Kush qëndron prapa sulmit në ndërtesën e Kuvendit?!

Politika

Kush qëndron prapa sulmit në ndërtesën e Kuvendit?!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 5 gusht 2016 Në ora: 14:34
Kuvendi i Kosovës

Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevant në rastin e sulmit me mortajë dore ndaj Kuvendit të Kosovës, për të zbardhur këtë sulm dhe sjelljen para drejtësisë të kryerësve të tij.

Sulmi me mortajë dore që ndodhi mbrëmë ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, është përpjekja e radhës për ta destabilizuar vendin. Kështu ka thënë për “Bota sot”, eksperti i sigurisë dhe Inteligjencës Fadil Kajtazi.

Sipas Kajtazit, ngjarje të tilla destabilizuese kanë ndodhur që nga viti 2001 nga shërbimet sekrete serbe, ndërsa askush nuk i ka analizuar.

“Duke mos dashur ta teproj, që nga viti 2001, në vazhdimësi kam shkruar për potencialin që kanë në Kosovë shërbimet serbe. Dhe ata në vazhdimësi janë përpjekur ta destabilizojnë situatën në shkallë të gjerë ku ngjarjet e marsit 2004, janë aksioni më i madh i tyre. As kush nga politika, institucionet shtetërore, nuk ka analizuar këto ngjarje. Tani se kush është i interesuar ta destabilizoi situatën nuk është vështirë ti ja qëllojmë”, ka thënë Kajtazi.

Sipas tij, politika dhe diplomacia serbe gjithandej trumbeton për Kosovën si "shtet jofunksional" gjithashtu në gjeopolitikën e re ballkanike dhe më gjerë kemi përvijime të reja të interesave ku vlen të potencohet faktori rus dhe ai turk që po mundohen të rirreshtohen. ”Tani problemi qëndron ne faktin se kush nga individët, OJQ, mediat, politikanet dhe forcat politike bëhen vegël e procesit për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Edhe kjo punë nuk është e vështirë për t`ja qëlluar nga se tradhëtitë e mëdha historikisht te shqiptaret janë veshur me veladonin kuq e zi. Mendoj se është momenti i fundit i Qeverise së Kosovës dhe forcave politike që e duan këtë vend të ndalen dhe ta shikojnë pozicionin e tyre dhe të rishikojnë sistemi e sigurisë së Kosovës i cili si duket çalon në shumë segmente”, është shprehur Kajtazi.

Në anën tjetër, eksperti tjetër i sigurisë Hajrullah Tërnava, sulmin e mbrëmshëm ndaj Kuvendit e ka ndërlidhur me situatën politike në vend.

“Mbrapa sulmit të kuvendit të Kosovës qëndrojnë njerëzit e dëshpëruar e që nuk shohin perspektiv të zhvillimit e sidomos kur e kanë të qartë se kush po i udhëheq apo i përfaqëson. Situata e rëndë ekonomike e pa perspektive për hapjen e vendeve të punës, dështimet e investimeve të huaja si rastet Brezovica, Trepça, Kosova e re e shume raste tjera i kontribuojnë që pakënaqësitë të rriten dhe në mënyra të ndryshme ti shprehin pakënaqësitë e tyre e pse jo edhe në këtë mënyrë si mbrëmë”,ka thënë Tërnava.

Por, sipas Tërnavës nuk duhet harruar as armiqtë e Kosovës, që e përcjellin situatën dhe kontribuojnë në destabilizimin e saj.

”Mos të harrojmë se edhe armiqtë tonë mes njerëzve të tyre, duke e përcjellë situatën tonë në çfarë gjendemi, ia ndihmojnë sjelljeve që sa më shumë ta përkeqësojnë situatën dhe ti tregojnë miqve tanë, se shqiptarët nuk janë të afet për krijimin e shtetit. Destabilizimi në rastin konkret i konvenon vetëm armiqve tonë. Prej formimit të kësaj Qeverie e deri më tani vështirë të gjejmë një periudhe të qetë apo të rehatshme deri më tani. Prandaj nëse vazhdohet si deri më tani të gjitha iniciohet na tregojnë se jemi kah rrugëtojmë drejt eskalimit të situatës drejt dhunës dhe prishjes së rendit shtetëror e pse jo edhe Kushtetues të këtij vendi”, ka theksuar ai.

Ndryshe, Policia e Kosovës, ka raportuar se me datë 04.08.2016, rreth orës 23:05 në Prishtinë, në rrugën “Agim Ramadani”, ka ndodhur një sulm me mjet shpërthyes ndaj objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Policia e Kosovës me njësitet e saj, duke përfshirë edhe ato të specializuara ka reaguar menjëher duke ndermarr veprime të shpejta operacionale dhe hetimore lidhur me rastin. Si rezultat i angazhimeve profesionale policore, përveq sigurimit të vendit të ngjarjes është arrit që gjatë operacionit për identifikim të të dyshuarve dhe sigurimit të provave që mund të qojnë në zbardhjen e rastit janë gjet deshmi relevante si një mjet për hedhjen e predhave me të cilën dyshohet se është kryer sulmi ndaj ndertesës së Kuvendit të RKS-së, pastaj Policia ka arritë që në rrugën “1 tetori” ta gjej një motoçikletë e cila ishte duke u djegur dhe shishe molotovi, që dyshohet se mund të jenë perdorur nga të dyshuarit”, thuhet në raportin e Policisë. Si pasojë e këtij sulmi nuk ka pasur raportime për ndonjë person të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale në murin e ndërtesës së Kuvendit të RKS-së, janë dëmtuar disa dritare, disa vetura zyrtare të cilat kanë qenë të parkuara në parking etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat