Banderolat dëmtoin importuesit e duhanit dhe alkoolit

Lajme

Banderolat dëmtoin importuesit e duhanit dhe alkoolit

Më: 20 prill 2015 Në ora: 20:55

Zvarritja e procedurave për shpalljen e fituesit të tenderit për furnizim me banderola për alkool dhe duhan, ka bërë që Dogana e Kosovës të operojë me rezerva.

Kjo pasi OSHP-ja për disa muaj e ka në shqyrtim ankesën e njërit nga ofertuesit në këtë tender. Nga kjo situatë po pësojnë importuesit e duhanit dhe alkoolit, pasi sipas tyre kjo zvarritje po i hap rruga importit ilegal dhe kontrabandës.

Furnizimi me banderola për alkool dhe duhan, pesë muajt e fundit është duke u bërë nga rezervat e Doganës. Zyrtarët doganorë thonë se banderola rezervë ka më së shumti edhe për dy muaj. Kjo gjendje ka ardhur pasi kontrata për furnizim me këto banderola ka skaduar vitin e kaluar. Ndërsa Organi Shqyrtues i Prokurimit tani e ka në shqyrtim këtë tender të shpallur në dhjetor të vitit të kaluar, pasi njëherë e kishte kthyer në rivlerësim.

Adriatik Stavileci – Zëdhënës i Doganës ka thënë se"komisioni i cili është themeluar për vlerësimin e këtij tenderi ose kësaj procedure e ka dhanë mendimin e vet dhe ne e kemi dhanë mendimin tonë dy herë, ne kemi zgjedh fitues dy herë me procedurë shumë të rregullt një kompani e cila ka qenë më e lira, por sidoqoftë OSHP- ja është një organ më i lartë se dogana sa i përket fushës së prokurimit dhe gjithmonë vendimi i tyre është më profesional.

Në bazë të ofertave që i ka siguruar RTK-ja, fitues i tenderit ishte shpallur një kompani angleze, e cila për furnizimin me banderola për duhan dhe alkool, për një vit kishte dhënë çmimin 430 mijë e 900 euro.

Por, kompania tjetër gjermane ishte ankuar, ndonëse oferta e saj për të njëjtin furnizim ishte 1 milion e 88 mijë euro. Po kjo shumë ishte korrigjuar dhe caktuar nga Komisioni i Doganës, pasi që ishin vërejtur gabime në llogaritje nga kompani.

OSHP e ka pranuar ankesën e kompanisë gjermane dhe e ka rikthyer në rivlerësim këtë tender. Por, edhe në rivlerësim, kompania angleze shpallet fituese. Edhe pas kësaj faze sërish në OSHP ishte ankuar kompania gjermane.

Për kryetarin e Shoqatës së Importuesve të Duhanit, kjo situatë është e çuditshme derisa bëjnë të ditur se po dëmtohen si biznese.

Ramadan Kelmendi – Kryetar i Shoqatës së Importuesve të Duhanit " Dogana e ka bërë një përzgjedhje korrekte e ka përzgjedh tenderuiesn që i ka prodhuar edhe më herët banderolat, dhe me çmim që normal është shumë më i kapshëm, kështu që të gjithë importuesit vitin e kaluar kanë paguar afërsisht 400 mijë euro që kem paguar tash nëse përzgjidhet ofertuesi I dytë që është e çuditshme që po e pranojnë qe dy herë ankesat e tij, kostoja e kompanive importuese do të shkon deri në 1 milion e 100 mijë euro".

Kelmendi thotë se banderolat që marrin nga rezervat e doganës nuk janë të mjaftueshme dhe se sipas tyre nëse nuk do të zgjidhet kjo çështje atëherë do t'i hapet rruga importit ilegal dhe kontrabandës.
E OSHP nëpërmjet një përgjigjeje elektronike ka thënë se ankesa e operatorit ekonomik lidhur me tenderin e lartë përmendur, është në procesin e shqyrtimit konform dispozitave të LPP-së, prandaj ata shprehen se nuk mund të paragjykojnë lidhur me rezultatin përfundimtar të procesit të vendimmarrjes nga ana e OSHP-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat