Mediat serbe për Asociacionin: Haradinaj do të duhet ta “gëlltisë bretkosën e madhe”!

Lajme

Mediat serbe për Asociacionin: Haradinaj do të duhet ta “gëlltisë bretkosën e madhe”!

Më: 13 shtator 2017 Në ora: 10:07
Ramush Haradinaj

Pavarësisht premtimeve të tij gjatë fushatës zgjedhore se ai nuk do të lejojë krijimin e Komunitetit të Komunave Serbe, kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të duhet të zbatojë plotësisht Marrëveshjen e Brukselit.

Kështu së paku shkruan mediumi serb, sipas të cilit për këtë insiston edhe BE-ja, por edhe Lista Serbe, e cila “i siguroi Haradinajt ulësen e kryeministrit”.

“Kryeministri i ri i Kosovës, i cili para zgjedhjeve në mënyrë eksplicite kundërshtoi krijimin e Asociacionit, nuk ka folur për këtë çështje pasi ai iu dha detyra më e lartë. Megjithatë, ai tha se do të fliste me serbët nga Kosova, por gjithashtu tha se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë”, shkruan ky medium.

Gjithashtu, sipas mediumit serb mediat gjermane, në artikujt e parë të botuar pas emërimit të tij, deklaruan se Ramush Haradinaj duhet së pari të “gëlltisë një bretkosë të madhe” dhe të njohë Komunitetin e Komunave Serbe në Kosovë, i cili ” sikurse Republika Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, do të bëhet shtet brenda shtetit”.

Stefan Surliq, analist, mendon se shqiptarët në Kosovë kanë frikë nga Asociacioni i Komunave Serbe, sepse ata besojnë se mund të ndodhë separatizmi.

“Ata kanë frikë se AKS do të bëhet një entitet apo republikë, që do të bëhet një Republika Srpska e re. Kjo, megjithatë, nuk qëndron, sepse kjo shoqatë ka praktikisht vetëm një funksion mbikëqyrës dhe që respekton të drejtat e garantuara të serbëve”, ka thënë Surliq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat