Kuvendi nuk e fton Majlinda Kelmendin për seancën e Pavarësisë

Lajme

Kuvendi nuk e fton Majlinda Kelmendin për seancën e Pavarësisë

Më: 16 shkurt 2017 Në ora: 18:32
Majlinda Kelmendi

Kuvendi i Kosovës nuk i ka bërë ftesë fitueses së medaljes së parë olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendi për të marrë pjesë në seancën solemne për nder të nëntëvjetorit të shpalljes së pavarësisë.

E arritura historike e saj shtatë muaj më parë e frymëzoi edhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që të mos e lë pa e përmendur në urimin që ia dërgoi homologut të tij kosovar Hashim Thaçi për përvjetorin e nëntë të shtetit të Kosovës.

Por Kuvendi i Kosovës, në seancën solemne të mbajtur për nder të këtij përvjetori, nuk i ka gjetur vend në mesin e të ftuarve Majlinda Kelmendit, vajzës nga Kosova që i solli shtetit medaljen e parë olimpike, të artën, në Lojërat Olimpike të mbajtura në Rio të Brazilit, vitin e kaluar.

As Majlinda, as trajneri i saj Driton Kuka, nuk janë parë sot në mesin e të ftuarve në Kuvend përderisa drejtuesit e shtetit po lavdëroheshin me të arriturat e shtetit në këto nëntë vjet.

Një zyrtar i Kuvendit të Kosovës konfirmoi për KALLXO.com se Kelmendit nuk i është dërguar ftesë për shkak të formatit të kësaj seance.

“Nuk ka pasur ftesë për Majlinda Kelmendin për hir të formatit e të protokollit të këtyre seancave. Në këto seanca thirren njerëz që kanë të bëjnë me politikën”, tha një zyrtar i Kuvendit të Kosovës.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Driton Kuka, e ka relativizuar mungesën e një ftese nga Kuvendi për këtë seancë.

“Nuk e di a kemi pasur ftesë sepse nuk kemi pasur qasje deri sot. Mbrëmë kemi ardhur vonë në Kosovë dhe po e shijojmë suksesin. Kjo me Kuvend nuk ka rëndësi”, tha Kuka për KALLXO.com.

Megjithë mungesën fizike të saj, Majlinda Kelmendi nuk u la pa u përmendur nga Presidenti Thaçi në fjalimin e tij në Kuvend.

“Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Rita Ora, Dua Lipa, ekipi i filmit “Home” apo ai i filmit “Shok”, futbollistët tanë dhe basketbollistët tanë… Kjo është Kosova që sheh bota sot”, tha Thaçi.

Një përshëndetje, Majlinda Kelmendi e mori edhe nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Falënderoj në mënyrë të veçantë heroinën tonë, Majlinda Kelmendin, si e para dhe e arta,” tha Veseli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat