Pacolli: Ja shkaqet që po rrënojnë imazhin e Kosovës

Lajme

Pacolli: Ja shkaqet që po rrënojnë imazhin e Kosovës

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 21:37

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, në një postim në Facebook ka numëruar shkaqet që po rrënojnë imazhin e vendit.

Ai thotë se imazhi i Kosovës po rrënohet së fundmi me shpejtësi.

Më poshtë është shkrimi i plotë i Pacollit:

IMAZHI NDËRKOMBËTAR I KOSOVËS PO RRËNOHET. JA SHKAQET, SHKAKTARËT DHE PASOJAT!

Në këtë verë, nga shumë miq ndërkombëtarë kam dëgjuar, nga shumë prej tyre kam ndjerë diçka të padëshirueshme. Imazhi ndërkombëtar i Kosovës po rrënohet me shpejtësi. Kjo do të thotë se Kosova nuk shihet me sy të njëjtë, nuk po shihet pozitivisht si më parë prej miqve tanë, prej botës në përgjithësi.

Kjo gjë ka ndodhur edhe më parë me qeveri të tjera, por sot po ndodh me një shpejtësi të madhe.

Ky rrënim i imazhit, i mënyrës si na shohin të tjerët, ka disa shkaqe apo shkaktarë. Ka disa pasoja. Po e nisi me shkaqet dhe shkaktarët.

- Nëse ne krejt ndryshe me kërkesat e ndërkombëtarëve, nuk përmbushim asgjë, por bëjmë të kundërtën, kjo nuk është arsye për lavdatë.

- Nëse ne krijojmë premisat për emigrimin e dhunshëm, nuk e frenojmë atë, por e nxisim, kjo bën që imazhi ynë të përkeqësohet.

- Nëse ne nuk plotësojmë pritshmëritë e atyre miqve që na ndihmuan në themelimin e shtetit tonë, në begatimin e tij, në jetësimin e shtetësisë dhe njohjen e saj, atëherë, miqtë nuk na vlerësojnë më.

- Nëse ne me pretekste të çuditshme, duke vënë interesin personal mbi atë të Kosovës, bllokojmë votimin e Gjykatës speciale, atëherë miqve i shtohen arsyet për t’u zemëruar me ne.

- Nëse ne nuk zhvillojmë ekonominë si premtuam në zgjedhje, nëse ne nuk mbajmë premtimet, atëherë, askush s’ka pse të jetë i kënaqur me ne.

Dhe shkojmë tek pasojat. Kur miqtë që të kanë ndihmuar të kthehesh në shtëpi prej nga të nxori armiku, të hapësh themelet e shtëpisë që të ishte prishur, të ngresh muret, ta mbrosh atë, se ti nuk mundeshe, ata mërziten, zemërohen, nuk të vlerësojnë si më parë! Atëherë ata që të ndihmuan, nuk të ndihmojnë më si më parë.

Ka ikur koha kur Kosova ishte në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, për tragjedinë e vet, për dëshirën e rinisë dhe të popullit të vet për të jetuar. Sot ka kriza të tjera, vëmendja zhvendoset gjetkë.

Në kushte të tilla proceset ndërkombëtare të Kosovës stagnojnë. Është më vështirë për njohjet, është më vështirë për liberalizimin e vizave, është më vështirë për gjithçka.

E a e ndjen kush këtë në qeverinë dhe në politikën e Kosovës ? A po ndihet dikush përgjegjës ? A po mendon dikush me ndryshuar diçka në këtë vend?

Para Kosovës në ditën e sodit ka vetëm një shans : bashkëpunim i sinqertë me miqtë tanë që na kanë ndihmuar. Pa rrenat dhe mashtrimet që i kemi me njëri tjetrin. Nëse nuk kuptohet kjo, rreziqe të mëdha do të ketë për shtetin tonë të ri!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat