“ISIS vjen në Mal të Zi, nuk do të ketë mëshirë”

Lajme

“ISIS vjen në Mal të Zi, nuk do të ketë mëshirë”

Më: 3 maj 2015 Në ora: 22:14

Damir Slakoviq nga Bari (Tivari) i Malit të Zi, i cili thotë se i është bashkuar Shtetit Islamik (ISIS), ka kërcënuar qytetarët e Barit dhe disa deputet në Kuvendin malazez, përfshirë edhe deputetin shqiptar, Dritan Abazoviq.

Ai në një mesazh ka thënë se “Shteti Islamik do të vije në Mal të Zi dhe nuk do të ketë mëshirë për askënd”, raportojnë mediat malazeze.

Slakoviq mesazhin kërcënues e ka postuar në llogarinë e tij në Facebook dhe thotë se lufton në anën e ISIS-it, në rajonin ndërmjet Irakut dhe Sirisë. Ai e ka titullar kërcënimin si “Mesazh për qytetin tim të lindjes Bar, që gjendet në Mal të Zi”.

“E dini për sufijet, për dervishët, për murgjit, mynafikët, xhahilët... që Shteti Islamik me lejen e Allahut dhe ndihmën e tij do të arrijë edhe atje, dhe se do ta pastrojë atë qytet dhe islamin në të nga të ndytit dhe gënjeshtrat që ju i praktikoni dhe i keni sjellë aty”, thuhet ndër tjerash në mesazh.

Ai po ashtu i ka kërcënuar edhe imamët e Barit se “në rast se nuk pendohen dhe nuk i kthehen islamit të vërtetë, pjesëtarët e ISIS-it nuk do të kenë mëshirë as ndaj atyre”.

Ky i ri i ka kërcënuar edhe deputetët e Kuvendit të Malit të Zi Azri Jasaviq, Rifat Rastoderin dhe deputetin shqiptar, Dritan Abazoviqin, të cilët i ka quajtur “tradhtar që mendojnë se janë myslimanë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat