Në Shupkofc u zbulua pllaka përkujtimore e heroit Shemsi Ahmeti

Lajme

Në Shupkofc u zbulua pllaka përkujtimore e heroit Shemsi Ahmeti

Më: 24 prill 2015 Në ora: 18:24

Nxënësit dhe arsimtarët e Shkollës së Mesme të Ulët, “Heroi i Kosovës-Shemsi Ahmeti”, kanë pas të premten gëzim të pa përshkruar, sepse në oborrin e shkollës së tyre është vendosur pllaka përkujtimore e heroit që shkolla mbanë emrin. Në këtë solemnitet morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve, bashkëluftëtarë të heroit Shemsi Ahmeti, familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës së UÇK-së dhe qindra qytetarë nga komuna e Mitrovicës e më gjerë.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, duke e përshëndetur tubimin, që në fillim shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e tij për nxënësit dhe arsimtarët, por edhe për të gjithë ata të tjerë që kanë marrë iniciativën, për të vendos këtu këtë pllakë përkujtimore dhe për të nderuar kështu komandantin e lavdishëm të UÇK-së në Shalën e Bajgorës e më gjerë, Heroin e Kosovës, Shemsi Ahmeti-Komandant Shemi.
“Heroi Shemsi Ahmeti, është pa asnjë dyshim një figurë emblematike e kombit. Ai ishte njëri nga luftëtarët më të mirë dhe më trima të luftës së UÇK-së, i cili nuk kurseu asgjë, pra as jetën e tij, për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Të gjithë ne qytetarët e Mitrovicës e të Republikës së Kosovës, por në veçanti ju nxënës dhe arsimtarë të kësaj shkolle që mbanë emrin e këtij trimi sypatrembur, duhet të jemi krenarë për të bëmat heroike të heroit Shemsi Ahmeti”, tha nënkryetari Kamberi.
Në vazhdim nënkryetari Kamberi theksoj se udhëheqja e re komunës, me në krye Agim Bahtirin, kryetar, duke kontribuar sadopak në vendosjen e kësaj pllake përkujtimore, i vlerëson lartë vlerat e luftës së UÇK-së dhe heronjtë e dëshmorët e Kombit, dhe për këtë çdo herë është e gatshme që t’i kujtoj e nderoj, ashtu sikur e meritojnë, për t’i bërë ata të pavdekshëm dhe për të përcjell kështu mesazhin tek gjeneratat e reja, se gjaku i derdhur i tyre, nuk duhet të harrohet dhe se tani për atdhe luftohet duke mësuar dhe duke punuar me ndershmëri dhe respektim të shtetit ligjor e demokratik që po e ndërtojmë.
“Po ashtu, ju garantojmë se në të ardhmen, përkujdesja institucionale ndaj familjarëve të heronjve dhe dëshmorëve të Kombit, ndaj veteranëve e invalidëve të luftës dhe ndaj gjeneratës së re, duke ju ofruar atyre kushte sa më të mira për mësim dhe shkollim, do jetë më e madhe, duke mos harruar në asnjë moment krijimin kushteve më të mira për mirëqenien e tyre ekonomiko-sociale”, tha nënkryetari Kamberi.
Bashkëluftëtari i heroit Shemsi Ahmeti dhe njëkohësisht komandant i tij, Hysni Ahmeti tha se komandanti Shemsi Ahmeti ishte një luftëtar shembullor që diti të luftoj dhe komandoj në luftë, duke u bërë kështu më i dashuri ndër bashkëluftëtarët e tij.
Drejtori i shkollës “Heroi i Kosovës-Shemsi Ahmeti”, Sabit Bilalli, foli për jetën dhe veprën e heroit, duke vlerësuar njëkohësisht lartë kontributin e heroit Shemsi Ahmeti dhënë në luftën e UÇK-së, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq, Pro. Dr. Skender Skenderi, bashkëvendës i heroit Shemsi Ahmeti, tha jo vetëm fshati i lindjes i heroit, por edhe tërë Mitrovica krenohen me heroin Shmsi Ahmeti.
Pllakën përkujtimore të Heroit të Kosovës-Shemsi Ahmeti, e zbuluan nënkryetari Safet Kamberi, komandanti Hysni Ahmeti, vëllai i heroit, Haxhi Ahmeti, Prof.Dr. Skender Skenderi, drejtori i shkollës, Sabit Bilalli dhe Rafet Zeneli, iniciatori i vendosjes së kësaj pllakë dhe kontributdhënës kryesor për këtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat