A duhet të arrestohet Albin Kurti? Ja çfarë thotë Ligji për përdorimin e gazit! (Dokument)

Lajme

A duhet të arrestohet Albin Kurti? Ja çfarë thotë Ligji për përdorimin e gazit! (Dokument)

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 15:05

Albin Kurti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, dje gjatë seancës së Kuvendit ka hedhur gaz lotsjellës, duke rrezikuar shëndetin e deputetëve, vëzhguesve dhe stafit diplomatik në sallë, e që me kodin penal të Kosovës cilësohet vepër penale dhe e dënueshme nga 6 muaj deri në 5 vite burg.

Bazuar në Kodin Penal, neni 120, i cili përcakton përkufizimet e shprehjeve të përdorura në kod, pika 38 saktëson se çka konsideron armë, ku edhe gazi hyn në kategorinë e armëve.

“Armë – çdo send ose vegël e punuar me qëllim që nën presionin e gazrave, të cilat lirohen gjatë djegies së materieve shpërthyese, elektrike, gazrave nën presion ose energjisë tjetër potenciale, hedhë predha në formë të një plumbi të vetëm, grumbulli prej saçmash, gazi, lëngu, shigjete ose përbërësish të tjerë, që krijohet dhe përdoret për të shkaktuar lëndime trupore ose dëm fizik, qoftë edhe psikologjik, si dhe secili send tjetër, qëllimi kryesor i të cilit është kryerja e sulmit fizik ndaj integritetit fizik të njerëzve ose ndaj pasurisë.”, precizohet në Kodin Penal të Kosovës.

Ndërsa pika 38.4. e po këtij neni saktëson se armë konsiderohet edhe arma për shpërndarje e gazrave irrituese.

“Këto në vijim janë armë:

38.1. armët e zjarrit;

38.2. armët e koleksionit;

38.3. armët pneumatike (ajrore);

38.4. armët që përdoren për shpërndarjen e gazit irritues;

38.5. armët shpërthyese;

38.6. armët me shigjeta;

38.7. armët e ftohta;

38.8. armët për sinjalizim akustik dhe të dritës;

38.9. armët elektroshok;

38.10. armët me rrymë”, saktëson ligji për armët dhe Kodi Penal i Kosovës.

“Sipas rregullores së Policisë së Kosovës, për përdorimin e armëve nga zyrtarët policorë, përdorimi i gazit lotsjellës në ambiente të mbyllura nuk lejohet për shkak të rrezikut për jetë, që paraqet përdorimi i tij”, ka thënë një zyrtar nga Policia e Kosovës, i cili nuk ka dashur që t’i përmendet emri.

Madje ky zyrtar ka shpjeguar se kjo është edhe arsyeja se pse zyrtarët policor posedojnë edhe renditjen e mjeteve që duhet të përdoren në varësi prej forcës proporcionale që duhet përdorur në kontrollimin e individit apo masës.

Ende mbetet e pa qartë, po ashtu edhe mënyra se si ka hyrë Kurti me bombolat e Gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, kur dihet se çdo person që hyn në kuvend, duhet t’i nënshtrohet kontrollit në hyrje nga sigurimi dhe skanimit të çantave të tyre.

Albin Kurti dje gjatë ditës ka deklaruar se bombolat e gazit lotsjellës që i ka lëshuar në Kuvend, janë gjetur nga aktivistët e LVV-së gjatë një proteste të realizuar më parë dhe që ishin sjellur tek ai nga ata aktivistë. Kjo e bënë përgjegjës Kurtin edhe për mos raportim të mjeteve të rrezikshme të gjetura në rrethana tjera, kur dihet se çdo mjet i dyshimtë duhet të raportohet në polici.

Ndërkaq, habit fakti se edhe përkundër asaj që Kurti dje në Kuvend përdori armë në mënyrë të pa autorizuar, Prokuroria e shtetit nuk ka reaguar dhe nuk ka urdhëruar arrestimin e tij, për armëmbajtje pa leje, përdorim të pa autorizuar të saj dhe rrezikim të deputetëve dhe të pranishmëve tjerë në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat