike të Kosovës, e ndihmuar edhe nga shërbimi sekret serb, e cila me çdo çmim donte të arrinte në pushtet dhe arriti në pushtet përmes varreve, intrigave, dosjeve të rreme, sabotimeve, përmes parave dhe përmes informatave, shantazheve që i siguruan nga ish bashkëpunëtorët e UDB-së, të cilët i shpallën thesar të kombit”, është shprehur tutje ai.

Miftari më tej pyet se pse asnjë organizatë nuk doli për vrasjet e pasluftës.

“Pse deri më sot asnjë individ, udhëheqës apo organizatë sekrete e dalë nga lufta deri sot nuk doli t’i marrë përsipër vrasjet e (arsyetueshme) e kryera kundër pro serb dhe kundër interesit të sigurimit serb. Sa i përket vrasjeve politike e atdhetarëve dihet mirë nga burojnë urdhërat dhe ku është adresa për vrasjen e atyre njerëzve. Thjesht sot nuk duam si popull por as si shtet ta dimë se kush i organizonte dhe bënte vrasjet”, ka përfunduar Miftari.

SHIK-u është dashur të hetohet shumë më herët

Ndërsa, veprimtari i çështjes kombëtare dhe njohësi i çështjeve politike Arbër Gashi, ka thënë se nuk është dashur që të priten të huajt që të hetohet SHIK-u.

“SHIK-u ka qenë dashur të hetohet nga organet kompetente të shtetit tonë dhe jo të pritet që të huajt të na e gjykojnë shtetin dhe shtyllat e tij, në këtë rast, mungesën e pafalshme të drejtësisë vendore. Padyshim, përgjegjësinë për këtë rrjedhë të ngjarjeve e mbanë politika, por, as qytetarët e vendit nuk janë krejtësisht të pafajshëm, sepse, jo rrallë, për interesa personale, familjare, fisnore e klanore, i japin votat atyre që nuk kanë kapacitet intelektual dhe atdhetar për ta ndërtuar dhe mbajtur shtetin”, është shprehur Gashi për gazetën “Bota sot”.

Edhe analisti Islam Krasniqi mendon se Gjykata Speciale duhet të hetojë SHIK-un, pasi këtë nuk e ka bërë drejtësia e Kosovës.

“Gjykata Speciale duhet që të merret edhe më fushëveprimin e SHIK-ut, organizatë e cila për disa vite shërbeu në Kosovë, ku shumë akuza rëndojnë mbi të, e të cilën nuk u hetuan kurrë. Nëse institucionet e Drejtësisë në vendin tonë së patën guximin që ta hetojnë këtë organizatë, për të ua hequr merakun familjarëve të të vrarëve pas luftës, atë duhet ta bëjë dikush dhe të shihet së ku qëndron e vërteta e gjithë këtyre akuzave, sepse shumë familje për të vrarit e pas luftës e akuzuan SHIK-un. Edhe pse një pjesë e pjesëtarëve të SHIK-ut mund të trajtohen si të akuzuar nga Gjykatën Speciale, koha e kësaj Gjykate është e kufizuar dhe nuk i plotëson kushtet që të merret me të”, është shprehur Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se SHIK-u njihet si një shërbim famëkeq, i cila shumë herë në raporte të ndryshme ndërkombëtare ka qenë e akuzuar nga familjarët e viktimave të vrasjeve politike, si përgjegjëse për shumë vrasje të ndodhura në Kosovë, ku nga këto vrasje më së shumti ka pësuar Lidhja Demokratike e Kosovës, ku ajo humbi disa nga funksionarët dhe anëtarët e saj. Udhëheqë i SHIK-ut ishte Kadri Veseli, tash kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat