Eurogrupi: Nuk do të diskutojmë për Greqinë para referendumit

Lajme

Eurogrupi: Nuk do të diskutojmë për Greqinë para referendumit

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 23:21

Ministrat e Financave të Eurogrupit ranë dakord të mërkurën se nuk do të ketë diskutim të mëtejshëm të kredisë për Greqinë para referendumit të së dielës, deklaroi kryetari i grupit, Jeroen Dijsselbloem pas një telekonference.

Duke vënë në dukje se kryeministri Aleksis Tsipras kishte sugjeruar ndryshime në kushtet për një plan të mëparshëm që skadoi të martën, zoti Dijsselbloem tha: "Tani për tani, ne thjesht morëm shënim këto propozime”.

"Vendimi kryesor, - tha ai, - ishte se, duke pasur parasysh situatën politike, refuzimin e propozimeve të mëparshme, referendumin i cili do të mbahet të dielën dhe këshillën e qeverisë greke për një votë “JO”, ne nuk shohim asnjë bazë për bisedime të mëtejshme në këtë pikë.”

"Nuk do të ketë bisedime të mëtejshme në ditët e ardhshme, as në nivelin e Eurogrupit e as mes autoriteteve greke dhe institucioneve në lidhje me propozimet apo marrëveshjet financiare. Ne thjesht do të presim tani rezultatin e referendumit të dielën dhe do të marim parasysh rezultatin e referendumi,” tha kreu i Eurogrupit.

"Më vjen shumë keq për situatën e krijuar duke patur parasysh vendosmërinë e fuqishme të popullit grek për të qenë pjesë e Evropës dhe për të mbetur në Eurozonë, për të cilat ne e mbështesim plotësisht," tha zoti Jeroen Dijsselbloem.

LETRA E GREQISË, PËRGJIGJET MERKEL

Kryeministri grek Alexis Tsipras u deklaroi kreditorëve ndërkombëtarë në një letër se Greqia është e gatshme të pranojë shumicën e kushteve të paketës së shpëtimit.

Por kancelarja gjermane Angela Merkel tha në parlament se do të presë zhvillimin e referendumit.

Udhëheqësja gjermane hodhi poshtë nocionin se kriza financiare greke do të çonte në shkatërrimin e eurozonës.

"Bota po na vëzhgon,” tha ajo. "Por e ardhmja e Evropës nuk është në rrezik. Ajo do të ishte në rrezik nëse ne harrojmë se cilët jemi dhe se çfarë na bën të fortë – një komunitet i bazuar në rregulla dhe në përgjegjshmëri,” tha kancelarja Merkel.

Letra e zotit Tsipras iu shpërnda sot mediave, pak orë përpara se ministrat evropianë të financave të mbanin një telekonferencë për të diskutuar një lutje të fundit të Greqisë për marrëveshje. Nga letra del se Greqia mund të jetë më e gatshme se sa kishte treguar më parë për t’u hapur rrugë kërkesave të kreditorëve.

Në takimin e tyre të sotëm, ministrat evropianë të financave pritej të shqyrtonin kërkesën e Greqisë për një paketë të minutës së fundit prej 32,4 miliard eurosh. Kjo do të ishte një përpjekje e fundit për ta mbajtur Greqinë në eurozonë, pasi dje ajo nuk mundi të realizojë një pagesë të rëndësishme kredie prej 1.8 miliard dollarësh për Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Ministrat e financave vendosën dje të mos e zgjatnin një program ndihme për Greqinë.

Ministri holandez i financave Jeroen Dijsselbloem tha dje se “do të ishte çmenduri një zgjatje e programit.”

Sot, mijra degë bankash në të gjithë Greqinë qëndruan të hapura për pensionistët që nuk kanë karta bankomatesh dhe kanë nevojë të tërheqin para.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat