Ministri Zharku premtoj mbështetje për komunën e Mitrovicës

Lajme

Ministri Zharku premtoj mbështetje për komunën e Mitrovicës

Më: 4 mars 2015 Në ora: 19:13

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Blerim baruti, janë pritur në Prishtinë nga Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.

Duke e njoftuar ministrin Zharku me gjendjen e përgjithshme të palakmueshme në komunën e Mitrovicës, kryetari Agim Bahtiri i ka thënë atij, se edhe gjendja e infrastrukturës në komunë është tejet e pavolitshme dhe se edhe në këtë plan Mitrovica nuk është trajtuar si komunat tjetra.

“Krahasuar me komunat fqinje, komuna e Mitrovicës për vitin e kaluar ka pas dukshëm më pak mjete për investime kapitale, e dihet se projektet e këtilla janë kryesisht ato të infrastrukturës”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Ndërkaq, drejtori Baruti, e ka njoftuar ministrin Zharku më detajisht për disa projekte të infrastrukturës, të cilat kanë filluar së realizuari dhe nuk mund të përfundojnë për shkak të mungesës së mjeteve, apo që nuk kanë filluar fare në mungesë të këtyre mjeteve.

Drejtori Baruti, në këtë kontekst, ka përmend mungesën e mjeteve për vazhdimin e rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve në lagjet veriore, rrugën që lidh fshatrat Suhadoll i Ultë, Suhadoll i Epërm dhe Gushafc, pastaj atë të Pirqit, meremetimin e rrugës rajonale që është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës, Mitrovicë-Podujevë dhe disa projekte të tjera.

Ministri Lutfi Zharku, tha se gjithmonë ka qenë i interesuar për Mitrovicën dhe është edhe tani, pasi që është i njoftuar me problemet e mëdha që ka kjo komunë dhe ka dëshirë të madhe që të ndihmoj në tejkalimin e problemeve të shumta të infrastrukturës atje.

“Mbi 90 për qind të mjeteve të ministrisë i kam gjetur të kontraktuara nga drejtuesit e mëparshëm të ministrisë. Janë vetëm diç më shumë se dy milionë euro, që i kam gjetur dhe të cilat i kam orientuar në projekte të ndryshme, që janë fare pak. Mirëpo, me rishikimin e buxhetit, besoj se do të ndajmë një shumë të caktuar të mjeteve për realizimin e dy-tri projekteve më prioritare dhe më të rëndësishme për Komunën e Mitrovicës për këtë vit. Për vitin tjetër, do të përkujdesemi me kohë për projekte që vijnë nga Mitrovica”, tha ndër të tjera ministri Zharku./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat